Në Shkup mbahet ceremonia përkujtimore për “15 korrikun”

Me rastin e shënimit të përvjetorit të parë të tentimit për grusht shteti në Turqi, të cilin e kreu organizata terroriste FETO, sot në Shkup u mbajt programi përkujtimor me titull “15 korriku – Fitore e demokracisë dhe vullnetit kombëtar”.

Në këtë aktivitet, në organizim të kryesisë së Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) dhe nën kujdesin e Ambasadës së Republikës së Turqisë në Shkup, morën pjesë zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Koço Angjushev, ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, ministri pa resor Adnan Qahil, ambasadorja e Turqisë në Shkup, Tulin Erkal Kara, përfaqësues të korit diplomatik, kryetarë të partive politike, si dhe përfaqësues të sektorit civil.

Manifestimi filloi me një minutë heshtje në shenjë përkujtimi të viktimave nga tentimi i dështuar për grusht shteti, pas çka vijoi intonimi i himneve të Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Turqisë.

Në emër të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë para të pranishmëve u drejtua zëvendëskryeministri Angjushev, i cili tha se ka nderin që në emër të Qeverisë të shpreh solidaritet me të gjithë viktimat e ngjarjeve tragjike të cilët vitin e kaluar ndodhën më 15 korrik në Turqi.

“Maqedonia dhe Qeveria e Maqedonisë gjithmonë do të jenë në anën e demokracisë dhe vlerave evropiane në kuptimin e plotë të fjalës. Republika e Turqisë në Qeverinë tonë shikohet si një mik i madh i Republikës së Maqedonisë dhe gjithmonë janë kultivuar marrëdhënie miqësore që nga dita e parë e vendosjes së Republikës së Maqedonisë si shtet i pavarur”, tha Angjushev.

Ambasadorja e Republikës së Turqisë, Tulin Erkal Kara në fjalimin e saj tha se 15 korriku është një rrëfim i jashtëzakonshëm i guximit të shprehur nga ana e popullit turk kundër ekzekutorëve të tentimit për grusht shtetit.

“Është e pamundur që me fjalë të përshkruhet harbimi dhe tradhtia e treguar nga ana e ekzekutorëve të tentimit për grusht shteti”, tha Kara duke rikujtuar ngjarjet e 15 korrikut kur ithtarët e organizatës terroriste FETO tentuan të kryejnë grusht shtet. Ajo theksoi se Turqia dhe populli turk dëshmuan se si duhet të mbrohet demokracia.

Ambasadorja Kara rikujtoi se organizata terroriste FETO ka organizata të saj edhe në Republikën e Maqedonisë, duke theksuar se në luftën kundër kësaj organizate terroriste ende nuk janë ndërmarrë masa konkrete.

“Me keqardhje mund të konstatojë se shkollat, mediat dhe ndërmarrjet e kësaj organizate terroriste ende janë aktive në Maqedoni. Këtë veçanërisht dua ta nënvizojë: këto organizata në asnjë mënyrë nuk përfaqësojnë Turqinë. Anash asaj se nuk përfaqësojnë Turqinë, vazhdojnë aktivitetet kundër Turqisë, negativisht ndikojnë në marrëdhëniet mes Turqisë dhe Maqedonisë dhe presin rastin që t’i helmojnë marrëdhëniet e vazhdueshme të shkëlqyera mes dy vendeve. Udhëheqësit e Maqedonisë, menjëherë pas këtij sulmi tradhtar, ishin mes të parëve që treguan solidaritet me vendin tonë. E di se në këtë betejë Maqedonia është me ne”, theksoi Kara dhe u shpreh se në këtë kontekst është shumë rëndësi që në asnjë mënyrë të mos mbështeten përfaqësuesit e FETO-s në Maqedoni.

Ajo rikujtoi se në periudhën e kaluar është sjellë një vendim për dhënie fund të aktiviteteve të organizatave të lidhura me FETO-n, por se akoma nuk është bërë asgjë në këtë drejtim.

Ambasadorja Kara, tha mes tjerash se një nga kriteret themelore të Turqisë në raport me shtetet tjera është lufta kundër FETO-s.

“Marrëdhëniet midis Turqisë dhe Maqedonisë janë të një niveli të lartë sa që mund të shërbejnë si një shembull për të gjitha vendet e tjera. Ne jemi plotësisht të bindur se në raport me këtë, ju do të bashkëpunoni në drejtim të marrjes së masave të duhura kundër institucioneve në Maqedoni që kanë lidhje me FETO-n. Këtë luftë ne duhet ta bëjmë krah për krah. Të nderuar, pritjet tona nga Maqedonia janë mjaft të mëdha”, tha ambasadorja Kara.

Mesazhe me rastin e “15 korrikut”

Me rastin e shënimit të 15 korrikut, tentativës për të kryer një grusht shteti në Turqi, presidenti i Maqedonisë Gjorgje Ivanov i ka dërguar presidentit të Turqisë, Reccep Tayip Erdogan një letër e cila u lexua në eventin e sotëm.

“Në emrin tim personal dhe në emër të qytetarëve të Maqedonisë dënojmë këtë akt të drejtuar kundër qeverisë së Republikës së Turqisë të zgjedhura në mënyrë demokratike. Dhuna është absolutisht e papranueshme, pavarësisht formës apo qëllim. Ne nderojmë njerëzit të cilët humbën jetët e tyre në mënyrë heroike duke parandaluar puçistët për të arritur objektivat e tyre të paligjshme. Këta heronjë shkruan një histori të pashlyeshme”, thuhet në mesazhin e presidentit Ivanov.

Mesazhe me rastin e përvjetorit të puçit të dështuar në Turqi, dërguan edhe ministrja e Mbrojtjes, Radmila Shekerinska dhe ministri i Kulturës, Robert Alogjozovski.

Si pjesë e ngjarjes së sotme u prezantua një ekspozitë e fotografive, ndërsa u shfaq edhe një video klip i cili në mënyrë kronologjike shpjegoi ngjarjet e 15 korrikut, prodhim i agjencisë së lajmeve Anadolu Agency (AA).

Me këtë rast u dhanë edhe çmimet për konkursin e shkollave fillore dhe të mesme të organizuar nga unioni i OJQ-ve turke në Maqedoni (MATUSITEB)./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne