Ndërpritet seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës

Për disa orë është ndërprerë seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, ku pa praninë e deputetëve të opozitës po shqyrtohet propozim-vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për emërimin e ekipit negociator për dialogun për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

Seanca e jashtëzakonshme, e propozuar nga kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, u bojkotua nga partitë opozitare, ku përveç deputetes nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Tetua Rugova, deputetët e opozitës nuk ishin të pranishëm.

Haradinaj në fillim të seancës prezantoi ekipin negociator të përfaqësuar nga qeveria për dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, ku bëri të ditur se ky ekip do të kryesohet nga zëvendës kryeministri Fatmir Limaj dhe se anëtarë të tij nga qeveria do të jenë Enver Hoxhaj si zëvendëskruesues, kurse Behxhet Pacolli, Dardan Gashi, Mahir Yagcilar dhe Avni Arifi si anëtarë.

“Po ashtu në këtë ekip rezervohen vendet për përfaqësuesit e opozitës, përfaqësues nga LDK (Lidhja Demokratike e Kosovës), VV (Lëvizja Vetëvendosje), PSD (Partia Socialdemokrate), Alternativa dhe nga shoqëria civile”, tha kryeministri Haradinaj.

Kurse Bilall Sherifi, shefi i grupit parlamentar të Nismës Socialdemokrate shprehu mbështetjen për propozimin e Qeverisë së Kosovës, mirëpo sipas tij tanimë ka dy segmente apo axhenda për dialogun, ajo e qeverisë që thotë se nuk do të negociohet për territorin e Kosovës dhe ajo e presidentit Thaçi, i cili sipas Sherifit publikisht deklaron se bisedimet duhet të zhvillohen në atë drejtim që të mos përjashtohet as korrigjimi i kufirit. Sipas Sherifit këto dy komponentë duhet të shkrihen në një platformë të vetme.

Deputetja Donika Kadaj Bujupi nga partia në pozitë AAK kërkoi që në propozimin e qeverisë të përfshihen edhe dy pika shtesë, të cilat sipas saj me vija të trasha do të jenë një platformë për ekipin negociator.

“E para territori i Republikës së Kosovës është një dhe i pandashëm dhe askush nuk ka mandat të negociojë për territorin e Republikës dhe e dyta ekipi negociator obligohet të raportojë në Kuvend pas çdo rundi të bisedimeve”, tha ajo.

Pas diskutimeve nënkryetari i Kuvendit dhe kryesuesi i seancës, Xhavit Haliti, kërkoi një pauzë 15-20 minutëshe për konsultime, mirëpo Kuvendi i Kosovës në një njoftim me shkrim bëri të ditur se me kërkesë të iniciuesit, seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit ka shkuar në pauzë deri në orën 16:30.

Partitë opozitare nuk morën pjesë duke e bojkotuar këtë seancë të thirrur nga kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj. Shefi i grupit parlamentar të partisë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës, Avdullah Hoti para fillimit të seancës tha se nuk do të marrin pjesë në këtë seancë duke u shprehur kjo është një përpjekje për ta prishur seancën e thirrur nga opozita. Ai shtoi se nuk ka pasur asnjë urgjencë që sot të thirret kjo seancë në orën 9:00 dhe se ka pasur mundësi të mbahet menjëherë pas mbarimit të seancës së thirrur nga opozita.

Ndryshe sot në orën 10:00 ishte paralajmëruar të mbahet seanca e dytë e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, të thirrur nga partitë opozitare, ku në rend të ditës ndodhet “Debati parlamentar lidhur me angazhimet e Presidentit të Kosovës për përfshirjen e ‘shkëmbimit të territoreve’ apo ‘korrigjim të kufijve’ në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë”.

Burimi: AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne