Në burgjet izraelite ndodhen 22 gazetarë palestinezë

Në burgjet izraelite ndodhen 22 gazetarë palestinezë nga të cilët 3 prej tyre janë femra, transmeton Anadolu Agency (AA).

Komiteti i Mbështetjes së Gazetarëve Palestinezë, në një deklaratë me shkrim me rastin e “17 Prillit, Dita e të Burgosurve Palestinezë” ka bërë të ditur se në burgjet e Izraelit, ndodhen 22 gazetarë palestinezë nga të cilët 3 prej tyre janë femra.

Për gazetarët në fjalë njoftohet se vetëm ndaj 7 prej tyre ka një vendim gjykate, ndërsa 4 janë të “arrestuar administrativë” dhe 11 ndodhen në paraburgim dhe janë në pritje për vendimin e gjykatës që do të jepet ndaj tyre.

“Izraeli okupues, po arreston gazetarët për arsyen se ata shprehin mendimet e tyre. Izraeli i gjykon këta gazetarë në gjykatat ushtarake në kundërshtim me konventat ndërkombëtare mbi lirinë e shtypit”, thuhet në deklaratën e publikuar nga Komiteti i Mbështetjes së Gazetarëve Palestinezë.

Izraeli vetëm këtë vit ka dhënë vendime të arrestimit administrativ për 6 gazetarë, thuhet në deklaratën ku raportohet se gazetarët përballen me shkelje të ndryshme, të tilla si arrestimi administrativ, burgimi i përjetshëm, ngacmime psikologjike, mbajtje në burg pa gjyq, arrest shtëpiak, neglizhencë mjekësore si dhe tortura gjatë paraburgimit.

Fotoreporteri i AA-së Kharouf ndodhet ende në paraburgim

Në deklaratë reagohet edhe për arrestimet dhe më pas dëbimet e gazetarëve nga vendet ku ata jetojnë kryesisht si në shembullin e fotoreporterit të AA-së Mustafa Kharouf.

Forcat Izraelite më 22 janar arrestuan fotoreporterin e AA-së Mustafa Kharouf në shtëpinë e tij në Kudsin Lindor me arsyetimin se “nuk ka leje qëndrimi”. Gjykata në seancën e fundit të zhvilluar më 31 mars vendosi zgjatjen e paraburgimit të tij deri më 5 maj 2019.

Izraeli me arsyetimin se nuk ka leje qëndrimi dëshiron ta dërgojë në Jordani duke e dëbuar me forcë fotoreporterin e AA-së nga Kudsi Lindor në të cilin ai ka lindur dhe ka jetuar për shumë vite bashkë me familjen e tij.

Sipas burimeve zyrtare të Palestinës, në burgjet izraelite janë rreth 5,700 palestinezë, nga të cilët rreth 500 janë të burgosur administrativë dhe 230 janë fëmijë. /AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne