NË EMËR TË SË VËRTETËS

 

Nga: Salim Kadri Kerimi, Shkup

 

A është e vërtetë se gjoja edhe albanologu shqiptar Eqrem Çabej e paska mbështetur tezën për jo autoktoninë e shqiptarëve? A është e vërtetë se, përsëri gjoja sipas tij, gjuha e sotme shqipe nuk paska as çfarë lidhshmëri me ilirishten?

Pa dashur të polemizoj me tezat e z.Kapllan Buroviqit rreth çështjes së autoktonisë të shqiptarëve, që ishin të prezantuara në emisionin e gazetarit maqedonas z.Vasko Evtov (“Vo centar“, TV “Allfa“, 15 prill 2018), në emër të së vërtetës, rreth qëndrimit të albanologut – akademik Eqrem Çabej, në lidhje me çështjet në fjalë, në vazhdim të këtij artikulli janë të transmetuara disa vlerësime dhe konkluzione të z.E.Çabejt që janë të prezantuara në një artikull të tij, deri vonë të pa njohur për publikun e gjerë. Artikullin në fjalë me titull: “Mbi tezën ilire e pellazge“, që e posedon vajza e akademikut Çabej – znj.Brikena Çabej, në Veb. portalin DITA, më 11 qershor 2017, për herë të parë, me titull: Eqrem Çabej, një shkrim i panjohur për origjinën e gjuhës shqipe, e publikoj shkrimtari z.Moikom Zeqo.

Në këtë artikull, të pregaditur diku në vitin 1977, në lidhje me dy çështjet e lart përmendura, qëndrimet e z.E.Çabejt janë tërësisht ndryshe nga ato, që në emër të tij, tentoi ti prezantojë K.Buroviqi. Me fjalë të tjera, përkundër insistimit të z.K.Buroviqit se, gjoja edhe sipas z.E.Çabeut, shqiptarët e sotëm nuk kanë asçfar lidhshmërie me ilirët, se ata nuk janë autoktonë, dhe se gjuha e sotme shqipe nuk ka asçfarë lidhshmërie me gjuhën që e kanë folur ilirët, në artikullin në fjalë, mes tjerash, janë të prezantuara edhe këto vlerësime dhe konkluza të Eqrem Çabejt:

“Shqiptarët janë autoktonë ose anas në Gadishullin Ballkanik, duke qenë që rrojnë aty që nga kohët e lashta parahistorike. Ata janë bashkë me grekët populli më i moçëm i kësaj treve, janë trashëgimtarë të situatës etnike të periodës së lashtë në këtë pjesë të Europës Juglindore“.

Në pyetjen, prej cilit popull të lashtë të këtij gadishulli pra rrjedhin shqiptarët e sotëm?, Eqrem Çabej e jep këtë përgjigje:

“Në shekullin e kaluar u përhap shumëkund hipoteza se shqiptarët ishin stërnipët e pellazgëve….. Teoria pellazge ndërkaq më vonë ra poshtë“.

“Duke u nisur nga një platformë më reale, për sqarimin e problemit të burimit, do t’i sillemi pikësëpari historisë si vazhdim i situatës parahistorike në Gadishull të Ballkanit. Kjo trevë e Evropës Jugore, në periodën antike ka qenë e banuar prej disa popujsh, popuj të ndryshëm nga ata të sotmit dhe të ndryshëm edhe nga njëri-tjetri. Dihet se në viset perëndimore të Gadishullit kanë banuar ilirët, në viset lindore trakasit, në anët jugore grekët, në qendër makedonët, të cilët kanë qenë të ndryshëm nga grekët edhe me një gjuhë më vete, sipas Herodotit me ‘gjuhë barbare’, d.m.th. jogreke. ….. Në këtë mes shtrohet pyetja se prej cilit nga këta popuj zbresin shqiptarët, prej cilës nga gjuhët e tyre rrjedh gjuha shqipe. …. Në këto rrethanat dy janë popujt që vijnë në vështrim si të parët e shqiptarëve, ilirët dhe trakasit“;

“… Duke lënë mënjanë përhapjen e tyre në kohët parahistorike, në periodën historike ata shtriheshin që nga anët e Istrisë afër Triestës në veriperëndim e nga viset afër brigjeve të Danubit në veri gjer në gjirin e Artës së Çamërisë në jug, …. Kështu fiset ilire banonin viset e sotme të Shqipërisë me Çamëri, të Malit të Zi, Bosnjes e Hercegovinës, Dalmacisë e Kroacisë, pra gjithë bregdetin lindor të Adriatikut me hinterlandin përkatës. Të fisit ilir kanë qenë pas gjithë gjasësh edhe mesapët e japigët e Apulisë në Itali Jugore. Në lindje fiset ilire mbërrinin gjer në anët e lumenjvet Vardar e Moravë në Maqedoni Veriore e në Kosovë, një trevë që në lashtësi quhej Dardania, dhe shtriheshin edhe në një pjesë të Serbisë së sotme. Në ato anë ilirët ishin kufi me fiset trake, vise-vise edhe duke u përzier me to“;

“Dimë p.sh. që koncepti edhe emri ilir erdhi e u përhap vetëm me kohë, duke dalë prej një popullsie me këtë emër e duke përfshirë edhe fise etnikisht e gjuhësisht të afra. Ky emër në epopetë e Homerit ende nuk shfaqet. Emri i ndonjë populli të veçantë, si ai i dardanëve dhe ai peonëve, të cilët në kohë historike kanë banuar në veri të makedonëve, del në skenë të historisë shumë më përpara se emri i përgjithshëm i ilirëve. Dihet gjithashtu që këta popuj të lashtë të Ballkanit, nën ndikimin e qytetërimit greko-romak, e sidomos me zotërimin e gjatë të Perandorisë Romake, me kohë pjesërisht u greqizuan, e për një pjesë të madhe u romanizuan. Me fjalë të tjera këta, pa u zhdukur si popuj, me kohë u asimiluan: lanë gjuhët e veta dhe morën vise-vise greqishten, vise-vise në pjesën më të madhe-latinishten….. Nëpër vise malore ndërkaq asimilimi nuk arriti të kryhej kryekrejet. Popullsitë vendase ruajtën më gjatë karakterin e tyre etnik dhe gjuhën e tyre. Ndonjëri nga këta popuj bile i shpëtoi gjer në fund romanizimit. Dëshmi e gjallë për këtë është populli shqiptar, i cili duhet të jetë pasardhës i njërit nga këta popuj (a fise) të paromanizuar“;

“Në këto kushte vetë arsyeja e thjeshtë shtyn të pranohet që populli shqiptar është vendës, autokton në këto anë, në mos qysh prej periodave të mugëta parahistorike, së paku që prej kohës antike e këtej. Këto dy arsye, arsyeja e banimit në teritorin e dikurshëm ilir dhe arsyeja e autoktonisë, shpien vetvetiu në mendimin që shqiptarët e sotëm janë stërnipët e fiseve ilire të jugut dhe që shqipja është vazhdimi i njërit nga dialektet e vjetra ilire. Mund të thuhet bile që barra e argumentimit më fort u bie atyre që mohojnë burimin ilir të popullit shqiptar e të gjuhës së tij se atyre që e pohojnë“;

“Në lidhje me këto nuk mund të jetë një gjë gand e e rastit edhe kjo, që emri i  fisit ilir Albanoi, që përmend astronomi e gjeografi Ptolemeu i Aleksandrisë së Egjiptit në shekullin e dytë të erës sonë në trevën midis Durrësit e maleve të Kandavisë në Shqipëri të Mesme, vazhdon të rrojë në Arbën Arbër, Arbënesh Arbëresh, emri i Shqipërisë e i shqiptarëve në mesjetë, i gjallë dhe sot e kësaj dite. Në pikëpamje gjuhësore këtyre rrethanave vjen e u shtohet ky fakt, që vazhdimi i emrave të qyteteve, maleve e lumenjve të trevës shqiptare të kohës së lashtë, në trajtat e tyre të sotmet ka rrjedhur në pajtim me rregullat fonetike të gjuhës shqipe. Aty hyjnë barazime të tilla si Scardus: Shar, Scodra: Shkodër, Drivastum : Drisht, Pirustae : Qafa e Prushit, Lissus : Lesh (Lezhë), Isamnus : Ishëm Ishm, Dyrrachium : Durrës, Aulon : Vlonë Vlorë, Thyamis: Çam e të tjera. Edhe kjo dëshmon për autoktoninë ilire të popullit shqiptar: ….“;

“Si përfundim, edhe për arsye historike mund të thuhet se në formimin e etnosit shqiptar në bazë qëndron elementi ilir, porse mund të ketë pasur dhe një komponente trake, me përmasa gjithsesi më të vogla. Si u krye procesi i këtij formimi etnik e gjuhësor, në ç’rrethana territoriale e historike, në gjendjen e sotme të njohurive është vështirë të përcaktohet. Aty shihet më qartë përfundimi, që është populli shqiptar më gjuhën e tij, sesa rruga e zhvillimit që u përshkua gjersa u arrit gjer në gjendjen e sotme“.

Për të provuar konsistencën e qasjes dhe vlerësimeve të lart përmendura të z.E.Çabejt, i konsultova edhe disa punime të tjera shkencore të këtij albanologu të famshëm shqiptar, mes tjerash edhe punimin me titull: “Problemi i autoktonisë së shqiptarëve në dritën e emravet të vendeve“, që është i publikuar në Vëllimin me titull: “Shqiptarët dhe trojet e tyre“, ASH e RPSH, Shtëpia botuese “8 Nëntori“, Tiranë 1982, f. 40-49. Pas analizës të bërë erdha në përfundim e sipër se, edhe në këtë artikull, qëndrimet e z.E.Çabejt, në lidhje me autoktoninë e shqiptarëve dhe prejardhjes të gjuhës së sotme shqipe, ishin/ janë të njëjta me ato të prezantuara në artikullin e më sipërm. Kjo mund të verifikohet edhe nga disa konkluza të z.E.Çabejt në artikullin në fjalë. Me fjalë të tjera, pas analizës në lidhje me qëndrimet e ndryshme të disa autorëve/ albanologëve evropian, në lidhje me çështjet në fjalë, z.E.Çabej ka ardhur në këto përfundime:

“Po ta shikojme përmbledhtas, na duket se duhet të këthehemë te mendimi i vjetër i Thunmanit e i Hahnit, që thonë se shqiptarët janë autoktonë…..“. “ …. një gjë mund të thuhet me siguri: asnjë dokument nuk kemi që të thotë se shqiptarët janë të ardhur në Shqipëri nga një anë tjetër e Ballkanit. Prandaj, këtyre teorive përpara të gjithave u mungon baza historike. Kurse në anë tjetër  teorija e autoktonisë e përfaqsuar nga Thunmani e Hahni dhe më vonë ndër të tjerë nga Kreçmeri e Shuflai, nuk ka nevojë të vërtetohet“.

Duke i analizuarë disa toponime z.E.Çabej, fare në fund të artikullit në fjalë, ka ardhur edhe në këtë përfundim:

“Pa dashur aspak të nënvleftësoj rëndësinë e këtij ndikimi të jashtëm, duke përmbledhur këtu një mendim që shpresoj ta shtjelloj më gjerë me një tjetër rast, unë përfundoj se ka një kontinuitet banimi të shqiptarëve në vendin e tyre të sotëm të paktën që nga koha e vjetër. Emrat e moçëm të vendeve në formën e tanishëm dëshmojnë se ky popull rron pa prerë në brigjet e Adriatikut që prej asaj kohe e gjer më sot“.

Do me thënë, nga më sipër që është thënë mund të shihet se qëndrimet/ vlerësimet e z.E.Çabejt, reth prejardhjes së shqiptarëve dhe gjuhës së tyre janë tjetër fare se ato që, në emër të tij, u mundua ti paraqesë z.K.Buroviqi, në emisionin e lart përmendur. Nëqoftëse ai posedon dëshmi të tjera, në formë të shkruar, për atë që e tha/ thotë për qëndrimet e z.E.Çabejt, rreth çështjeve në fjalë, atëherë së paku ato duhet tia ofrojë publikut.

Sa i takon çështjes së “autoktonisë“ i cilit do popull, përfshirë këtu edhe i popullit shqiptar, mendoj se ajo është irelevante. Në këtë botë, në fillim të historisë, i gjithfuqishmi Allah (xh.xh.), askujt si individ ose si bashkësi, nuk u ka ndarë/ dhënë troje/ territore. Përkundrazi, çdo individ ose bashkësi/ popull, gjatë egzistencës së tij/ të tyre është/ janë të “shpërblyer“ ose të “dënuar“ sipas “meritavе“ dhe fuqisë që e kanë poseduar. Sipas meje, thirja e cilit do popull të Ballkanit, Evropës dhe më gjerë, në ndonjë farë “autoktonie më të madhe“, dhe polemika që kohë pas kohe zhvillohet në lidhje me këtë çështje, është më se apsurde. Kjo, mes tjerash, për vet faktin se cili do pull i Ruzullit tokësor në trojet që ka jetuar ndonjëherë, ose që jeton sot, në një periudhë të caktuar të parahistorisë ose të historisë, aty është vendosur duke ardhur nga ndonjë anë tjetër e botës. Me fjalë të tjera, vendosja e ndonjë populli në ndonjë teritor, ku do qoftë në botë, para vendosjes në të njëjtin teritor i ndonji populli tjetër, në asnjë mënyrë popullit, vendosja e të cilit ka ndodhur më heret, nuk i njihet/ jipet e drejta për ndonjë farë “posedimi“/ “përvetësimi“ i atyre trojeve vetëm si të vetat. Në këtë kuptim, mosmarëveshjet, ose mosdurimi dhe rivaliteti në vërtetimin e të drejtës për gjoja “autoktoni më të madhe“ e një populli ndaj popullit tjetër, që për fat të keq është i pranishëm te disa popuj të Evropës, e posaçërisht të Ballkanit, kryesisht është rezultat i mendimit të gabuar dhe shkencërisht të pa bazuar të disa qarqeve të Evropës Perëndimore, për gjoja “autoktoninë“ e tyre në këtë kontinent. Kështu, për shembull, idea dhe aktet e pastrimit të Evropës, në fillim nga Arabët dhe Ebrenjt, të Gadishullit Pirinej, e më vonë nga Turqit dhe popujt të tjerë mysliman të Perandorisë osmane, në Ballkan, ishte rezultat e një qëndrimi të tillë. Se pretendimet e disa popujve të krishterë të Evropës për ndonjë farë “autoktonije“ të tyre më të madhe në Evropë janë të pa baza, mes tjerash, vërtetohet edhe nga vet fakti se shumica e popujve të sotëm të Evropës kanë prejardhje indo-evropjane, që do me thënë nuk janë “autoktonë“/ “vendas“, por të ardhur nga Azija. Ja, për shembull, çfar ka konstatuar profesori – akademik Ferid Muhiq, në librin e tij me titull: “Islamski identitet Evrope“ (“Identiteti islam i Evropës“):

“…. shumica e gjoja Evropianëve autoktonë, me prejardhje janë nga Azia e Mesme, India, Rafshnalta Iraniane, që drejt për së drejti do të thotë se ata nuk janë autoktonë…. Në të njëjtin kontekst kjo do me thënë se popujt Ugro-Fine, Bullgarët, Gjermanët, Sllavët, Romët e tj., as pak nuk janë më autoktonë, për shembull, se Turqit, meqenëse të gjithë ata, si dhe shumë popuj të tjerë ‘autoktonë’ kanë ardhur nga viset të njëjta të botës“.

Në lidhje me këtë çështje, qëndrim të ngjajshëm ka shfaqur edhe publicisti suedez Herman Lindquist, në librin e tij me titul: “A History of Sweden – From Ice Age to our Age” (f.141), sipas të cilit: “… për kundrejt pretendimeve të disa popujve ‘të zgjedhur’, Zoti askujt, do me thënë, as Gotëve e as Svedëve, një ditë në fillim të historisë, nuk ju ka thëne: ky do të jetë vendi i juaj!…”.

Dhe fare në fund të këtij shkrimi, tentimi i z.Kapllan Buroviqit për të vënë në gojë të, tashti më të ndjerit, z.Eqrem Çabej diçka që ai vetë as e ka thënë dhe shkruar, sipas meje, sa është e pandershme dhe e dëmshme, aq është e pa lejuar.

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne