Mustafa Nano: Skënderbeu ia fali motrën serbëve

Një deklaratë e analistit Mustafa Nano se nëna e Skënderbeut është serbe ka ndezur polemika e hapur një debat mes studiuesve, historianëve dhe njerëzve të medias. Prej momentit të daljes së librit-ese “Sandwich”, botimet UET Press, Nano përballet me tezat e tij në publik, duke marrë me vete sërish zhurmën që ndjekin librat e tij

Nga Mustafa Nano

Në reagimet e shumta që janë vënë re ditët e fundit në diskutimin mbi origjinën e nënës së Skënderbeut, janë përmendur referenca të shumta. Por nuk ka nevojë t’u referohesh të gjithëve. Mjafton të shkosh te disa burime të hershme, më të hershmet. Sepse të gjithë të tjerët janë bazuar te këto burime. Në këtë kuptim, është mundim i kotë e bjerradit t’u thuash të tjerëve se ç’ka thënë Fan Noli, Kristo Frashëri, Oliver Jens Schmitti, Hahni, Babingeri apo edhe të tjerë që kanë lënë shënime apo kanë shkruar monografi mbi heroin tonë kombëtar. Le të mbetemi pra te burimet më të para mbi këtë argument.

Cilët janë autorët që kanë folur për Vojsavën? Janë po ata që kanë folur për të birin e saj, Skënderbeun. Më i pari është Marin Barleti që – është thënë e stërthënë kjo gjë, tanimë – në veprën e tij të famshme mbi Skënderbeun shkruan se Vojsava ishte e bija e princit të tribalëve (Shih te Barleti në versionin shqip me titullin “Historia e Skënderbeut”, përkthyer nga Stefan I. Prifti, në faqen 2, por edhe te versioni origjinal në latinisht i librit “Historia de vita et gestis Scanderbegi epirotarum principis…”, në faqen III). Tani, Barletit mund të mos ia vëmë veshin shumë për sa kohë ai bën përshkrime (stili i tij karakterizohet nga teprimi), por kur na thotë një fakt, nuk kemi pse ta vëmë në dyshim. Dhe fakti është ky: Vojsava ishte bijë e princit të tribalëve.

Të njëjtën gjë lë të kuptohet edhe Gjon Muzaka, dhe me këtë kemi ardhur te dëshmia e dytë, që daton në vitin 1510 (është shkruar pak a shumë në të njëjtën kohë kur Barleti ka shkruar historinë e tij të Skënderbeut). Ky pinjoll i Muzakajve ka lënë një histori të derës së vet, dhe aty, për sa i takon Vojsavës, shkruan: “E piú sappiate ch’ il signor Giovanni Castrioto, padre del signor Scanderbego, hebbe per moglie la signora Visava Tribalda, con la quale fece quattro figli mascoli e cinque figlie femine”, (“Historia della casa Musachia”, pjesë e librit të Charles Hopf-it me titull “Chroniques gréco-romanés…”, botuar në Berlin, nga shtëpia botuese “Librairie de Weidmann”, faqja 295). Që në shqip do bënte: “Mësoni gjithashtu se zoti Gjon Kastrioti, baba i zotit Skënderbe, pati për grua zonjën Vojsava Tribalda, me të cilën bëri katër djem e pesë vajza”,(faqja 446 e librit të Pëllumb Xhufit me titull “Nga paleologët te Muzakajt”). Kuptohet, mbiemri “Tribalda” ka lidhje me sojin e “tribalëve”. Kush janë tribalët (por pa e ngatërruar me adjektivin “tribal” që lidhet me substantivin “tribú”)? Këtë mund ta mësojmë nga i biri i Gjon Muzakës, Konstandini që, në shënimet që ka lënë mbi të parët e vet (kjo është dëshmia nr. 3), shkruan: “… li Dalmatini ch’ hoggi sono li Schiavoni, et Illirij ch’ oggi dicono Bosnesi, Tribali ch’ hoggi se nominano Serviani”, (faqja 313 e librit të sapopërmendur të Charles Hopf-it)”. Në shqip bën: “… me emrin dalmatë thirren sot sllavët, me emrin ilirë thirren boshnjakët, me emrin tribalë thirren serbët”. Dhe me këtë më vjen t’iu them të gjithë detraktorëve të mi: Ju kam gozhduar! Por e vërteta është që nuk ka pasur nevojë të kërkonim prova me lupë te shënimet e kursyera të Konstandin Muzakës. Ka plot autorë të tjerë para e pas tij që kanë bërë të njëjtën gjë, d.m.th. termin tribalë e kanë përdorur për të thirrur serbët e bullgarët, por më së shumti serbët. E kështu, nuk ka asnjë artific që tribalët mund t’i bëjë shqiptarë.

“Tribalët kanë qenë një tribu ilire”, është nënvizuar këto ditë. Por kjo nuk do me thënë asgjë. Siç u pa me pohimin e sapopërmendur të Konstandin Muzakës, emrin e vendit mund ta marrë pa problem kushdo që banon aty në kohë të mëvonshme. Më tej, kjo puna e origjinës “etnike” të tribusë së tribalëve të lashtësisë (Triballi) nuk është edhe aq e qartë. Ka ndonjë autor që i quan ilirë, por ka edhe ndonjë tjetër që i quan trakas. E në fund, ja ta zëmë se tribalët kanë qenë ilirë. Ta zëmë se kjo gjë është e provueshme. Ose më mirë akoma, e provuar tanimë. Çfarë kemi zgjidhur me këtë? Asgjë. Në këtë rrethanë do na duhej të provonim që shqiptarët rrjedhin prej ilirëve apo, me fjalë të tjera, që ka një vijueshmëri të pandërprerë iliro-shqiptare. Mirëpo edhe historiani më budalla e di se kjo gjë është ende e paprovuar 100%. Çfarë shkenca (po them: shkenca) ka thënë deri më sot është shumë e thjeshtë: Shqiptarët kanë më shumë arsye se popujt e tjerë që banojnë në viset ku në lashtësi kanë jetuar ilirët, që të pretendojnë se rrjedhin prej këtyre të fundit, por gjithsesi kjo mbetet në një masë të madhe për t’u provuar. Kështu që ID-në ilire do bënim mirë ta përdornim për aq sa është e vlefshme. Kur bëjmë diskutime shkencore, kuptohet.

Vijmë tani te dëshmia e katërt, që është më interesante se tri të parat. Në një libër me titullin “Comentario delle cose de turchi, et del signor George Scanderbeg, principe di Epiro, con la sua vita et le vittorie per lui conseguite, et le inestimabili forze, et vertú di quello, degne di memoria”, me autor Paulo Giovio-n e Andrea Gambini-n, botim i gjysmës së parë të shekullit XVI, saktësisht i vitit 1541 (MDXLI), kapitulli i fundit është mbi Skënderbeun. Dhe aty, në faqen e parë të këtij kapitulli, thuhet: “Scanderbeg, prencipe di Epiro, fu figliuolo del s. Ivan Castrioth, che signoreggiava quella parte di Albania, la qual si chiama Emathia e Tumenistia: e la matre di esso Scanderbeg, chiamata Voisava, fu figliuola del s. di Pollogo, che é una parte della Macedonia et Bugaria”. Në shqip: Skënderbeu, princi i Epirit, qe biri i zotit Gjon Kastrioti (Ivan e quan autori në origjinal, dhe Kristo Frashëri nuk e përmend këtë dokument teksa polemizon me Oliver Jens Schmittin mbi emrin e të atit të Skënderbeut e teksa mbron tezën se në burimet italiane e latine ai nuk thirrej Ivan; ndoshta nuk e ka pasur në dorë këtë dokument; dhe më mirë kështu; ndryshe, do ta kish kapur trishtimi), që sundonte atë pjesë të Shqipërisë që quhej Mat e Tumenishtë; nëna e Skënderbeut, me emrin Vojsava, ishte bijë e zotit të Pollogut që – këtu do doja vëmendjen tuaj! – është një pjesë e Maqedonisë dhe e Bullgarisë. E vini re? Autori, që mund të ketë qenë edhe shqiptari Dhimitër Frangu (Demetrio Franco) nuk lë vend për asnjë spekulim në favor të tezës së Pollogut shqiptar. “Pollogu është pjesë e Maqedonisë dhe Bullgarisë”, thuhet qartazi. Me këtë i largohemi tezës se Vojsava ka qenë serbe, por mbetet e sigurt se Vojsava ka qenë sllave. Shqiptare, jo se jo. Ata që i mbahen tezës se Pollogu “është banuar fillimisht nga arbërorët”, duhet të na thonë se ku e kanë gjetur provën se Pollogu është banuar nga arbërorët e të na sqarojnë se ç’duan të thonë me ndajfoljen “fillimisht”. Tani, nuk ka pse përjashtohet që në Pollog të ketë pasur arbërorë atëbotë, madje mendja ta thotë se ka pasur familje arbërore që ç’ke me të, por familja e Vojsavës nuk ka qenë një prej tyre. Ndryshe, autorët e hershëm nuk do na thoshin se ajo është e tribalëve. Do na thoshin se është e arbërorëve.

Këto dokumente, sipas meje, janë më të rëndësishmet mbi këtë çështje. Së pari, sepse janë më të hershmet. Së dyti sepse janë tonat, arbërore. Dhe unë shpresoj që sa më sipër të shërbejë si një ftesë për një debat të shtruar, mbi bazë dokumentesh, larg etiketimeve, larg pozave, ngrefosjeve, dënglave, ndjeshmërive, të qarave të stisura patriotike me lot e qurre. Jo për ndonjë gjë, por patriotizmi në këtë rast nuk vlen asnjë çikë. Siç kam patur rast të them, e siç dihet mirë nga njohësit e historisë, martesat ndëretnike në kohën e Vojsavës kanë qenë të shpeshta, më të shpeshta sesa janë sot çaprashitjet akademike me armiq e tradhtarë. Sa për ilustrim, libri i Gjon Muzakës është përveç të tjerash edhe një lloj zyre e gjendjes civile e aristokracisë shqiptare të shekujve XIV, XV e XVI, dhe një lexuesi të tij, sado i pakujdesshëm të jetë, nuk mund t’i shpëtojë fakti që familjet princore shqiptare (Muzakajt, Komnenët, Dukagjinët, Topiajt, Kastriotët, Gropajt, Balshajt, etj.) i parapëlqenin shumë krushqitë me njëra-tjetrin, por në të njëjtën kohë s’e kishin për gjë të martonin pjellën e tyre me malazezë, serbë, bullgarë, raguzanë, venecianë, napoletanë, hungarezë, deri edhe francezë etj.

Martesa e Gjon Kastriotit me Vojsavën ishte një nga të shumtat e këtij lloji. Madje – në këtë pikë, mbahuni burra! – edhe i biri i Skënderbeut, me emrin Gjon, mori për grua Jerina Paleologen (Erina Paliologa në origjinal), që ish bijë e Llazarit, despotit të Serbisë (shih faqen  432 te përkthimi i Xhufit apo faqen 28 te libri i Charles Hopf-it). Doni më? Edhe e motra e Skënderbeut, Maria (siç e quan Gjon Muzaka) apo Mara (siç e quan Marin Barleti), u martua me Stefan Cernojeviqin (shih faqen 447 te libri i Xhufit “Nga paleologët te Muzakajt”, dhe faqen 295 te libri i Charles hopf-it “Chroniques greco-romanés”). Siç shihet, Kastriotët i kanë pasur shumë për zemër martesat me serbë e sllavë. Por nuk ka nevojë të ligështohet asnjë patriot. Kjo nuk ndryshon asgjë në faktin që Gjergj Kastrioti Skënderbeu ka qenë, është, dhe do të mbetet heroi kombëtar i shqiptarëve. Kjo e fundit nuk mund të vihet në diskutim. Dhe asnjëri me mend në kokë nuk e ka vënë. Është jeta e vepra e tij (përveç origjinës në linjë atërore) që na thonë se ai ka qenë shqiptar.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne