Myftiu i Bilishtit, përkthyes i refugjatëve afrikan që futen nga Greqia

Një tjetër grup klandestinësh është kapur nga policia kufitare e Devollit, e cila i ka dërguar të hënën në mesditë në ambjentet e Drejtorisë vendore të kufirit dhe migracionit në Korçë.

Grupi i klandestinëve përbëhej nga rreth 15 shtetas të huaj.

Të shoqëruar edhe nga Myftiu i Bilishtit, kleriku mysliman që në këtë rast bën rolin e përkthyesit, klandestinët iu nënshtruan marrjes në pyetje, intervistimit dhe verifikimeve.

Një procedurë kjo që kryhet me të gjithë klandestinët e kapur në kufirin tokësor me Greqinë, para se të dërgohen në qëndrën e trajtimit ose të kthehen mbrasht në vendin nga hynë për në Shqipëri.

Autoritetet e policisë kufitare në Korçë nuk dhanë sqarime për vendet e origjinës të klandestinëve dhe zonën ku janë kapur.

Kapja e këtij grupi shënon të parin rast të emigrantëve ilegalë që tentojnë të hyjnë në territorin shqiptar për këtë vit. Me ndërprerjen e reshjeve të dëborës, edhe pse moti nuk ka përmirësime, duket se ka rifilluar trafiku i klandestinëve nga vendet e Lindjes së Mesme drejt Shqipërisë dhe më tej për në vendet e zhvilluara të Bashkimit Europian.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne