Konferenca e paqes e cila nesër do të mbahet në Moskë, do të bëjë bashkë për herë të parë në bisedime të drejtpërdrejta qeverinë afgane dhe lëvizjen talebane.

Ministria e Jashtme ruse ka konfirmuar se gjithçka është gati për fillimin e nesërm të konferencës, që është raundi i dytë i bisedimeve paqësore të organizuara nga Rusia.

Janë ftuar përfaqësues nga 11 shtete, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), Indinë, Iranin, Kinën, Pakistanin, Kazakistanin, Kirgistanin, Taxhikistanin, Turkmenistanin dhe Uzbekistanin.

Arrdhja është konfirmuar nga të gjithë të ftuarit, me përjashtim të SHBA-ve.

Departamenti Amerikan i Shtetit tha se nuk do të ketë përfaqësues, sepse siç tha, raundi i parë i negociatave nuk dha rezultatet e pritura.

Qeveria afgane, nga ana e saj tha se do të dërgojë një delegacion të lartë nga Këshilli Suprem i Paqes ndërsa ardhjen e ka konfirmuar edhe lëvizja talebane.

“Konferenca do të shqyrtojë në mënyrë të detajuar zgjidhjen e krizës në Afganistan dhe një përfundim paqësor të pushtimit të SHBA-ve, për çka delegacioni ynë do të referojë pikëpamjet për mundësitë e arritjes së paqes dhe stabiliteti”, thuhet në një deklaratë të talebanëve.

Edhe ish-presidenti afgan Hamid Karzai ka shprehur vullnetin e tij për të qenë pjesë e konferencës në Moskë duke shtuar se nuk duhet injoruar bisedimet me talebanët.

Zëdhënësi i Qendrës për Hulumtime Bashkëkohore në Afganistan, Omer Nessar, deklaroi për AA se qëllimi i konferencës është legalizimi i procesit të paqes midis qeverisë afgane dhe talebanëve, për të shtuar se shtetet e ftuara, të gjitha kanë një rol të rëndësishëm, pavarësisht faktit se të gjitha janë të përfshira në konfliktet në Afganistan.

Një nga temat kryesore, tha ai, do të jetë tërheqja e të gjitha fuqive të huaja nga Afganistani, sidomos ushtrisë amerikane.

“Në shikim të parë duket një gjë e pamundur, megjithatë po ndryshon dispponimi mbi praninë ushtarake amerikane në Afganistan. Nga njëra anë, ushtria amerikane është në korniza të një marrëveshjeje sigurie, por nga ana tjetër, është e qartë se madje pas 17 vjetësh, ata nuk përmbushën asnjë nga ajo marrëveshje. Parashtrohet pyetja nëse prania e tyre është e justifikuar”, tha Nessar.

Shef i Departamentit për Lindjen e Mesme në Universitetin kombëtar të Kërkimeve në Moskë, Alexey Muraviev tha se tërheqja e forcave të huaja nga Afganistani duhet të shoqërohet bashkë me një rimëkëmbje ekonomike të vendit.

“Aktualisht, prodhimi i drogës është baza e ekonomisë gri në Afganistan. Nëse i qasemi me një seriozitet procesit të paqes, atëherë ai do të duhet të shoqërohet me një plan ekonomik”, tha ai.

Analisti politik Denis Korkodinov është i mendimit se nevojitet heqja e praktikës që të huajt të vendosin udhëheqësit e Afganistanit dhe se vendi do të duhet të drejtohet nga person i cili do të pranohet nga banorët e vendit.

Burimi: AA

10