Nga Alba Skëndaj

Në vitin 2017 Berati ka shënuar një numër rekord turistësh që shkon më shumë se 60 mijë  me një mesatare qëndrimi në qytet 2.6 netë dhe me një mesatare shpenzimesh rreth 140 euro për turist. Por, kryetari i bashkisë, Petrit Sinaj, pranon se plehrat janë problemi emergjent i qytetit akoma i pazgjidhur…

Qyteti i Beratit, një nga pasuritë kulturore botërore të mbrojtura nga UNESCO, rekomandohet  në guidat turistike të gjithë Europës. Dhe sapo hyn në qytet, pikërisht tek Ura e Goricës, një monument kulture që lartësohet me gurë mbi shtratin e lumit Osum, shikon grupe të mëdha turistësh të huaj. Shumica janë të moshës së tretë, pensionistë nga Gjermania, Italia, Hollanda, etj.. që pëlqejnë turizmin kulturor, një turizëm që Berati ta ofron në çdo cep të tij.

Ata bëjnë foto përballë lagjes Mangalem, ku shtëpitë e vjetra të periudhës otomane me 1 mijë dritaret e tyre një mbi një, përthyejnë rrezet e diellit të ngrohtë të fillim tetorit.

Deri më tani, nga janari në shtator të këtij viti këtë qytet e kanë vizituar më shumë se 60 mijë turistë (të dhëna nga bashkia Berat), një rritje me 35 përqind nga vitet e shkuara. Sipas llogarive që ka bërë bashkia çdo turist kalon mesatarisht 2.6 netë në Berat dhe shpenzon mesatarisht 140 euro për person gjatë qëndrimit në qytet.

Një shifër shpresëdhënëse për zhvillimin ekonomik të qytetit në tërësi dhe rritjen e të ardhurave në sektorin e turizmit me të cilin ushqehet një pjesë e madhe e banorëve të këtij qyteti, duke menaxhuar bujtinat, duke shituar produktet artizanale, ose me baret e restorantet.

Por optimizmi për një të ardhme dhe më të ndritur të qytetit e prishin plehrat. Ky qytet nuk ka një landfill të mirëfillte dhe në lumin Osum hidhen mbetjet e gjithë zonës.

Turistët vetë thonë për Beratin: shumë i bukur, fantastik, por ka shumë plehra vërdallë, sidomos në brigjet e lumit Osum, i cili edhe në të gdhirë ka një ngjyrë  balte, jo ngjyrën e kaltër që duhej të kishte një lum i rrjedhshëm.

“Too much rubbish” (shumë plehra) thonë turistët me keqardhje, ndërsa duke uruar që kjo situatë të zgjidhet ata vendosin të mbyllin një sy dhe të shijojë bukuritë që ofron qyteti, blejnë punime artizanale, apo provojnë ushqimet e shijshme që gatuhen në këtë zonë.

Menaxhimi i plehrave është një problem i njohur dhe akoma i pazgjidhur, këtë e pranon dhe kryetari i Bashkisë, Petri Sinaj. Duke folur me grupin e gazetarëve që ka mbërritur në Berat  për të parë nga afër  zbatimin e disa projekteve nga zyra e UNDP-së me financim të Bashkimit Europian, Sinaj, premton se kjo situatë do të zgjidhet për 2 vjet.

Sipas tij Bashkia Berat pret që të zbatojë një projekt të madh financuar nga qeveria zvicerane dhe qeveria gjermane përmes projekteve të SECO dhe KFV.  Ky projekt konsiston në ngritjen e një landfilli të ri që do të zgjidhë hallin për Beratin dhe 3 bashki të tjera aty afër, Ura Vajgurore, Kuçova dhe Skrapari.

Aktualisht bashkia e këtij qyteti i depoziton mbetjet në një vendgrumbullim të pozicionuar në hyrje të qytetit, buzë lumit Osum, një landfill i paligjshëm, siç pranon vetë kryebashkiaku.

Sinaj, i pyetur nga tesheshi.com, thotë se situata mjedisore tregon marrëdhënien që kanë qytetarët me mjedisin dhe pushteti lokal me mjedisin dhe përgjithësisht në Shqipëri kjo marrëdhënie është shumë e keqe. Por ai këmbëngul se është prioritet për këtë bashki zgjidhja e kësaj situate. Gjithashtu ai quan imediate trajtimin e ujërave të zeza dhe ujit të pijshëm, projekte që sipas Sinajt, janë në fazën përfundimtare të zgjidhjes.

I ekzaltuar me shifrat e vitit të fundit për turizmin, Sinaj, ka menduar të gjejë rrugë të tjera që ta nxisë këtë sektor.

“Bashkia Berat po diskuton mundësinë e heqjes së taksave për bizneset turistike që operojnë në lagjet e vjetra, Mangalem dhe Goricë, lagjet e frekuentuara kryesisht nga turistët. Heqja e taskave do t’u japë një nxitje për të përmirësuar shërbimin dhe për të bërë ndërhyrje dhe përmirësim në kushtet e bujtinave të cilat janë kryesisht shtëpi të vjetra, të mbrojtura si monumente kulture dhe kërkojnë shumë kujdes dhe shpenzime për t’u mirëmbajtur”.

Berati nuk të ofron vetëm turizmin kulturor dhe historik me kalanë dhe lagjet e vjetra të mbrojtura nga UNESCO, vendbanimet e lashta ilire,etj.. Ai është gjithashtu bujtës i turizmit aventuresk me ata që duan të bëjnë ecje në malin e Tomorrit, apo të vizitojnë kanionet e Skraparit, një tjetër atraksion që ka shtuar vizitorët vitet e fundit./ tesheshi

45