Në Tiranë vazhdon konferenca për institucionin e vakëfit në hapësirën ballkanike

Në Tiranë po zhvillohet konferenca shkencore ndërkombëtare me temë “Institucioni i Vakëfit në hapësirën ballkanike”, ku studiues nga Turqia, dhe disa shtete të Ballkanit   për dy ditë, pikërisht nga 15-16 shkurt me radhë do të referojnë temat e tyre.

Në ceremoninë e hapjes ishin të pranishëm drejtori i Përgjithshëm i Vakëfeve të Turqisë, Dr. Adnan Ertem, ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, drejtues të Fondacionit ALSAR, drejtues të institucioneve turke në Shqipëri, zyrtarë të institucioneve të Shqipërisë,  dhe shumë të ftuar.

Kryetari i Fondacionit ALSAR, Mehdi Gurra, gjatë fjalës në hapjes të konferencës tha se në qytetërimin Islam, institucioni i vakëfit, është udhëhequr dhe udhëhiqet nga parimet kur’anore dhe profetike.

Historia e Institucionit të Vakëfit në Shqipëri mund të ndahet në dy periudha: Vakëfet gjatë Periudhës Osmane, numri i të cilave nuk ka qenë i pakët dhe vakëfet pas shpalljes së pavarësisë. Mendoj se me të vërtetë, gjendja aktuale e vakëfeve në Ballkan, ka mbetur në mëshirë të fatit. Me organizimin e kësaj konference mendojmë që për rastin e Shqipërisë të vëmë në lëvizje sadopak, organet qeveritare që të përmbushin detyrën e tyre kushtetuese për kthimin fizik, ku është e mundur ose kompensimin e kësaj trashëgimie, që i është dedikuar adhurimit për Krijuesin dhe ndihmës për njerëzit në nevojë“, u shpreh Gurra.

Fjalë përshëndetëse në hapje të konferencës ndërkombëtare mbajtën edhe drejtori i Institutit Albanologjik të Prishtinës, Hysen Matoshi, si dhe rektori i Universitetit Selçuk, Mustafa Şahin.

Ndërsa, Ambasadori turk Yörük, duke e vlerësuar si të rëndësishme këtë konferencë, theksoi se vakëfet kanë luajtur një rol të rëndësishëm në Ballkan. “Të gjithë jemi dakord që në thelbin e konceptit vakëf ndodhet mirësia dhe dhembshuria, bërja mirë për të tjerët. Historiku i konceptit të vakëfit është një histori e gjatë e mbështetur në shekujt e kaluar. Duhet theksuar se institucioni i vakëfit arriti nivelin e tij më të lartë në traditën e shteteve turko-islame. Vakëfet kanë luajtur një rol të rëndësishëm edhe në Ballkan dhe ende vazhdojnë të luajnë një rol të rëndësishëm si elementë të paqes dhe qetësisë sociale. Ne, si Turqi jemi të vendosur gjithnjë e më tepër të shtojmë veprimtaritë tona për të mirën e Shqipërisë, për këtë vend mik dhe vëlla“, tha ndër të tjera ambasadori turk në Tiranë.

Drejtori i Përgjithshëm i Vakëfeve të Turqisë, Dr. Adnan Ertem, theksoi se vakëfet janë institucione të njerëzimit. “Nëse jemi duke folur për vakëfet edhe me shtetet e tjera sipas legjislacionit ndërkombëtar që duhet ti kthejnë këto prona. Këto janë vlera të njerëzimit. Studiuesit që janë këtu në këtë konferencë janë mbështetjeje për institucionet e vakëfit“, tha Ertem.

Konferenca organizohet nga Fondacioni ALSAR në bashkëpunim me Institutin Albanologjik të Prishtinës dhe Universitetin Selçuk të Konyas me mbështetjen e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), ndërsa referuesit janë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Turqia dhe Bosnjë-Hercegovina.

Në referatet e shumta do të hidhet dritë mbi institucionin e vakëfit në trevat ballkanike gjatë periudhës osmane, si një instrument thelbësor për mbarëvajtjen e jetës shoqërore, pa munguar dhe analiza për sfidat dhe perspektivat e tij në ditët e sotme.

Ky aktivitet intelektual synon të japë një pasqyrim të saktë të institucionit të vakëfit në rajon, dhe njëkohësisht të rëndësisë së tij.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne