NATO po e kthen Evropën në një fushë beteje kundër Rusisë

Fushatë zgjedhore në Itali. NATO tashmë ka votuar para nesh.

nga Manlio Dinucci.

Ekziston një parti e cila edhe nëse nuk duket, merr pjesë në zgjedhjet italiane: Partia e NATO-s. Ajo formohet nga një shumicë e tërthortë, që në mënyrë eksplicite ose në heshtje mbështet anëtarësimin e Italisë në Aleancën e Madhe nën komandën e SHBA-së.

Kjo shpjegon atë se në kulmin e fushatës zgjedhore, partitë kryesore pranuan në heshtje angazhimet shtesë të ndërmarra nga qeveria në takimin e 29 ministrave të Mbrojtjes të NATO-s (për Italinë Roberta Pinotti), më 14-15 shkurt në Bruksel.

Ministrat fillimisht morën pjesë në Grupin e Planifikimit Bërthamor të NATO-s, i kryesuar nga Shtetet e Bashkuara, vendimet e të cilëve gjithmonë janë sekrete.

Pastaj ministrat u takuan në nivelin e Këshillit të Atlantikut të Veriut. Vetëm dy orë më vonë, ata shpallën vendime të rëndësishme (të vendosura gjetkë) për “modernizimin e Strukturës së Komandës së NATO-s, shtyllën kurrizore të Aleancës sonë”.

Do të ngrihet një Komandë e re e Forcave të Përbashkëta për Atlantikun, me gjasë e pozicionuar në Shtetet e Bashkuara, për të “mbrojtur linjat detare të komunikimit midis Amerikës së Veriut dhe Evropës”. Kështu ata shpikën skenarin e nëndetëseve ruse që mund të mbytin anijet tregëtare në rrugët transatlantike.

Një komandë e re për logjistikën do të ngrihet, ndoshta e vendosur në Gjermani, për të “përmirësuar lëvizjen në Evropë të trupave dhe pajisjeve thelbësore për mbrojtjen tonë kolektive”. Kështu ata shpikën skenarin e një NATO-je që detyrohet të mbrojë veten nga një Rusi agresive. Përkundrazi, NATO është aq agresive sa forcat e veta ushtarake i ka vendosur përgjatë kufirit me Rusinë. Reparte shtesë të komponentëve tokësorë do të krijohen në Evropë për të “përmirësuar më tej koordinimin dhe reagimin e shpejtë për forcat tona”.

NATO gjithashtu do të ngrejë një qendër operacionale kibernetike të re “për të forcuar më tej mbrojtjen tonë”. Ajo do të vendoset me seli në Mons (Belgjikë), dhe do të drejtohet nga Komanda Supreme e Forcave Aleate në Evropë, ku gjithmonë të parin ka nje gjeneral të emëruar nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara.

Ministrat konfirmuan angazhimin e tyre për të rritur shpenzimet ushtarake. Gjatë tre viteve të fundit, aleatët evropianë dhe Kanadaja e kanë rritur atë me gjithsej 46 miliard dollarë, megjithëse ky është vetëm fillimi. Qëllimi është që çdo vend anëtar të arrijë të paktën tek 2 përqindëshi i të GDP-së (SHBA shpenzon 4%), në mënyrë që të ketë “më shumë para dhe si rezultat më shumë aftësi ushtarake”.

Vendet evropiane që deri më tani kanë arritur dhe tejkaluar këtë kuotë janë: Greqia (2.32%), Estonia, Britania e Madhe, Rumania dhe Polonia. Shpenzimet ushtarake të Bashkimit Evropian duhet të jenë në pajtueshmëri me atë të NATO-s. Kjo u përsërit edhe në një takim me përfaqësuesen e jashtme të BE-së Federica Mogherini.

Ministri Pinotti konfirmoi se “Italia, duke respektuar kërkesën e SHBA-së, ka filluar të rrisë shpenzimet për Mbrojtjen” dhe se “ne do të vazhdojmë në këtë rrugë e cila është një rrugë përgjegjësie”.

Prandaj ndiqet kjo rrugë. Por kjo nuk është diskutuar në fushatën elektorale. Ndërsa për anëtarësimin e Italisë në Bashkimin Evropian partitë kryesore mbajnë pozicione të ndryshme, për përkatësinë e Italisë në NATO praktikisht janë unanim. Kjo e shtrembëron gjithë skenarin.

Nuk mund të diskutojmë për Bashkimin Evropian, duke injoruar që 21 nga 27 vende të BE-së (pas Brexit), me rreth 90% të popullsisë së unionit, janë anëtarë të NATO-s nën komandën e SHBA-së.

Ne nuk mund t’i shpërfillim pasojat politike dhe ushtarake, si dhe pasojat ekonomike, shoqërore dhe kulturore të faktit se NATO po e kthen Evropën në një fushë beteje kundër Rusisë, e përshkruar si një armik kërcënues: “Perandoria e re e së keqes” që sulmon “demokracinë më të madhe në botë “nga brenda me ushtrinë e rrjetit./ globalresearch/ilmanifesto/Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne