Ky material “dossier” është një përmbledhje e të dhënave që më janë transmetuar në intervistat e bëra me disa nga drejtuesit më të lartë të ushtrisë shqiptare të para vitit 1990.

Nëse lufta do të fillonte krejt papritur, pa paralajmërime dhe pa përqendrim të trupave armike në vijën e kufirit, ushtria shqiptare ishte përgatitur që për 2-3 minuta nga shkelja e territorit shqiptar, të hapte zjarrin e parë me mitralozat e rëndë të cilësuara si “armë roje”, apo me anë të batalioneve që gjithashtu quheshin “art-mitraljer”. Kjo sa për fillim, pasi strukturat ushtarake e viteve ‘80 lejonte që për 72 orët e para, të mund të viheshin nën armë të paktën 750 mijë njerëz me uniformë jeshile. Por si ishte e organizuar ushtria shqiptare në vitet ’75-’85, gjë që daton dhe me kulmin e fuqisë së saj? Ish drejtuesit e lartë të saj gjatë intervistave të drejtpërdrejta kanë dhënë këto shifra:

 Kolonel Edip Ohri, ish-komandanti i aviacionit Shqiptar

Aviacioni, 240 mjete fluturuese

“I gjithë aviacion u inkuadrua në 3 regjimente gjuajtës-bombardues të cilët u inkuadruan në tre aerodrome: Gjadri, Rinasi e Kuçova. Reparti i parë u krijua në Tiranë në vitin ’51. Regjimenti i parë i Aviacionit Reaktiv u krijua në vitin 1955 në Kuçovë. Ai do të pasohej me krijimin e Repartit të Transportit Ushtarak në Tiranë, Regjimentin e Rinasit, Shkollën e Aviacionit, Regjimentin e Helikopterëve, Regjimentin e Gjadrit. Të paktën 240 ishte numri i mjeteve fluturuese, që përbënin armën e Aviacionit Luftarak:

 

95 avionë MIG-19-S,

12 avionë MIG-21,

12 avionë MIG-17,

3 avionë IL-14 për shërbime qeveritare

1 avion bombardues IL-28.

36 helikopterë MI-4.

12 avionë AN-2 transporti

 

Kolonel Estref Musabelli zv/komandant i Grupimit të 6-të operativ për tanket

Ushtria, 1200 mjete të blinduara

“Ushtria shqiptare në fund të vitit ‘80 dispononte thuajse se 1200 tanke e mjete të blinduara në arsenalin e saj. Kompania e parë e tankeve u krijua në 1 prill 1946 me prodhimin italian “Spali” trofe nga Lufta II Botërore. Në prill 1948 u krijua Regjimenti i parë i tankeve “Vojo Kushi”. Në këtë regjiment u përfshinë tipet T-34 dhe AVL-76 m/m, të ardhura nga BS. Brigada e Parë e Tankeve u krijua në 24 prill 1963 në përbërje të të cilës ishin tanket tip T-59 të prodhimit kinez. Në vitet ’70 ushtria shqiptare kishte 10 brigada tankiste me nga 100 tanke të tipeve T-59 (54), T-62, si dhe disa batalione autonome me drejtime të caktuara dhe me tanke tip T-34, AVL-76 dhe 100 m/m. Përveç tankeve, ushtria shqiptare zotëronte dhe 3-4 batalione të mekanizuara me transportues të blinduar.

Bajram Mane, ish-zëvendësministri i Mbrojtjes në vitet ‘82- ‘90

Organizimi me 9 korpuse

“Ushtria jonë rreth viteve ’80 erdhi pas një riorganizimi të thellë dhe të gjerë në strukturë dhe në përmbajtje, duke filluar nga njësitë e repartet e vogla ushtarake deri në Shtabin e Përgjithshëm. Në ato vite ushtria kishte në strukturë 7 Korpuse dhe 2 Grupime Operative në rang Korpusi, të cilat përmbanin njësi rezervë të Komandës Përgjithshme të pajisura me armë dhe teknikën e nevojshme. Gjithashtu kishte Komandën e Mbrojtjes Kundërajrore, Komandën e Aviacionit, Komandën e Flotës Luftarake Detare, njësi e reparte autonome, si dhe 4 Baza Furnizimi, Forca Vullnetare dhe Rininë Shkollore të armatosur.

 

Kolonel Dashamir Ohri, ish -komandanti i Brigadës së Nëndetëseve

Flota Luftarake Detare me 100 anije

“Në vitin 1980 flota detare shqiptare kishte anije rreth 100 luftarake të tipave dhe destinacioneve të ndryshme, luftarake e ndihmuese, të ardhura nga BS e Kina”

  1. Katër silurues                          80 copë rus + kinez
  2. Dragamina rade                      6 copë rus
  3. Dragamina bazë                      2 copë rus
  4. Gjuajtës detarë                        4 copë rus
  5. Nëndetëse                                 4 copë rus
  6. Motovedetë tip Shangai II     6 copë kineze

 

Hetem Halili, ish- Komisari i Korpusit të 7-të

Normat e gadishmërisë, njësoj me Izraelin

“Nivelin e normave të gatishmërisë e kishim më të lartin në botë. Me këto norma na afrohej vetëm Izraeli. Në 6 orë deri në 6 e 30 minuta kompletohet një brigadë, efektivi i të cilës varionte nga 5 mijë deri në 7 mijë trupa. Ndërsa një korpus vihej në gatishmëri të plotë brenda 9-10 orëve. Për rastin konkret, kur flitej që Shqipëria kërcënohej  nga trupat e Traktatit të Varshavës, merrej parasysh që pika më e afërt, nga ku mund të ngriheshin avionët desantues, ishte aeroporti i Sofies në Bullgari, me një largësi prej 650 kilometrash. Megjithatë, të gjitha përgatitjet bëheshin me idenë që kundërzbulimi shqiptar nuk arrinte të merrte asnjë informacion dhe, ashtu si në Çekosllovaki, agresioni të bëhej i menjëhershëm dhe në befasi. Të gjithë shtabet e brigadave dhe korpuseve kishin të njëjtën shkallë gatishmërie”

 Kostaq Karoli-ish shefi i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë

Shkelja e kufirit, për 3 minuta zjarr i përqendruar

Forcat e Armatosura kishin një efektiv shumë të madh, si aktiv ashtu edhe rezervist. Efektivi përbëhej nga rreth 16.500 oficerë, rreth 9.000 nën/oficerë, rreth 60.000 ushtarë si dhe nga rreth 8.000 civilë. Ndërkohë që rezervistë kishte rreth 450.000 vetë, dhe 230.000 Forca Vullnetare. Këto forca përfshiheshin në 22 Divizione dhe tre Forca që ishin: Mbrojtja Kundër Ajrore, Flota Luftarako-Detare dhe Aviacioni.  Ishin 127 Brigada Këmbësorie, Brigada Artilerie dhe Brigada Sulmuese ; rreth 1050 tanke të inkuadruara në 9 brigada tankesh e në dy batalione autonome, rreth 4.000 gryka zjarri artilerie tokësore; 34 regjimente të artilerisë kundërajrore pa llogaritur artilerinë kundërajrore të Brigadave, etj. Në kufi, mitralozët e rëndë (armët roje), bateritë e gatshme të artilerisë kundërajrore, hapnin zjarr për 2-3 minuta. Për 20-30 minuta, batalionet mitraliere në vijën e kufirit kishin bërë gati për luftim. Po kështu për 15– 20 minuta, artileria tokësore e gatshme kishte hapur zjarr.

 Ushtria

Fuqia njerëzore dhe ajo e zjarrit

Ushtria Shqiptare në vitet ’80-‘90 ka pasur në përbërjen e saj:

-22 Divizione

-Mbrojtja Kundër Ajrore (MKA),

-Flota Luftarako-Detare (FLD)

-Aviacioni

 

Efektivi përbëhej nga:

-rreth 16.500 oficerë

-rreth 9.000 nën/oficerë

-rreth 60.000 ushtarë

-rreth 8.000 civilë

-rreth 450.000 rezervistë

-rreth 230.000 Forca Vullnetare

 

-Ishin 127 Brigada, Këmbësorie, Artilerie dhe Sulmuese

-Ishin 34 regjimente të artilerisë kundërajrore

-Ishin rreth 1050 tanke inkuadruar në 9 brigada e dy batalione

-Ishin 4.000 gryka zjarri artilerie tokësore

-Ishin më shumë se 100 anije të të Luftës Luftarake Detare

-Ishin rreth 240 avionë e helikopterë të Flotës Ajrore

 

Namik Shehaj, ish-komisari i Regjimentit të Raketave

Mbrojtja kundërajrore me 240 raketa

Në përbërje të ushtrisë shqiptare janë 3-Grupe luftarake raketash një Grup tjetër që përdoret për qëllime mësimore si dhe një grup teknik. Katër grupet e raketave janë të vendosura në Petrelë, Sukth, në Patos dhe Krujë. Çdo Grup ka nga 6-të shtretër raketash. Pra gjithsej 24 shtretë. Është përllogaritur që çdonjëri nga shtretërit të lëshojë deri në 10 raketa. Realisht 240 raketa. Ato kanë një gjatësi prej 10.,88 metrash. Raketat që kanë qenë pjesë e armatimit të Mbrojtjes Kundër Ajrore të Ushtrisë Shqiptare nuk kanë pasur mbushje bërthamore, por kanë pasur vetëm mbushje luftarake, e cila kur shpërthente ndahej në 3600 copa.

 Irfan Lulo ish-shefi i Katedrës në Zall-Herr

Artileria 6 gryka zjarri për çdo kilometër të frontit

“Ushtria shqiptare kishte më shumë se 4000 gryka zjarri. Ndërmjet viteve 1954-1955. Ushtria Shqiptare u pajis me bateri KA 85 mm e mjete radioteknike më të sofistikuara, ndërsa në vitet 1957-1958 u pajis me bateri 57 dhe 100mm. Në vitet 1959-1969, në armatim futen edhe raketat e drejtuara, topat AKA 37 mm, topat 57mm dhe 100mm me drejtim automatik, mitralozët 14,5 mm me katër tyta, dhe me radarë të zbulimit të largët. Në vitet ’70 kishte 22 regjimente të AKA, 18 batalione mitraliere AKA, që llogarisnin rreth 6 gryka zjarri për çdo kilometër të frontit”.

 Kolonel Thoma Lakra, ish-komisari i Divizionit të Xhenjos

100 mijë qendra zjarri në 5 vjet

Vlen të përmendet që tërë procesi i projektimit, prodhimit dhe montimit të mbi 100 mijë qendrave zjarri u bë për afro 4-5 vjet, (1975-1980). U bënë njëkohësisht qendrat e zjarrit të montuara me kërkesën e Mehmet Shehut, të cilat iu nënshtruan eksperimentimit me qitje direkte me të gjithë kalibrat e armëve, ku u nxorën konkluzionet dhe reflektime në projektimin dhe prodhimin e tyre. Në Shqipëri u prodhuan dhe u montuan rreth 100 mijë qendra zjarri. Vitet me intensitet më të lartë kanë qenë 1976-1980.

 

Bazat e betonizuara

-Aerodromit të Gjadrit, i tunelizuar

-Baza e Shëngjinit të Tunelizuar

-Baza në Porto Palermo

-Tunelizimi i Uzinës në Poliçan

-Tunelizimi i Bazës Ajrore në Kuçovë

-Depove të tunelizuar në Vermsh Gjerbes, Qafë -Shtamë

-Ndërtimi i Radiostacioneve për kohë lufte, në Bizë, Livadhe e Hamet, Puke, Teqe e Dushkut, Gramsh etj”.

 

LEONARD VEIZI/ DITA

Leonard Veizi

47