Në kërkim të perandorive, gjeneza e problemit shqiptar

Në aspektin politik, shqiptarët janë komb i formuar nga kushtet, mundësitë dhe ambienti i sundimit osman. Rënia e shtetit osman, interesi dhe ndikimi i Fuqive të Mëdha kundrejt gjeografisë shqiptare ka ndikuar në fillet e politizimit të çështjes shqiptare, gjegjësisht identitetit kombëtar, gjë e cila ka rezultuar me copëtim të shoqërisë shqiptare dhe krijimin e shtetit të cunguar e të pavarur shqiptar.

Shkruan: Kushtrim SHEHU, Gjakovë

Shoqëritë kombëtare sot përbëjnë pjesën themelore të rendit ndërkombëtar dhe marrëdhënieve ndërkombëtare. Krahas tyre, rëndësi të posaçme bartin edhe organizatat ekonomike, gjegjësisht korporatat të cilat kanë ndikim të jashtëzakonshëm në legjislacionin kombëtar të shteteve dhe legjislacionin ndërkombëtar në përgjithësi.

Nën një ballafaqim ndikimesh dhe interesash sot institucionet shtetërore paraqesin mekanizmin ndërmjetësues mes shoqërisë që përfaqësojnë dhe interesit të jashtëm të shteteve ose të korporatave. Ndikimi i jashtëm mund të jetë i formës së butë, përkatësisht me marrëveshje dhe formës së prerë ose të egër me domosdoshmëri. Gjendja e tensionuar ose gjendja e luftës, paraqet fundin e diplomacisë dhe fillimin e real-politikës, ku palët – në mungesë të marrëveshjes – luftojnë për të arritur ose mbrojtur qëndrimet dhe synimet e tyre.

Në gjenezën e secilit problem ndërkombëtar gjenden interesat ekonomike, të cilave u vishen probleme ideologjike si formë legjitimuese e kundërshtive dhe mospërshtatjes së qëndrimeve mes palëve. Historia njerëzore i njeh ndërhyrjet ushtarake si pjesë e çlirimit fetar, si pjesë e çlirimit kombëtar, e bashkimit me shtetet socialiste, e ndërhyrjeve humanitare, si dhe tanimë, në ditët tona, si pjesë e ndërhyrjeve ushtarake për demokratizim të shoqërive.

Përballë mjedisit të tillë ndërkombëtar edhe shqiptarët përpiqen të marrin pjesë me interesat e tyre kombëtare dhe shoqërore. Mirëpo, një fenomen i cili e përcjell shoqërinë shqiptare në raport me shtetet e mëdha, organizatat ndërkombëtare dhe korporatat multinacionale, është fenomeni i pritshmërisë dhe dorëzimit të pakusht. Ky fenomen i dorëzimit përballë një fuqie të madhe paraqet dobësinë shoqërore të mendësisë shqiptare. Dorëzimi, si fenomen, merr pjesë edhe në raportet brendashqiptare. Si të dorëzuar, ne vetëm figurojmë përballë të tjerëve më të fuqishëm. Krahas mosdorëzimit, është zhvilluar vetëm pritshmëria si formë e kërkim-mëshirës nga të fuqishmit. Ky fenomen e ka karakterizuar gjithë mendësinë e politikës së jashtme shqiptare që nga themelimi i shtetit shqiptar të mëvetësishëm dhe krijimi i shteteve me popullatë shqiptare në ditët tona. Të gjithë aktorët shqiptarë, që përfaqësojnë interesin e shoqërisë shqiptare në relacion me fuqi më të mëdha, fenomenin e pritshmërisë në rastin më të mirë dhe fenomenin e dorëzimit në rastin më të keq e kanë bartur si pjesë të politikës së jashtme. Marrëdhëniet me vendet e huaja, organizatat ndërkombëtare dhe korporatat e mëdha i ngërthejnë këto dy fenomene.

Në aspektin politik, shqiptarët janë komb i formuar nga kushtet, mundësitë dhe ambienti i sundimit osman. Rënia e shtetit osman, interesi dhe ndikimi i Fuqive të Mëdha kundrejt gjeografisë shqiptare ka ndikuar në fillet e politizimit të çështjes shqiptare, gjegjësisht identitetit kombëtar, gjë e cila ka rezultuar me copëtim të shoqërisë shqiptare dhe krijimin e shtetit të cunguar e të pavarur shqiptar. Duke qenë në një pozitë të tillë, shqiptarët i kanë trashëguar të mirat dhe të këqijat e shtetit osman. Mendësia shoqërore shqiptare, deri në një pikë të konsiderueshme, paraqet të përbashkëtat me shoqëritë e tjera post-osmane. Krahas tyre vend të posaçëm zë shoqëria turke. Meqenëse pjesa më e konsiderueshme e trashëgimisë osmane gjendet në shoqërinë e sotme turke, kësisoj edhe raporti i shqiptarëve me të kaluarën domosdoshmërisht paraqet relacion të ngushtë me shoqërinë turke sot. Po ashtu përqafimi i të kaluarës osmane pa asnjë hezitim nga shoqëria dhe shteti turk, sot shfaq linjën e detyrueshme të marrëdhënieve të posaçme ndërmjet shqiptarëve dhe turqve. Mirëpo, sot në tematikën e bisedimeve mes shteteve tona dhe shtetit turk nuk gjendet interesi shoqëror, por interesi i korporatave. Diplomacia shqiptare dhe diplomacia turke, përpjekjet e tyre për revitalizim të marrëdhënieve, i ka në shërbim të interesit kryekëput ekonomik. Kësisoj, këto dy diplomaci më shumë i shërbejnë rendit ndërkombëtar kapitalist sesa shoqërive të cilat i përfaqësojnë. Përjashtim nga këto bën shoqëria civile e të dyja vendeve, e cila në raport me shoqërinë civile dhe institucionet shtetërore në Turqi ka arritur t’i kanalizojë nevojat jetike të shoqërive për marrëdhënie të përbashkëta. Meqenëse shoqëria civile, nën kushtet e rendit ndërkombëtar ka arritur të krijojë mekanizma racionale dhe të vazhdueshme të ndikimit mes dy shoqërive, domosdoshmërisht nevojitet një përkujdesje e institucioneve shtetërore në lehtësim dhe ndihmë ndaj tyre. Republika e Turqisë, si shtet me trashëgimi perandorake dhe përvojë më të gjatë të institucioneve shtetërore, ka arritur të krijojë mekanizma institucionalë të përkujdesjes ndaj trashëgimisë osmane në gjeografinë shqiptare, kështu që veprimi dhe prezenca institucionale e shtetit turk është tejet aktuale. Në anën tjetër, Republika e Shqipërisë, Republika e Kosovës dhe Republika e Maqedonisë, si dhe shtetet tjera ku mund të përfaqësohen shqiptarët, akoma janë në mungesë të vetëdijes historike kundrejt trashëgimisë osmane. Relacioni shoqëror i shqiptarëve dhe turqve nuk paraqet tjetër gjë, pos relacione të natyrshme të palëve, ku relacioni ekonomik i të dy shoqërive paraqet një marrëdhënie të ngushtë bashkëvepruese, ku relacioni shtetëror paraqet po ashtu natyrshmëri, falë afërsisë së liderëve, ndërsa është bllokuar për shkak të strukturës shtetërore dhe rregullave diplomatike të vendosura nga rendi ndërkombëtar.

Relacioni i elitave intelektuale të shoqërisë shqiptare me Turqinë paraqet pikën më të disfavorshme të tërësisë komunikative mes vendeve dhe shoqërive tona. Derisa tërë sferat e shoqërisë shqiptare kanë gjetur interlokutorin e tyre në shoqërinë turke, elita intelektuale shqiptare, e zhytur dhe e përgjumur në kërkim të Perandorisë Perëndimore, akoma vazhdon ta mbajë distancën e pakuptimtë kundrejt Turqisë si shtet dhe turqve si shoqëri. Ky relacion ka ndikuar që marrëdhëniet shtetërore të mos gjejnë zgjerim të veprimit të tyre në të mirë të shoqërisë shqiptare. Në shumicën e rasteve veprimtaria e shoqërisë civile shqiptare është cilësuar si veprimtari agjenturore dhe me ndikim të shtetit turk nga elitat intelektuale shqiptare. Kësisoj, shoqëria shqiptare ka kufizime të veprimit të lirë me një shtet, i cili posedon mundësi të jashtëzakonshme të aseteve intelektuale, ekonomike dhe kulturore, për të cilat ndjejmë nevojë të konsiderueshme.

Krahas tërë kësaj gjendjeje, barrën më të rëndë vazhdon ta mbajë shoqëria civile, së cilës i nevojitet t’i artikulojë interesat e shoqërisë së saj, pavarësisht kundërshtive ndaj tyre në vendet ku jetojnë. Shqiptarët dhe turqit, përballë përkufizimeve që mund të kenë si organizime politike shtetërore, mund t’i kanalizojnë shumë më mirë interesat e tyre në kuadër të shoqërisë civile, e cila vepron më shpejt dhe më me efektivitet. Barrën e institucioneve shtetërore mund ta hedhin prapa shpinës nëse ata arrijnë t’i kuptojnë mundësitë që i lejon rendi ndërkombëtar në kuadër të të drejtave dhe lirive të njeriut, si dhe lirisë për organizim shoqëror. Kushtimisht thënë, kërkohet që në situatën e tanishme, në të cilën gjendet rendi ndërkombëtar , të bëhet leximi i drejtë i interesave të fuqive të mëdha dhe shfrytëzimi i skajshëm i tyre. Shqiptarët, më shumë se kushdo tjetër, kanë nevojë ta mësojnë, në këtë rast edhe nga turqit, mënyrën e transformimit produktiv të shoqërisë. Duke qenë shoqëri produktive, ajo zë vend meritor në rendin ndërkombëtar si pjesë e respektuar e saj. Konflikti, dhuna dhe ballafaqimi ndërmjet fuqive të mëdha është vet sulm i rendit ndërkombëtar, si i tillë jo i mirëseardhur edhe te shoqëritë shqiptare dhe turke. Që të dyja shoqëritë, krahas tejkalimit të mendësisë nacionale, ndjejnë nevojën e përjetimit të parimeve dhe vlerave universale, përmes të cilave do ta rrisnin produktivitetin e tyre intelektual dhe ekonomik. Meqenëse këto vlera mund të lexohen në të kaluarën, assesi nuk bën të humbasin kohë në transformimin shoqëror, i cili mëton t’i degradojë ato. Angazhimi shoqëror shqiptar dhe turk ndjen nevojën e transformimit politik, kjo si pjesë e domosdoshme e rendit ndërkombëtar, i cili gjendet gjithnjë në zhvillim./ shenja

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne