Myslimanët në Filipine votojnë për autonomi

Myslimanët në Filipinet jugore votuan të hënën një referendum për një rajon të ri autonom në rajonin jugor i cili kërkon që ti japë fund gati gjysmë shekulli trazirash. Liderët e tyre e shohin këtë si alternativa më e mirë kundër një vale të re dhune të militantëve të frymëzuar nga grupi Daesh.

Vota i vë kapak një përpjekje të trazuar paqeje të qeverisë së Manilas dhe Frontit Çlirimtar Islamik Moro, grupi kryesor rebel. Qeveria dhe grupi nënshkruan një marrëveshje në vitin 2014, por që u zvarrit në Kongresin e Filipineve derisa u miratua përfundimisht vitin e kaluar. Gjakderdhjet duke përfshirë rrethimin e qytetit Marawi nga militantët e lidhur me Daeshin dhe sulmet e tjera me bomba në jugun e vendit e kërcënuan rëndë marreveshjen.

Al Haj Murad Ebrahim, kryetar i rebelëve Moro, ka thënë në mënyrë të përsëritur se krijimi i një rajoni të pavarur musliman është kundërhelmi më i mirë kundër dhjetëra grupeve të vogla të lidhura me Daeshin që mbeten kërcënim për Mindanaon, atdheun e pakicave muslimane të kombit kryesisht katolik.

Sipas marrëveshjes, rebelët hoqën dorë nga synimet për një shtet të pavarur në këmbim të autonomisë së gjerë, megjithëse fillimisht donin një njësi federale me më shumë pushtet. 30,000 deri në 40,000 luftëtarë të tyre do të demobilizohen. Murad i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të kontribuojë për një fond besimi që do të përdoret për të financuar transformimin në normalitet të kryengritësve, pas dekadash të tëra rebelimi, më i gjati në gjithë Azinë.

Shekuj pushtimesh.

Fillimisht arqipelagu u pushtua nga forcat koloniale spanjolle dhe më pas nga amerikanët. Pushtimet u pasuan edhe nga kolonët e krishterë Filipinas të cilët i kanë kthyer gradualisht muslimanët në një pakicë. Kjo ka bërë që në Mindanao të shkaktohen konflikte mbi tokën, burimet dhe ndarjen e pushtetit politik. Kryengritjet që kanë kërkuar vetë-sundim janë shtypur brutalisht, duke ushqyer më shumë pakënaqësi. Pasiguria është shtuar edhe nga përhapja e armëve dhe grupeve të armatosura që kanë përdorur si hakmarrje rrëmbimet dhe zhvatjet për mbijetesë, siç është grupi brutal Abu Sayyaf, i cili nuk është pjesë e asnjë procesi paqësor.

Qeveritë perëndimore e kanë mirëpritur paktin për autonominë. Ata shqetësohen se një numër i vogël i militantëve të lidhur me Daeshin nga Lindja e Mesme dhe Azia Juglindore mund të krijojnë një aleancë me kryengritësit filipinas dhe ta kthejnë jugun në një terren trajnimi për terroristët.

Në vitin 2017, trupat e Filipineve të mbështetura nga aeroplanët amerikanë dhe australianë luftuan kundër militantëve të cilet për pesë muaj mbajtën të pushtuar Marawin. Beteja la pas ndërtesa dhe xhami të rrënuara dhe më shumë se 1.200 të vrarë, kryesisht luftëtarë. Konflikti i gjatë me dekada ka lënë rreth 150,000 të vdekur dhe ka rrënuar zhvillimin e rajonit të pasur jugor, një zonë e pazhvilluar dhe më e varfra e vendit.

Komisioni zgjedhor tha se ka printuar 2.1 milion fletëvotime. Rezultatet pritet që të dalin jo më vonë se 26 janari. Nëse referendumi miratohet, një referendum i dytë më 6 shkurt do t’u kërkojë banorëve të provincës Lanao del Norte dhe shtatë qyteteve në provincën North Cotabato me një popullsi të konsiderueshme myslimane për të vendosur nëse do duan ti bashkohen rajonit të ri gjithashtu.

Kundër referendumit mund të ketë edhe të papritura, ku më e mundshmja është dërgimi i një peticioni në Gjykatën e Lartë për të goditur marrëveshjen e autonomisë./dailysabah/Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne