Myslimanet Rohingya në prag të një udhëtimi tjetër të rrezikshëm

Bhasan Char, një ishull i largët ku Qeveria e Bangladeshit po planifikon të rivendos komunitetin e persekutuar Rohingya të Mianmarit, shtrihet në një sipërfaqe prej 15 mijë hektarësh në baticë të ulët dhe 10 mijë hektarësh në baticë të lartë.

Sipas burimeve të qeverisë, askush nuk jetonte në ishull deri në fillimin e projektit të risistemimit të popullit Rohingya gati një vit pas. Ishulli ishte përdorur kryesisht për kullotjen e kafshëve dhe ishte një qendër e piratëve të detit.

Ishulli u shfaq nga Gjiri i Bengalit në vitin 2006 dhe ndodhet rreth 30 kilometra larg tokës së populluar. Në vitin 2013, zona u shpall rezervë pyjore ndërsa varkat me motor janë mënyra e vetme për të udhëtuar në ishull.

Rreth 1.350 hektarë tokë, prej të cilës 432 hektarë është e zënë dhe 918 hektarë e lirë, u propozua për projektin e rehabilitimit të popullit Rohingya.

Megjithatë, udhëtimi në Bhasan Char është një punë e vështirë dhe gjatë kushteve të këqija të motit është një nga udhëtimet më të rrezikshme.

Ishulli është 52 kilometra larg vendit më të afërt, Noakhali, si dhe rreth 30 kilometra nga ishulli më i afërt i populluar, Hatia.

Sipas burimeve të Marinës së Bangladeshit, lartësia mesatare mbidetare e tokës së ishullit Bhasan Char është 2.84 metra.

– Rruga e rrezikshme për në Bhasan Char

Disa media vendase dhe ndërkombëtare kanë raportuar se duhet një orë e gjysmë për të arritur në ishullin Bhasan Char nga vendi më i afërt, Noakhali, si dhe nga ishulli më i afërt i banuar, Hatia, përmes tragetit ose varkave me motor. Por, korrespondenti i AA-së regjistroi më shumë se dy orë për të arritur në ishull nga një varkë me motor nga të dyja vendet, Hatia dhe Noakhali.

Përderisa nevojiten vetëm gjysmë ore me një varkë të shpejtë për të arritur në ishull nga Noahali dhe Hatia, një mot pak i vështirë e bën të pamundur këtë udhëtim.

Ishulli po ashtu është i prirur për erozionin e lumit. Peshkatarët vendas për AA thanë se rajonet jugore dhe juglindore të ishullit shpesh vuajnë nga erozioni. Sipas të dhënave të Departmentit të Pyjeve, një pjesë e ishullit zhduket në det çdo vit për shkak të erozionit.

Megjithatë, Komisioneri i Qarkut Noakhali (DC), Tanmoy Das, për AA tha se ishulli tani është pa rrezik, duke shtuar se, “Shumë studime janë kryer nga Departmenti ynë Metereologjik në Bhasan Char. Tani ai ishull është shumë i sigurtë”.

Mahfuzur Rahman Akhand, profesor dhe shkrimtar i librit “Problemi i popullit Rohingya dhe Bangladeshi”, për AA tha se Qeveria e Bangladeshit duhet të sigurojë se ishulli nuk do të jetë një burg i ri për popullin e persekutuar Rohingya.

– Sigurimi i përpjekve për të trajtuar rrezikun

Shumica e refugjatëve Rohingya dhe ekspertëve kanë shprehur frikë se fatkeqësitë natyrore mund të shfarosin vendstrehimet në ishull, i cili është vendosur në grykëderdhjen e lumit Meghna dhe në Gjirin e Bengalit.

Megjithatë, një komandant toger në Marinën e Bangladeshit për AA tha se dy penda të planifikuara do të rrethojnë zonën e projektit për ta mbrojtur atë nga fatkeqësitë natyrore.

Duke folur në kushte anonimiteti për shkak të kufizimeve për t’u prononcuar për mediat, ai tha se populli Rohingya do të jetonte këtu në “kushte njëqind herë më të mira” se sa në kampin e improvizuar të stërmbushur me njerëz dhe të varfër.

Ai tha se kryeministri i Bangladeshit do të inaugurojë projektin brenda një kohe sa më të shkurtër.

“Tani përfundimi i projektit të strehimit është në vazhdim. Ne jemi të gatshëm për të pranuar popullin Rohingya në çdo kohë”, tha komandanti i marinës.

Ai tha se refugjatët Rohingya do të zhvendosen gradualisht, si 1.000 për një javë, prandaj do të duhen muaj për të përfunduar procesin e zhvendosjes.

– Persekutimi i popullit Rohingya

Populli Rohingya, i përshkruar nga Kombet e Bashkuara (OKB) si njerëzit më të persekutuar në botë, është përballur me frikën e rritur të sulmit, pasi dhjetra u vranë në dhunën komunale në vitin 2012.

Sipas një raporti të Agjencisë Ndërkombëtare të Zhvillimit Ontarios (OIDA), që nga 25 gushti i vitit 2017, rreth 24 mijë muslimanë Rohingya janë vrarë nga forcat shtetërore të Mianmarit.

Më shumë se 34 mijë Rohingya u hodhën në zjarr ndërsa mbi 114 mijë të tjerë u rrahën, tha raporti i OIDA-s, i titulluar “Migrimi i detyruar i popullit Rohingya: Përvoja e patreguar”.

Raporti tha se rreth 18 mijë gra dhe vajza Rohingya u përdhunuan nga ushtria dhe policia e Mianmarit si dhe mbi 115 mijë shtëpi Rohingya u dogjën dhe 113 mijë të tjera u vandalizuan.

Sipas Amnesty International, më shumë se 750 mijë refugjatë Rohingya, kryesisht fëmijë dhe gra, u larguan nga Mianmari dhe kaluan në Bangladesh, pasi forcat e Mianmarit nisën një goditje ndaj komunitetit pakicë musliman në gusht të vitit 2017.

OKB ka dokumentuar përdhunime në masë, vrasje, përfshirë foshnja dhe fëmijë të vegjël, rrahje brutale dhe zhdukje të tjera të kryera nga forcat shtetërore në Mianmar. Në një raport, hetuesit e OKB-së thanë se shkeljet e tilla mund të kenë përbërë krim kundër njerëzimit./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne