Në Qafë Thanë hedhin vaj makinash për të ndodhur aksidente

Vetëm 3 ditë më parë një seri aksidentesh ndodhën në Qafë Thanë mes Prrenjasit dhe Linit, ku si pasojë pati dhe të vdekur.

Por kur mendohej se këto aksidente kishin ndodhur vetëm nga moti i keq, një denoncim ngre pikëpyetje të mëdha mbi një tentativë që mund të cilësohet në kufijtë e kriminales nëse është e vërtetë.

“Shenja të dukshme vaji nëpër disa kthesa në aksin rrugor Elbasan-Qafë Thanë.

Nisur nga disa komente të shkruara te disa postime, theksohet se disa njerëz të paskrupullt që kanë lidhje me disa servise makinash, derdhin vaj makinash në disa kthesa në aksin Qafë Thanë – Elbasan, me qëllim aksidentimin e mjeteve.

Nëse kjo është e vërtetë, atëherë i bëjmë thirrje policisë që ta marrë seriozisht në konsideratë këtë lloj krimi sepse kjo mund të konsiderohet si vrasje me paramendim për drejtuesit e mjeteve si dhe udhëtarët që udhëtojnë me këto mjete që lëvizin përgjatë këtij aksi”,- shkruan harta dixhitale e aksidenteve rrugore.

Nëse diçka e tillë është e vërtetë, kjo kërkon një hetim të plotë nga ana e autoriteteve, që duhet të marrin masa urgjente në mënyrë që përgjegjësit të shkojnë para ligjit.

Kjo nuk është hera e parë që në rrugët e vendit persona të papërgjegjshëm tentojnë të fitojnë mbi fatkeqësinë e të tjerëve.

Madje për rastin në fjalë thuhet se karroatreci, taksia dhe servisi janë të lidhur me njëri-tjetrin në mënyrë që të fitojnë sa më shumë në kurriz të fatkeqit që bie në grackën e tyre në një rrugë që duhet të mbikëqyret rreptësisht nga shteti pasi është pronë publike. /Citynews

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne