Në Kosovë përkujtohet përvjetori i Xhemijetit

Thirrjet për ta zbardhur historinë e Xhemijetit kanë qenë të zëshme në akademinë për 100-vjetorin e kësaj organizate politike, e mbajtur të hënën në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani”. Por, megjithëkëtë, në këtë ngjarje të organizuar nën përkujdesjen e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, nuk është sjellë ndonjë dëshmi shtesë nga ndonjë historian.

U përkujtuan me këtë rast figurat kryesore të organizatës politike Xhemijet (Bashkimi) Nexhip e Ferat Dragaj dhe Aqif Blyta, për të cilët u mbajt një minutë heshtje e më pas u fol gjatë për kontributin e tyre. Është thënë se Xhemijeti ka luajtur rol për demaskimin e politikave shkombëtarizuese dhe kolonizuese në mes të dy luftërave botërore.

Ismail Syla, i cili foli në emër të presidentit Thaçi, përmendi se padrejtësitë historike kanë qenë reflektim i pozicionit të dobët të organizimit të brendshëm të kombit shqiptar aq edhe rezultat i Fuqive të Mëdha.

I pranishëm ishte edhe kryetari i Këshillit Nacional Boshnjak të Sanxhakut, Sulejman Ugljanin.

“Ferat Dragaj ka qenë njeri i madh, lider i merituar dhe politikan i mençur. Populli i Sanxhakut, i Kosovës dhe Maqedonisë ia kanë borxh vizionin e mençurisë së tij”, tha ai.

Organizata e formuar mëp 1919 u shpërbë në vitin 1927 pas përçarjeve të brendshme dhe burgosjes 20-vjeçare të kryetarit të saj, Ferat Dragaj.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne