Në prag të protestës, SHBA dhe Gjermania negociata intensive në Tiranë

Tre ditë nga protesta masive e paralajmëruar nga opozita, ndërkombëtarët po lëvizin me shpejtësi mes selisë së PD, Qeverisë, Kuvendit e Presidencës.

Ambasadori Lu ishte dje për 30 minuta në zyrën e Bashës. Pak pas largimit ambasada amerikane nxorri një paralajmërim për qytetarët e saj që të evitojnë zonat ku do të protestohet të shtunën.

Protesta – siguron Lulzim Basha – nuk do të jetë e dhunshme. Por askush nuk i përjashton të papriturat.

“Policia do të ndërhyjë fort”, reagon ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj.

Të premten Edi Rama vendosi të tërheqë kandidatin e Kavajës nga frika e protestës që opozita do të organizonte të dielën në këtë qytet.

“Kishte skenar për destabilizimin e vendit” tha Rama e më pas edhe ministri i tij Xhafaj.

“Shqipëria është e destabilizuar sepse është në dorë të kriminelëve, sepse policia është në dorë të kriminelëve, sepse shteti është në dorë të kriminelëve dhe të drogës” përgjigjet Basha.

Klima politike është e tensionuar dhe ndërkombëtarët janë më të shqetësuar këtë herë, teksa opozita po organizohet me aksione në rrugë.

Rama thotë se vendimin për Kavajën e mori nën rekomandimin e tyre.

Të shtunën frika është e njëjtë; se protesta mund të jetë e dhunshme dhe mund të dalë jashtë kontrollit.

Garancitë e Bashës nuk mjaftojnë. Aq më pak kur Sali Berisha paralajmëron një tjetër skenar.

“Mund t’ju garantoj, dhe këtu do jemi që protesta tjetër po të thirret do të jetë edhe më e madhe, dhe pastaj menaxhimi i saj do jetë problemi kryesor, se një herë i menaxhon ti, por herën tjetër të menaxhojnë ato ty. Ky është i gjithë problemi”, deklaronte Berisha 4 ditë më parë.

Një delegacion i Kongresit Amerikan u takua paradite me presidetin Nishani.

Delegacioni i kryesuar nga kongresmeni Bob Goodlatte vjen në Ballkan me misionin për të hetuar mbi aktivitetin e Soros dhe të 5 ambasadorëve amerikanë, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Greqi e Bosnje – Hercegovinë. Një gazetë pranë presidentit Trump shkruante se ambasadorët po minojnë dhe destabilizojnë Ballkanin (lexo lajmin më poshtë në lapsi.al).

“Presidenti Nishani dhe kongresmenët amerikanë diskutuan dhe ndanë mendime e pikëpamje mbi çështje të ndryshme si: situata politike në Shqipëri, zgjedhjet e ardhshme parlamentare, ecuria e reformës në drejtësi, rëndësia e shtetit ligjor, shqetësimi për dukurinë e kanabisit dhe trafikut të drogës, krimit të organizuar si dhe rreth buxhetit financiar për shpenzime ushtarake dhe mbrojtjen, duke pasur parasysh që Shqipëria është vend anëtar i NATO-s dhe aleat besnik e i ngushtë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në takim u vlerësua edhe roli institucional e përkushtimi i Presidentit Nishani në ndërmjetësimin e dialogut mes palëve politike në vend” ”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne