Në Shkup protestohet kundër marrëveshjes me Greqinë

Para Kuvendit të Maqedonisë është protestuar kundër marrëveshjes për zgjidhjen e kontestit maqedono-grek për emrin dhe për partneritet strategjik, sipas të cilës Maqedonia do ta ndryshojë emrin e saj në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Qindra protestues të tubuar para godinës së Shtëpisë Ligjvënëse shprehën revoltën e tyre kundër ndryshimit të emrit, duke brohoritur me sloganet “Maqedonia” dhe “Nuk e japim emrin”.

Ata me gurë dhe mjete piroteknike sulmuan kordonin policor që ruante godinën e Kuvendit, pas së cilës forcat policore u përgjigjën me gaz lotsjellës dhe arritën të shpërndajnë protestuesit.

Aktualisht situata është e qetë, ndërsa informata për të lënduar deri më tani nuk janë zbuluar.

Dje në anën greke të liqenit të Prespës, shefat e diplomacisë së Maqedonisë dhe Greqisë, Nikolla Dimitrov dhe Nikos Kotzias nënshkruan Marrëveshjen për zgjidhjen e kontestit maqedono-grek për emrit dhe për partneritet strategjik, në prani të kryeministrave të të dy vendeve, Zoran Zaev dhe Alexis Tsipras.

Në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes morën pjesë përfaqësues të lartë të Bashkimit Evropian (BE) dhe Kombeve të Bashkuara (OKB). Të dy kryeministrat e quajtën njëri-tjetrin miq, duke vlerësuar marrëveshjen si një ditë historike. (AA)

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne