Në Shkup shënohet Nata e Regaibit

Muslimanët si në botë ashtu edhe në Shkup sonte shënojnë natën e bekuar Regaip (nata e xhumasë së parë të muajit Rexhep), në Islam e njohur si nata e dëshirave, shpresës dhe adhurimit, raporton Anadolu Agency (AA).

Me rastin e fillimit të tre muajve të shenjtë (Rexhep, Shaban dhe Ramazan) dhe Natës së Madhe të Regaibit, sot pas namazit të Aksham-it, në xhaminë e Murat Pashës në Shkup u organizua mevlud.

Besimtarë të shumtë të mbledhur në xhaminë e Çarshisë së vjetër të Shkupit, pas namazit të akshamit ndoqën ligjërata në lidhje me rëndësinë e kësaj nate, si dhe u lexuan pjesë nga Kurani famëlartë, ilahi dhe pjesë nga Mevludi.

Këshilltari për Shërbime Fetare pranë Ambasadës së Turqisë në Shkup, Murat Alkan, në një deklaratë për gazetarët, u shpreh se ndihen të lumtur që kanë arritur natën e Regaipit, që paralajmëron fillimin e tre muajve.

Duke uruar që nata e Regaipit të sjellë mirësi për të gjithë muslimanët, Alkan tha se “Me rastin e kësaj nate, uroj që dëshirat (ragbet), që nënkupton edhe fjala e kësaj nate, të jenë për Zotin, gjërat që çojnë drejt Zotit dhe të Dërguarit të Zotit”.

Në kalendarin islamik, netët Lejletu-r-Regaib, Lejletu-l-Miraxh, Lejletu-l-Berat dhe Lejletu-l-Kadër, janë të përzgjedhura në krahasim me netët tjera të vitit, dhe për këtë arsye këto karakterizohen me shtimin e adhurimit, namazeve vullnetare dhe leximit të Kuranit. Ditët dhe netët e muajve të bekuar Rexhep dhe Shaban janë lajmëtarë për ardhjen e ditëve të Ramazanit.

Lejletu-r-Regaib është dita e një fillimi të ri në historinë e njerëzimit dhe është e para nga tre netët e përzgjedhura që njoftojnë ardhjen e muajit të Ramazanit. Shënohet të enjten e parë të muajit Rexhep. Bazuar në mësimet islame, kjo është nata që paraqet mëshirën e Allahut ndaj njeriut.

Lutja drejtuar Zotit të Plotfuqishëm është një lidhje dhe mëshirë që lidh Krijuesin dhe krijesat e Tij, kështu që besimtarët, muslimanët në mbarë botën natën e sotme të bekuar e kalojnë në adhurim dhe lutje.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne