Në Çarshinë e Shkupit hapet Instituti i parë i Hifzit në vend

Në një objekt në Çarshinë e Vjetër të Shkupit është hapur Instituti i parë i Hifzit në Maqedoni, i cili do të veprojë në kuadër të Myftinisë së Shkupit pranë Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë (BFI). Instituti është emëruar “Hafiz Ismail ef. Alievski”, hafizi i ndjerë i cili ka kontribuar në mënyra të ndryshme për organizimin e jetës fetare.

Ceremonia e hapjes së Institutit të Hifzit u mbajt para xhamisë Murat Pasha, në afërsi të së cilës ndodhet edhe objekti i këtij instituti. Të pranishëm në ceremoni ishin myftinitë e qyteteve të Maqedonisë, kryetari i Komunës së Çarit, Visar Ganiu, këshilltari i çështjeve fetare në Ambasadën e Turqisë në Shkup, Murat Alkan, si dhe shumë mysafirë dhe qytetarë të vendit.

Myftiu i Shkupit, Qenan Ismaili, tha se qyteti i Shkupit është dalluar në të kaluar dhe vazhdon të dallohet me nxjerrjen e hafizëve ndërsa ky Institut i Hifzit do të kontribuojë në rritjen dhe zhvillimin e hifzit në këtë rajon.

“Ndoshta në periudhat e mëhershme, ndoshta me shumë vështirësi, por në periudha të njëpasnjëshme ka vazhduar zinxhiri i bartësve dhe mbrojtësve të fjalës së All-llahut”, u shpreh Ismaili.

Ndërkaq, kreu i BFI-së, Sulejman Rexhepi, nga ana e tij, tha se “Hapja e këtij instituti, ndoshta si godinë është e vogël, por punën do ta ketë shumë të madhe”, duke shprehur bindje se në të ardhmen do të investohet edhe për hapësirë më të madhe të godinës së institutit.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, theksoi se instituti i hifzit është një arritje e madhe për të ardhmen e shëndoshë të fëmijëve.

“Instituti për memorizimin e Librit tonë të shenjtë nga ku do të dalin hafiz të shumtë është ura më e sigurtë që ndërtojmë drejt të ardhmes tonë përparimtare”, u shpreh Ganiu.

– Kush ishte Hafiz Ismail Osman Alievski?

Hafiz Ismail Osman Alievski lindi më 10 mars të vitit 1935 në Dllëg të Kumanovës, ndërsa nga vendlindja e tij u shpërngul në vitin 1954 dhe u vendos në Shkup. Ai buron nga një familje me tradita të larta fetare dhe Kur’anin e mësoi vetëm për dhjetë muaj ndërsa përsëritjen dhe përforcimin edhe për tetë muaj shtesë.

Vite të tëra punoi në BFI dhe njëkohësisht ishte arkëtar në Myftininë e Shkupit.

Hafiz Alievski po ashtu 33 vite me radhë lexoi mukabele në Bosnjë e Hercegovinë dhe falte namazin e teravisë me hatme në xhaminë Begova në Sarajevë. Ky njeri i cili nga leximi i rrjedhshëm dhe zëri i tij kumbues ishte i kërkuar në vend dhe më gjerë ndërroi jetë në vitin 2011 në Shkup.

Burimi: AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne