Përkundër se po bëhen më shumë se 15 ditë që kur Marko Gjuriq u arrestua në Mitrovicën e Veriut, mediat serbe po vazhdojnë të merren me këtë rast.
Së fundi agjencia e lajmeve serbe Beta i ka kushtuar një artikull këtyre zhvillimeve duke siguruar raportime brenda aleancës së NATO-s.
Sipas kësaj agjencie drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në Serbi, Marko Gjuriç kishte hyrë pa leje në Kosovë më 26 mars, e si rezultat u arrestua.
“Gjuriq nuk ka vepruar në përputhje me procedurën e nevojshme për shkak se e ka dërguar kërkesën pas orës 17:00 të premten, atëherë kur zyrtarët shtetëror nuk janë në punë. Dhe lista e shoqëruesve të tij nuk ishte e plotë, që do të thotë procedura nuk është respektuar”, kanë thënë zyrtarët e NATO-s.
Madje zyrtarë të NATO-s lavdëruan Policinë e Kosovës për veprimin profesional.
NATO në një mënyrë ka përgëzuar Policinë e Kosovës, duke thënë se “kjo situatë, dukej e habitshme por përfundoi mirë. U kuptua se policia speciale e Kosovës është shumë profesionale”.
“EULEX-i nuk ndërhyri si forcë e dytë, e as KFOR-i si forcë e tretë. Që tregon se kosovarët arritën ta zgjidhin situatën”, thonë burimet e Aleancës së NATO-s.
“Kosova është në rrugën e mirë për tu pjekur, sepse nëse KFOR-i do të ndërhynte nuk do të ishte në rregull. Kosova ishte në gjendje ta zgjidhte një situatë që ka kaluar në kufirin e saj”, thonë burimet.
Por, zyrtarë të kësaj aleance, gjithnjë sipas Betës, kanë thënë se Policia në veri është dërguar pa lejen e KFOR-it.
Sipas tyre, informimi i KFOR-it është pjesë e marrëveshjes së Brukselit.
“Për ndërhyrjen e policisë në Veri të Kosovës nuk ishte informuar KFOR-i, Kosova do të duhej të kërkonte leje pasi është pjesë e marrëveshjes së Brukselit. NATO kërkon nga dy shtetet që t’i respektojnë këto marrëveshje”, thonë burimet e kësaj agjencie të lajmeve.
Zyrtarë të kësaj aleance tutje ka thënë se në gjithë këtë rast mund të jetë e përfshirë edhe Rusia, që është e interesuar për destabilizim në Ballkan.
Burimet nga Brukseli gjithashtu kanë kërkuar nga dy shtetet që ta vazhdojnë dialogun në Bruksel dhe të zbatojnë të gjitha marrëveshjes.