Në PS ka mjaftistë, sorroistë, maoistë, masonë, homoseksualë*

Në kongresin e Partisë Socialiste ndodhi që të gjitha palët i erdhën rrotull Fatos Nanos. Të gjithë xhiruan në kotësi. Veprën kongresiste mund ta përfytyroja njësoj si një vepër arti të realizmit socialist, mund ta krahasoja me filmin “I Teti në Bronz”… Lufta e Dytë në Shqipëri, fitorja e partizanëve komunistë dhe një i rënë mes shtatë të gjallëve. Filmit i duhej edhe një bust prej bronzi; bust partizani. Sot e kësaj dite nuk ia mban kush mend emrin partizanit hero. As atëherë, më duket se nuk kishte emër, aq sa të gjithë e njihin si Mevlan Shanaj, emri i aktorit. Një hero pa emër, i kthyer në bronz, që rri mes të gjallëve si gjykatës.

Shokëve komunistë, “I Teti…” iu duhej më shumë i vdekur. Shtatë partizanët që kishin mbetur gjallë, ndërtuan portretin e të tetit. Askush nuk mund të fliste ndonjë fjalë të keqe… Në fakt, të gjallët ndërtonin portretin e tyre të munguar, duke folur për të tetin. I vinin rrotull e rrotull bronzit. E merrnin në krahë, e ulnin përtokë, djersinin, pinin pak ujë, psherëtinin, i vinin majtash e djathtas dhe veç flisnin për të Tetin. Secili ndiente se I Teti në Broz duhej për nesër, kur secili të luftonte kundër tjetrit për të mbajtur pushtetin. Edhe në “luftën e dytë”, për pushtet, përsëri ai që ndodhet në bronz, do të ishte strumbullari ku do të vërtiteshin të gjallët. Ai në bronz do të ishte matësi; po ta kishe mirë me bronzin, do të ishe mirë me udhëheqësin. Ja kështu erdhi puna deri te Fatos Nano.
Krerët e Partisë Socialiste dhe shtatë sevilët e tjerë (në fakt shtatëdhjetmijë servilë, të paktën), e kthyen Fatos Nanon në mermer ose bronz. Bënë të njëjtën gjë që bënë paraardhësit komunistë: Fillimisht “e vranë”, pastaj e futen në harresë, dhe tani e nxorën për ta vendosur në qendër të fshatit derdhur në bronz. (Siç ndodhi edhe me monumentet e Enver Hoxhës që fshatarët i i nxorën nga hauret e lopëve). Fatos Nano është kryetari i parë i Partisë Socialiste që doli nga Kongresi i 10 i Partisë së Punës. Ky mund të quhet edhe një themelues i saj, në qoftë se do të ndërtohej shtëpia me dy themele. Por nuk ka shtëpi me dy themele. Partia Sociaste mbeti shtëpi e dytë e Partisë së Punës, por dikush tregoi kujdes që të mos i binte era në fshat. Ditën kur Fatos Nano la partinë, këta që erdhën iu sulen me gurë. Ndoshta iu sulën me gurët e themelit të dytë, që nuk i duheshin më as shtëpisë.
Në Kongresin e fundit ndodhi çudia. Të gjitha palët u mblodhën rreth të Tetit në Bronz. Fatosi nuk ndodhej në Kongres, por këta u kashaisen me bronzin.
Shikoni çfarë ndodhi, njësoj si në filmin me të Tetin.
1.
Foli Gramoz Ruçi,
njeriu i përkëdhelur dhe njëkohësisht i rrahur nga Nano; mësues fshati nga Tepelena që tentoi të veshë papion të krah të Nanos. Ky sa ç’kishte qenë barrë, aq kishte qenë edhe shoku më i ngushtë i Nanos. Të gjithë u habiten kur Gramozi e tradhëtoi. Në Kongres foli duke iu dridhur zëri. Foli siç flitet për perënditë e vdekura “Ai që…. Ai që… Ai që…”. Domethënë ai që emrin e ka aq të vogël sa po e përmende ia zvogëlove “Hyun”; ai që duhet të ketë emrin dhe ymrin tonë, dmt., ai që ka në dorë qiellin dhe tokën!… Gramozi nuk e bëri këtë se sinqerisht e dinte Nanon si Zotin. Por ky ka arsye tjetër. Gramozi po shikon se tani erdhi radha e tij që ta nxjerrin jashtë shtëpisë socialiste me themele të dyta. Në krah po i rri “Beu i Jugut” dhe po i kërkon kartat. Bash në këto kushte, Ruçi iu kthye zotit të vdekur dhe iu lut. Nga njëra anë iu lut Zotit (Nanos) që ta falte para derës së ferrit pse e kishte gjuajtur me gurë. Nga ana tjetër donte t’u thoshte persekutorëve të tanishëm se “nuk jam tradhëtar si ju!” . Por kryesore ishte t’u dëshmonte njerëzve të Nanos, që janë shumicë në anëtarësinë e partisë) se “unë nuk trashëtova”.
2.
Foli Edi Rama.
Ai tha se i falet nderit dhe emrit të Fatos Nanos (!), si “krijues dhe si udhëheqës i Partisë Socialiste”. Rama është kryetar i tanishëm i Partisë Socialiste. Biri i njërit prej nomenklaturës së lartë komuniste. Babai i tij, i bërë lanet nga i biri derisa ky kapi Partinë Socialiste, kishte qenë artist, por i fundit komunist në Europën Lindore që kishte nënshkruar vdekjen me varje në litar për një artist disident. Nano kishte një nostalgji për bllokmenët, por më shumë i duhej Rama si çorape-kuq që “i ndryshon faqen” Partisë Socialiste primitive. “E mora emigrant me thonj të paprerë!”- pat deklaruar Nano. Rama mori Partinë Socialiste dhe me thonj e me dhëmbë e bëri si vetja; Fatos Nanon e përzuri dhe e gjuajti me gurë për vdekje. Që nga viti 2005 mban fjalime të stargjata kundër Fatos Nanos. Në Kongresin e fundit ndryshoi gjithçka. Rama, bir e nip komunisti, u afrua te “I Teti në Bronz” dhe nisi të ligjërojë për të…
Pse iu kthye tani Nanos me këngë e me kuje, ky lider që e kishte gjuajtur me gurë? Jo për gjë tjetër, veçse e mendon veten të dobët. Ndodhet në krye të PS i pa zgjedhur dhe pa mandat. Ka përçarë Partinë deri në pikën kur nuk i mbledh dot as miellin as krundet. Po ushtron qeverisjen më të keqe që nga dita e pavarësisë së Shqipërisë para 100 vjetësh… Tani i ka mbetur veç një gjë: Të thërrasë “të gjallë e të vdekur” për të ruajtur pozitat në parti. Duke brohoritur për Nanon mendon se përkrahësit e Nans do ta votojnë pa kushte.
3.
Edhe Ilir Meta kërkoi Fatos Nanon.
Ky ishte i ftuar në Kongres, por guxoi të bëjë si zot shtëpie. Ilir Meta është ndarë nga Partia Socialiste që në kohën kur ishte Fatos Nano kryetar i PS. Madje janë ndarë si armiq. Meta krijoji parti të re me të cilën i tund dhëmbët Partisë Socialiste dhe me të cilën vë gjithë vendin në dilema. Në Kongres nuk foli si Rama. Ky, pas Ramës, tha se “Fatos Nano duhej të ishte këtu…!”. Më shumë se një ftesë për Nanon, ishte sfidë për Ramën, me kuptimin: ” Hë, more, ku e keni Nanon? Nuk të erdhi? As ka për t’u ardhur!”. Në të njëjtën kohë lëshoi një rrjetë dyshimi se “Nano mund të bëhet me mua, por kurrë me ju!”. Po të ndodhte kjo, atëherë grupimet e Ramës, alias socialiste, do të mbeteshin minorancë e minorancave. Kjo edhe mund të ndodhë.
Të gjithë kanë dahuri dhe të gjithë kanë frikë para të “Tetit në Broz”.
4,
Duartrokitësit e stunishëm; edhe këta folën.
Gjithë salla e Kongresit prej 2500 delegatësh, u ngrit më këmbë sa herë u përmend emri i Fatos Nanos. Këta mbajnë mend “kohën e bollëkut për të gjithë” të Nanos; por një pjesë e tyre veç kanë dëgjuar se si ishte një Fatos që u kthye në bronz. Tani e duartrokasin me ovacione. Por nuk duartrokasin Nanon. Këta duartrokasin liderin e ri që ka shkelmuar Nanon, dhe i thonë: “Jemi me ty edhe kur e fton, edhe kur e dëbon Nanon”. Kështu kishin duartrokitur kur e dëbuan atëherë. Por lideri i ri nuk është i mençur që të kuptojë se kështu do të duartrokasin edhe kur ky vetë të shkojë në ferr.
5.
Dhe të gjithë së bashku, folën.
Të gjithë së bashku, dmth., si lideri shok, si lideri armik, si militantët e verbër, si të tjerët, kanë një arsye pse kërkojnë të vijnë rreth zjarrit partizan te sheshi i të Tetit në Bronz. Sepse me Fatos Nanon duken si me zotin. Fatosin e duan si besimin që i bën të ndjehen të gjithë njësoj. Ky është njeriu, prandaj besojnë të gjithë në një zot. Veç për këtë e kanë besimin, që të ndjehen njësoj. Në Partinë Socialiste, siç dëshmohet shpesh, janë mbledhur grupime të çuditshme: Ka mjaftistë, ka sorroistë, ka maoistë, ka masonë, ka homoseksualë, etj. Asgjë nuk e bashkon njërin me tjetrin. Intuita e tyre dhe sidomos e liderit, kërkon që të kundërtit të besojnë se janë njësoj me njëri tjetrin. Për të ruajtur pushtetin, jo për gjë tjetër. Atëherë, bash për këtë u gjet Fatos Nano, “Zoti” që të gjithë këta e kanë gjuajtur me gurë dhe tani nuk ka më fuqi për rrufe.

Frrok Çupi. Shkrimi është botuar fillimisht në vitin 2016 në veritas.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne