Në Piramidën e Gizës pritet të zbulohet një fron prej meteori

Një boshllëk i madh i zbuluar brenda Piramidës së Madhe të Gizës në Egjipt në fund të vitit të kaluar mund të ruajë një fron hekuri të bërë nga meteorët, thuhet në analizat e reja të teksteve të lashta fetare.

Giulio Magli, Drejtor i Departamentit të Matematikës dhe Profesor i Arkeologjisë në Politecnico di Milano, studioi Tekstet Piramidale, shkrime fetare të gdhendura në muret piramidale rreth vitit 2400 pes. Bazuar në studimet e tij, Magli mendom se froni i Faraonit Khufu, ose Keopsit, mund të qëndrojë brenda dhomës.

“Sigurisht që është hekur meteoritik dhe jo hekur normal. Ai është i rënë nga qielli në formën e meteorëve”, thotë Magli duke cituar edhe tekstet.

Duke shpjeguar strukturën e piramidës, Magli thekson se para se të mbërrish në dhomën funerare ka një galeri. “Dhoma e zbuluar rishtazi gjendet mbi këtë galeri dhe nuk ka ndonjë funksion specifik”,  shpjegon ai në një deklaratë .

Pra, për çfarë përdorej kjo dhomë? Magli jep një interpretim që përputhet me njohuritë ekzistuese mbi fenë e vjeter egjiptiane, siç dokumentohet edhe në tekstet piramidale. Në këto tekste thuhet se faraoni, para se të arrinte yjet e veriut, do të duhet të kalonte portat e qiellit duke qenë i ulur mbi fronin e tij prej hekuri’.

Brenda Piramidës ekzistojnë katër boshte të ngushta të cilat Magli sugjeron se përfaqësojnë “portat e qiellit”, duke shtuar se: “boshti verior të çon në dhomën e zbuluar rishtazi, ku mund të gjendet një objekt i nevojshëm për Keopsin për të kaluar portat, froni i hekurt”.

Sipas analizës të teksteve, froni i Keopsit mund të jetë i ngjashëm me atë të nënës së tij, mbretëreshës Hetepheres, por në vend të arit mund të jetë i veshur me hekur meteoritik.

Besohet se Egjipti i lashtë i kushtonte vlerësim të madh hekurit meteoritik për prodhimin e objekteve zbukuruese ose ceremoniale. Në vitin 2016 u konfirmua se kama e mbretit Tut kishte origjinë meteori. Hekuri meteorik duket qartë nga përmbajtja e lartë e nikelit.

Magli pranon se propozimi i tij është ende në teori, por thotë se ja vlen një eksplorim i mëtejshëm, dhe sugjeron kërkime të reja në boshtin verior të piramidës për të përcaktuar nëse ai vërtet të drejton për në dhomën e sapo zbuluar./rt/Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne