Nakba, dhimbja që nuk pushon nga viti 1948

Nakba (Katastrofa e Madhe), që është simbol i migrimit të detyruar, plaçkitjes dhe vrasjeve, paraqet një dhimbje për palestinezët e cila nuk ka pushuar prej plotësisht 69 viteve.

Shpallja e pavarësisë nga Izraeli më 15 maj të vitit 1948 në tokat historike palestineze ishte fillimi i serisë së katastrofave që vazhduan me dhjetëra vite për palestinezët.

Gjatë kësaj periudhe, e cila vazhdon deri në ditët e sotme, pjesa më e madhe e tokave palestineze u pushtuan, mijëra palestinezë u vranë në mënyrë sistematike, afër një milion persona u dëbuan nga vendlindja e tyre, 675 fshatra u asgjësuan, ndërsa disa qytete u hebreizuan.

Izraeli, që ka zgjeruar pushtimin që nga Nakba e deri më tani, aktualisht mban të zaptuar 85 përqind të territoreve historike palestineze në sipërfaqe prej 27 mijë kilometrash katrorë.

Nga ana tjetër, Izraeli vazhdon me ndërtimin e vendbanimeve ilegale hebrenje në Jerusalemin Lindor dhe Bregun Perëndimor të cilat i pushtoi në vitin 1967.

Personi i parë që emëroi me termin Nakba ditën kur qindra palestinezë u dëbuan nga vendlindja dhe u shndërruan në refugjatë njihet historiani sirian Konstantin Zurajk, një nga teoricienët më të rëndësishëm të nacionalizmit arab.

Pas botimit të librit të Zurajkut me titullin “Çfarë kuptimi ka Nakba?”, ky emër u identifikua me 15 Majin. Më çdo 15 maj, në katër anët e botës organizohen protesta me rastin e Nakbas.

Afër një milion palestinezë u dëbuan

Nakba, që ka kuptimin “Katastrofa e Madhe”, perceptohet në mënyrë të kundërt te palestinezët dhe izraelitët.

Teksa për izraelitët 15 Maji është dita e “themelimit të shtetit”, për palestinezët kjo ditë kujton ditën kur 957 mijë persona, apo 67 përqind e popullatës palestineze, u dëbuan me forcë nga vendlindja dhe paraqet serinë e katastrofave që kanë vazhduar deri më sot.

Që nga ajo ditë, së bashku me rritjen e popullatës, edhe numri i refugjatëve palestinezë në mbarë botën ka arritur në 5,9 milionë, prej të cilëve 5,3 milionë janë të regjistruar në Agjencinë Humanitare për Palestinezët pranë Kombeve të Bashkuara (UNRWA).

U asgjësuan 675 fshatra dhe qyteza të vogla

Gjatë Nakbas, forcat izraelite asgjësuan 675 fshatra dhe qyteza të vogla dhe vranë mijëra palestinezë. Ndërkaq, shumë qytete historike palestineze u hebreizuan.

Fiset beduine që jetonin në rajonin Negev u dëbuan nga vendlindja. Po ashtu, u shënjestrua edhe identiteti kulturor, duke u ndryshuar emrat e rajoneve të banuara.

Mbi pesë milionë palestinezë jetojnë në kampe refugjatësh

Mijëra palestinezë të dëbuar gjatë Nakbas vazhdojnë të jetojnë në kushte të rënda në 61 kampe refugjatësh të krijuara brenda dhe jashtë vendit.

Vetëm në Gaza, një nga vendet ku palestinezët janë strehuar në mënyrë më të dendur, gjenden tetë kampe refugjatësh. Kampi i refugjatëve Xhibalija, që gjendet në veri të Rripit të Gazës që gjendet nën bllokadë nga Izraeli, strehon 108 mijë palestinezë. Xhibalija, kampi më i madh në rajon, njihet si vendi ku shpërtheu Intifada Palestineze në vitin 1987.

Ndërkaq, me mijëra palestinezë të tjerë jetojnë në kampet e tjera në Bregun Perëndimor.

Nga ana tjetër, në Liban ndodhen 12 kampe, në Jordani dhjetë, kurse në Siri po ashtu 12 kampe refugjatësh në të cilat janë strehuar palestinezët.

Nakba daton para dy shekujve

Thuhet se farat e para të Nakbas “janë hedhur me idenë e gjeneralit francez Napoleon Bonaparte, janë formësuar me Deklaratën e Balfurit, kurse më në fund janë konkretizuar nga kryeministri i parë izraelitë Ben Gurion.

Në vitin 1799, Napoelon Bonaparte solli idenë për krijimin e një shteti hebre në Palestinën që atëbotë ishte nën administrimin osman. Në periudhën që pasoi, u mundësua migrimi i hebrenjve në grupe drejt Palestinës nga katër anët e botës. Në këtë mënyrë, u përgatit terreni për zaptimin e territoreve palestineze nga hebrenjtë cionistë.

Përkundër të gjitha përpjekjeve osmane për ta penguar këtë proces, migrimi hebre në Palestinë vazhdoi. Gjenerali anglez Edmund Allenby, në dhjetor të vitit 1917 pushtoi Jerusalemin dhe në këtë mënyrë i dha fund varësisë palestineze nga shteti osman i cili humbi gjatë Luftës së Parë Botërore dhe hapi terren aktivitetesh për cionistët.

Me hyrjen e rajonit nën mandatin britanik, migrimi hebre drejt Palestinës u përshpejtua. Me Deklaratën e Balfurit, e cila u publikua nga Ministria e Jashtme e Britanisë në vitin 1917 dhe e cila parashihte themelimin e një shtete të hebrenjve në Palestinë, britanikët shpallën mbështetjen e tyre për krijimin e Izraelit.

Nga mandati britanik drejt Nakbas

Më 29 nëntor të vitit 1947, në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së u miratua rezoluta që parashihte ndarjen e shtetit hebre dhe palestinez. Teksa shtetet arabe me në krye Palestinën kundërshtuan rezolutën, cionistët e përshëndetën atë.

Një ditë pas vendimit të ndarjes, organizata-banda e armatosur e themeluar nga cionistët dhe e quajtur Haganah, zaptoi rajonet e përgatitura për vendosjen e hebrenjve. Me të mbaruar administrata e mandatit britanik në Palestinë, organizatat e armatosura më 14 maj të vitit 1948 njoftuan për themelimin e shtetit izraelit nga David Ben Gurion.

Kështu, u përshpejtua migrimi hebre drejt territoreve “të caktuara për ta”, gjë të cilën nuk mundën ta pengojnë as luftrat mes Izraelit dhe ushtrisë arabe the krijuar nga Egjipti, Siria, Iraku, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Jordania.

Kjo luftë përfundoi me pranimin e Izraelit si anëtar i plotë i OKB-së më 3 mars të vitit 1949. Izraeli u njoh nga SHBA-të dhe më pas edhe nga shumë shtete të botës.

Pretendimi i Cionizmit

Si “arsyetime” të cionistëve për pushtimin spikasin tri pretendime të tyre.

I pari nga këto ishte ideja “tokë pa popuj për një popull pa tokë” e shkrimtarit Israel Zangwill, me të cilën u arsyetua pushtimi dhe u mohua ekzistenca palestineze.

Pretendim i dytë i cionistëve është se “shteti izraelit” ka ekzistuar në këto troje qysh para 2.070 viteve.

Ndërkaq, pretendimi i tretë ishte se “palestinezët kanë shitur tokat e tyre dhe kanë braktisur vullnetarisht vendlindjet”, pretendim i cili është paraqitur vazhdimisht nga Izraeli dhe i cili ka gjetur mbështetje ndërkombëtare, duke shpërfillur masakrat dhe deportimet ndaj palestinezëve.

Ndërtimi i shtetit izraelit

Në konferencën cioniste të organizuar në vitin 1897 nën kryesimin themeluesit të idesë cioniste moderne, Theodor Herzl, u caktuar principet e shtetit të ri që do të formohej.

Që nga ky çast, thuhet se “Cionizmi u bë lëvizje politike kolonialiste që nuk përvetëson ide jo fetare, por nacionaliste, dhe që i shërben kolonizimit imperialist dhe racist”.

Herzl u përpoq të merrte miratim ndërkombëtar për projektin e themelimit të shtetit hebre. Ai nuk arriti ta bindte padishahun e atëhershëm osman, Sulltan Abdylhamitin II, “për sigurimin e territorit në Palestinë për hebrenjtë”, ndërsa arriti që mbështetjen që kërkonte ta gjente te Britania.

E drejta e palestinezëve për kthim

Palestinezë të shumtë që vazhdojnë jetën në kampe të refugjatëve dhe në vende të ndryshme të botës, në çdo rast theksojnë se fytyrat i kanë të kthyera kah Palestina, të cilën e përkufizojnë si “parajsë e vjedhur”.

Nga ana tjetër, Izraeli refuzon zbatimin e rezolutës 194 të OKB-së që parasheh kthimin e refugjatëve palestinezë që dëshirojnë të jetojnë në paqe me fqinjët në shtëpitë e tyre.

Për miliona palestinezë që jetojnë jetë syrgjyni prej dhjetëra vitesh, Nakba (Katastrofa e Madhe) vazhdon të jetë simbol i migrimit të detyruar, plaçkitjes dhe masakrave. / AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne