Libri me poezi të mendimtarit islam e poetit, Burhan Fili vizaton mjeshtërisht me penën e tij artistike dhe me dialekt “gegnisht” një mozaik poetik, ku gërshetohen në mënyrë harmonike disa tematika të ndryshme.

 

Para pak ditëve në mes miqve, hoxhallarëve nga Shqipëria dhe trojet shqiptare, intelektualëve, studentëve, dhe përfaqësuesve të shoqatave dhe institucioneve të ndryshme turke, arabe etj, u promovua libri me poezi “Pluhun n’ecje”, me autor Burhan Al-Din Fili, mendimtar islam dhe ish-këshilltar i presidentit të Shqipërisë për vendet islame në vitet 1992-1996.

Takimi u hap me leximin e disa ajeteve kuranore dhe më pas u mbajtën kumtesa rreth librit, ku kumtuesit : Justinian Topulli, Diana Cane, Enkelejda Murataj, Roald Hysa, Erisad Lugjaj, etj,  vlerësuan dhe çmuan lart botimin që si nga përmbajtja ashtu dhe nga ana e strukturimit të vargjeve të fton ta lexosh. Poezi të arrira për nga këndvështrimi artistik, filozofik, realist e teologjik. Një libër ku çdo vlerë njerëzore është portretizuar aq thjeshtë e aq natyrshëm…, u shprehën ndër të tjera referuesit.

Nga ana tjetër, libri me poezi të mendimtarit islam e poetit, Burhan Fili vizaton mjeshtërisht me penën e tij artistike dhe me dialekt “gegnisht”  një mozaik poetik, ku gërshetohen në mënyrë harmonike disa tematika të ndryshme si: kultura fetare islame dhe kontributi i dijetarëve shqiptarë në fushën e besimit, atdhedashuria dhe malli për vendlindjen dhe natyrën e bukur shqiptare si: burrëria, bujaria, krenaria, familja dhe miqësia.

Një poezi që pasqyron atdhedashurinë dhe mallin për vendlindjen është poezia “Shkodër Loce”, në të cilën poeti e fton lexuesin me imagjinatën e tij letrare të shijojë bukurinë e natyrës shkodrane. Poeti vlerëson rolin drejtues të Shkodrës dhe banorëve të saj në historinë e Shqipërisë me kulturën e saj, duke krahasuar Shkodrën me Stambollin e Ballkanit:

Je nderu prej Perendis,

Për me kene ylli Shqipnisë!

Dje dhe sot dhe gjithmonë,

Ti je shpresë, ti je jehonë.

Qysh në mengjez të historisë,

Ti nishan i dhe burrnisë.

Vallë kush i ka këto bukuri?

Gërshetu: natyrë, njeri.

Porsi në gem e bukura mollë,

Ti n Ballkan ishe Stamboll.

Përveç saj, autori i këtij libri i kushton një rëndësi të veçantë rolit dhe shembullit të një udhëheqësi burrnor në shkallë botërore, pikërisht Presidentit të Turqisë, Rexhep Tajjip Erdogan, duke ia kushtuar atij një poezi titulluar: “Një  Minutë, Rexhep Tajjip Erdogani”!.

Në mbyllje të kësaj veprimtarie promovuese të librit me poezi “Pluhun n’ecje”, autori Burhan Fili para të pranishmëve mes të tjerave tha:

“….Kjo që jemi sonte manifeston një shprehje të mrekullueshme që ne natyrshëm duhet ta përcjellim përherë. Ky tubim dhe ky bashkim nuk duhet të quhet aksidentalisht, por duhet të jetë në vazhdimësi dhe me një bashkëpunim në mesin tonë, pa asnjë alergji. Falënderoj Lidhjen e Hoxhallarëve që ndërmori këtë hap dhe gjithë ato që punuan me orë të zgjatura, për të realizuar një libër të tillë që quhet “Pluhur n’ ecje”. Më shikoni mu këtu! Edhe unë kam qenë i vogël, kam qenë fëmijë, jam rrëzuar, jam çuar, jam rritur, udhëtoj gjithandej…Por, po ta shikosh në vetvete asgjë më tepër sesa një grusht dhe një vazo që përcillet nga dhoma në dhomë dhe endet poshtë e lartë, por është një vazo që nuk i harron rrënjët, nuk e harron tokën të cilën është mbjellë dhe detyrën për të prodhuar frytin. Në vetvete ne jemi një llambë nga këto llambat, drita nuk është e saj, drita vjen nga tjetër kush, pra shpirti që kemi ne është drita e Allahut xh. sh. Dhe nëse llamba digjet, drita se ka fajin, por është llamba. Secili nga ne kemi një skandencë në vete, nuk e shohim datën e skadencës, por ne duhet të përpiqemi që ta duam veten dhe ta ruajmë atë me kujdes. ” Pluhur n’ecje”; të gjithë jeni hoxhallarë pjesa më e madhe dhe dashamirë të hoxhallarëve lexues. Ekzistojnë disa  ajete dhe hadhithe të Pejgamberit a.s., të cilat bëjnë të qartë se si jemi krijuar dhe se si jemi zhvilluar, mirëpo ne duhet të dimë atë që jemi aq të mrekullueshëm nëse jemi me dritën e Allahut xh.sh., por nëse jemi të larguar prej asaj drite nuk jemi asgjë më tepër se sa një grusht dhe që endet poshtë e lartë…”!

Përgatitur nga Arben HALLUNI / trt

49