Ndërmjetësim rus midis Arabisë Saudite dhe Iranit? Cilat janë shanset e suksesit të tij?

Përse ndodhi një javë pas vizitës së mbretit Selman në Moskë? Përse Putini është bërë “udhëheqësi i vetëm” në Lindjen e Mesme? Si e arriti ai këtë “udhëheqje”?

Abdul-Bari Atuan

Rajoni i Lindjes së Mesme po dëshmon një proces ndryshimi “gjeopolitik”, i cili mund të bëhet titulli më i rëndësishëm në dekadat e ardhshme duke abroguar të gjitha ekuacionet dhe duke krijuar një sistem të ri sigurie dhe politik.

Presidenti rus, Vladimir Putin, është bërë “udhëheqës” i rajonit dhe në një periudhë të shkurtër kohe mundi të mbushë boshllëkun e shkaktuar nga tërheqja amerikane nga më shumë se një front, qoftë si rezultat i disfatave apo edhe vullnetarisht, pas rënies së varësisë amerikane nga nafta e Lindjes së Mesme si rezultat i naftës shkëmbore lokale apo burimeve të tjera të afërta, si dhe i shfaqjes së disa fuqive botërore e rajonale që i japin fund monopolit amerikan të çatisë së botës.

Aleatët tradicionalë të Amerikës në Lindjen e Mesme, të tilla si Mbretëria e Arabisë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Turqia dhe Jordania, janë duke treguar një dëshirë të shpejtë për forcimin e lidhjeve ushtarake dhe ekonomike me Moskën. Vizita e fundit e zhvilluar nga monarku saudit Selman bin Abdul Aziz në krye të një delegacioni të madh, e para e llojit të saj në historinë e marrëdhënieve midis dy vendeve, nuk rezultoi vetëm me marrëveshje dhjetëra miliardë dollarëshe, por ka qenë hapi i parë drejt një aleance strategjike midis dy prodhuesve më të mëdhenj të naftës në botë, njëra brenda OPEC-ut dhe tjetra jashtë.

***

Trekëndëshi më i rëndësishëm dhe më i shquar në rajon aktualisht përbëhet nga tre vende, Rusia, Turqia dhe Irani. Ky është trekëndëshi që pasqyron hartën e realitetit të ri dhe shënon fillimin e fundit të dominimit perëndimor të udhëhequr nga Amerika. Udhëheqësia amerikane është duke u gërryer dhe po i afrohet fundit të saj, mjafton t’i referohemi njërit prej kapitujve më të rëndësishëm të vizitës së monarkut saudit në Moskë, nënshkrimit të marrëveshjes së blerjes dhe dislokimit të raketave ruse “S-400” me kapacitet saktësie të lartë në goditjen e objektivave, si dhe reagimi i hutuar amerikan ndaj saj – pra, nxitimi i miratimit për t’i shitur Rijadit sistemin mbrojtës raketor “THAAD” dhe heqja e shumë kushteve që kishin lidhje me të, fare pak ditë pas kësaj vizite.

Presidenti Putin dëshiron të shtojë një brinjë të re në trekëndëshin e lartpërmendur, Mbretërinë e Arabisë Saudite, në mënyrë që të kthehet në një “katror”. Por kjo ambicie mund të realizohet dhe të japë fryte vetëm pas përmirësimit të marrëdhënieve midis dy prej brinjëve më të rëndësishme, përkatësisht Mbretërisë së Arabisë Saudite dhe Iranit, si dhe zhdukjes së tensioneve në marrëdhëniet mes tyre.

Në këtë kontekst, nuk ishte surprizë për ne deklarata e Mikhail Bogdanov, zëvendësministrit të Jashtëm rus, të mërkurën në lidhje me gatishmërinë e vendit të tij për të ndërmjetësuar për rikthimin e marrëdhënieve iraniane-saudite në trajtën e tyre normale, si dhe fjala e tij: “Jemi përpjekur disa herë në të kaluarën t’i mbledhim të dy vendet në tryezën e dialogut, por ato përpjekje nuk janë kurorëzuar me sukses.”

Kjo është një nismë ruse, e cila nuk do të ishte ndërmarrë nga presidenti Putin pa marrë dritën jeshile nga mysafiri i tij saudit (mbreti Selman) gjatë vizitës së tij të fundit në Moskë, apo të paktën pa hasur në një miratim paraprak për një lëvizje të tillë.

Ka interes në normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve – edhe nëse është në kufijtë e tij minimalë – si dhe në qetësimin e tensioneve në më shumë se një vend. Pengesa kryesore që i vuri këto dy vende në dy hendeqe të kundërta dhe ndërluftuese, domethënë kriza siriane, është afër përfundimit, në mos pastë përfunduar realisht.

Irani është në zemër “të një lufte të ftohtë” me administratën Trump – që dëshiron të tërhiqet nga dosja bërthamore – dhe mund të transformohet (d.m.th. lufta e ftohtë) në një luftë të nxehtë, madje të zjarrtë, në qoftë se kjo administratë do ta vendosë Gardën Revolucionare Iraniane në listat amerikane të terrorizmit.

Nga ana tjetër, Arabia Saudite është duke zhvilluar një luftë të përgjakshme pa fund në Jemen – kostot financiare dhe njerëzore të së cilës janë shumë të larta – që i shkakton asaj një siklet ndërkombëtar, i cili e ul imazhin e saj në rajon dhe në botë. Ajo nuk ka pasur aspak sukses në zgjidhjen e saj ushtarakisht dhe nuk i mbetet asnjë opsion tjetër përveç se të trokasë në disa dyer, mes të cilave edhe në derën iraniane, mbështetësi më i shquar i popullit jemenas. Ka edhe palë të tjera – mes të cilave edhe i dërguari ndërkombëtar z. Ismail Ould-Sheikh – që e kanë këshilluar Riadin me këtë orientim. Z. Ould-Sheikh e ka vizituar Teheranin më shumë se një herë. Në qoftë se Irani nuk ka të bëjë aspak me këtë dosje, atëherë pse e viziton ai atë?

***

Udhëheqja saudite filloi të kryejë disa rishikime të rëndësishme në shumë prej politikave dhe qëndrimeve të saj gjatë tre viteve të fundit, për shkak të zhgënjimit të saj nga aleati amerikan në më shumë se në një front, së fundi në mosmarrëveshjen me shtetin e Katarit. Këto rishikime u reflektuan në nivelin e politikës së jashtme nëpërmjet vizitës së monarkut saudit në Moskë para Uashingtonit, blerjes së armëve ruse dhe hapjes së pritshme fillestare ndaj ndërmjetësimit rus për normalizimin e marrëdhënieve me Iranin.

Nuk duam të nxitojmë dhe të lëshojmë gjykime përfundimtare ndaj kësaj nisme të re ruse, për shkak se një palë e jashtme, në veçanti Amerika, nxitoi të dështojë iniciativa të ngjashme, e fundit të të cilave konsistoi në marrëveshjen për shkëmbimin e delegacioneve diplomatike mes tyre për të inspektuar ambasadat, nismë kjo e cila erdhi në kuadër të hapjes saudite ndaj aleatëve të Iranit në Irak, si dhe – në mënyrë specifike – ndaj udhëheqësve të komunitetit shiit.

Lufta e Jemenit është ngërçi më i madh që po përjeton aktualisht Arabia Saudite dhe litari i shpëtimit mund të ndodhet në Moskë, e cila ka një marrëdhënie të fortë me Iranin dhe me palët e tjera të konfliktit në Jemen. A do ta bëjë ajo këtë, ta kapë këtë moment historik dhe të karakterizohet nga pragmatizmi i kërkuar politik?

Ia lëmë përgjigjen ditëve dhe javëve të ardhshme, në pritje të reagimeve iraniane e saudite ndaj kësaj nisme ruse “jo të papritur”, ndoshta edhe të mirëmenduar.

*Analizë e publikuar më datë 11.10.2017 në gazetën elektronike “Ra’jul Jeum”./ PT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne