Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim Tërnava priti sot në takim ministrin e Jashtëm të Turqisë, z. Mevlut Çavusoglu. Myftiu Tërnava falënderoi ministrin Çavusoglu për këtë vizitë, duke shprehur falënderimet më të sinqerta për qeverinë turke, presidentin e Turqisë, z. Rexhep Tajip Erdogan dhe DIJANET-in për ndihmën e pakursyer që po japin për Kosovën dhe popullin e saj. Ai vlerësoi lart marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Turqisë.

Më pas, Myftiu Tërnava njohu mysafirin me aktivitetet e BIRK-ut dhe rolin e këtij institucioni që ka për jetën fetare në vend, duke theksuar se ky institucion ka dhënë dhe po vazhdon të japë maksimumin që vendi ynë të jetë një vend i qetë dhe ku të gjithë pjesëtarët e komuniteteve fetare të jetojnë në harmoni dhe në paqe ndërmjet vete. Myftiu po ashtu përmendi edhe bashkëpunimin e ngushtë që ka me ambasadoren e Turqisë në Kosovë, znj. Kivilcim Kiliç.

Nga ana e tij, ministri i Jashtëm i Turqisë, Melvut Çavusoglu falënderoi Myftiun Tërnava për pritjen dhe çmoi lart angazhimin e BIRK-ut dhe të Myftiut për prosperitet dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve. Ai premtoi se ndihma e Turqisë për popullin e Kosovës do të vazhdojë edhe më tutje dhe se bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Turqisë do të intensifikohet edhe më shumë.

20