Në vitin e 100-të të pushtimit, Jeruzalemi po përjeton ditët më të vështira

Jeruzalemi, të cilin britanikët e okupuan 100 vjet më parë, në këto ditë po përjeton një nga kohët më të vështira.

Okupimi i vazhdueshëm i Jeruzalemit që nga 9 dhjetori i vitit 1917 ka fituar një dimension të ri me planin i presidentit amerikan Donald Trump për ta njohur atë si “kryeqytetin e Izraelit”.

Që nga njoftimi i Trump për vendimin e Kudsit të mërkurën e kaluar, katër dëshmorë palestinezë janë vrarë dhe 487 palestinezë janë plagosur nga sulmet e forcave izraelite, të cilat gjithashtu kanë arrestuar gjithsej 150 palestinezë në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor.

Kudsi mbase tashmë është i vetmuar dhe i veçuar si kurrë më parë në histori, sepse afër tre milionë palestinezë që jetojnë në Bregun Perëndimor nuk mund të hyjnë në Kuds për shkak të murit që Izraeli ka ndërtuar rreth tyre. Gjithashtu, të ndaluar të hyjnë në Kuds e kanë edhe dy milionë palestinezë që jetojnë nën bllokadë në Rripin e Gazës.

Ndërkaq, rreth pesë milionë refugjatë palestinezë të shpërndarë në mbarë botën nga vendet e tyre janë të privuar të kthehen në Kuds, që është ëndrra më e madhe e tyre.

Sot numri i palestinezëve që jetojnë në Kudsin Lindor të pushtuar nga Izraeli është pak më shumë se 300 mijë. Ata përballen me shumë kërcënime dhe sfida, që nga shkatërrimi i shtëpive të tyre e deri në arrestim. Vendimi i Trumpit ka rritur zemërimin dhe zhgënjimin e njerëzve në qytet.

Historia e kohëve të fundit e Kudsit nga gjuha e njerëzve të vjetër

Nëse jetoni pak në qytet, do të dëgjoni vazhdimisht përsëritjen që bëjnë të vjetërit të cilët kujtojnë historinë në vitin 1967, kur Izraeli pushtoi Kudsin Lindor.

“Në kohët e mëparshme, njerëzit nga Gaza sillnin luleshtrydhe për të shitur në Kuds dhe njerëzit nga El Halil sillnin rrush dhe turkmenët portokaj. Kudsi ishte pika e takimit e të gjithë palestinezëve. Kryesisht të premteve mund të vërenit njerëz të ardhur nga mbarë vendi në Portën e Damaskut, e cila është një nga portat kryesore të qytetit të rrethuar me mure. Ndërkohë, tani edhe ata që mund të qëndrojnë këtu distancohen nga të mbledhurit përpara Portës së Damaskut. Madje edhe dyqanet i ulin qepenët e tyre ende pa u errësuar. Ushtarët pushtues presin në çdo cep me duart në këmbëzën e armës”, thonë ata.

Këto fjali në të vërtetë e shfaqin në mënyrë të qartë situatën ku ndodhej Kudsi. Si filloi procesi që e solli në këtë situatë Kudsin?

Për përgjigjen e kësaj pyetjeje duhet vajtur në periudhën e njëqind viteve më parë.

Procesi filloi më 9 dhjetor 1917

Kudsi, i cili është kibleja e parë e muslimanëve dhe në të cilin ndodhet Xhamia el-Aksa, ku profeti Muhamed (a.s) u nis në udhëtimin e Miraxhit, dhe e cili është shtëpia e vendeve më të shenjta të popullit të krishterë dhe hebrenjve, po përjeton ditë të vështira që nga largimi i sovranitetit osman në vitin 1917.

Okupimi i qytetit nga mandati britanik një shekull më parë ka qenë gjithashtu një lloj fillimi i mërgimit dhe luftës për palestinezët. Veprimtaria e hebraizimit të Kudsit fitoi vrull pasi Izraeli pushtoi pjesën perëndimore të qytetit në vitin 1948 dhe në vitin 1967 pjesën lindore.

Izraeli, i cili u tërhoq nga Gaza në vitin 2005, që nga ajo kohë e deri tani ka shkaktuar një krizë njerëzore në rajonet që mban në okupim dhe gjithashtu vazhdon politikat e tij hebraike në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor të cilin e ka shpallur si kryeqytet duke e aneksuar drejtpërdrejtë.

Duke përfituar nga lufta civile në Siri, Izraeli ka njoftuar aneksimin e Lartësirave të Golanit, të cilat i ka patur nën pushtim edhe dy vjet më parë.

Arabët palestinezë 5 qershorin e përkujtojnë si “Jevmu’n Nekse” (Dita e Humbjes), kur filloi Lufta Gjashtëditore, që rezultoi me pushtimin e Bregut Perëndimor, Kudsit Lindor, Rripit të Gazës, Gadishullit të Sinait dhe Lartërsirave të Golanin nga Izraeli në vitin 1967.

Kudsi Lindor është pa dyshim vendi ku ndihet në mënyrën më intensive pushtimi izraelit, i cili po vazhdon për saktësisht 50 vjet.

Qëndrimi i komunitetit ndërkombëtar

Historia e pushtimit izraelit në Kudsin Lindor që vazhdon që prej gjysmë shekulli është si më poshtë:

Statusi i Kudsit Lindor është një nga pengesat më të mëdha për zgjidhjen e çështjes palestinezo-izraelite. Në planin e publikuar në vitin 1947 nga Kombet e Bashkuara (UN) për të ndarë territoret historike palestineze në mes të hebrenjve dhe arabëve, parashikohej që Kudsi t’i nënshtrohet një statusi të veçantë dhe të kontrollohej nga komuniteti ndërkombëtar.

Arsyeja për këtë status të veçantë që iu dha Kudsit ishte se ai ishte një qytet i shenjtë për tri fetë abrahamike.

Forcat cioniste pushtuan perëndimin e Kudsit në luftën e vitit 1948. Pasi e mori nën kontroll edhe Kudsin Lindor në vitin 1967 që ishte i rrethuar me mure nën kontrollin e Jordanisë, Izraeli duke shkelur të drejtën ndërkombëtare shpalli se në qytet ishin të vlefshme ligjet izraelite. Në këtë mënyrë, Izraeli aneksoi de fakto Kudsin Lindor.

Parlamenti izraelit me një ligj të miratuar në vitin 1980 e deklaroi Kudsin si “kryeqyetin e bashkuar” të Izraelit bashkë me pjesët perëndimore e lindore të tij. Kështu, aneksimi i Kudsit Lindor u bë zyrtar.

Si përgjigje, Këshilli i Sigurimit i OKB-së (KS-OKB) në vitin 1980 miratoi Rezolutën 478, e cila shfuqizoi deklaratën e Izraelit për shpalljen e Kudsit Lindor kryeqytet duke e aneksuar atë.

Komuniteti ndërkombëtar, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara, Kudsin Lindor e konsideron të okupuar.

Nga ana tjetër, deri të mërkurën e kaluar, kur Trump deklaroi njohjen e tij si kryeqytet të Izraelit, asnjë vend nuk e njihte Kudsin Lindor apo Perëndimor si kryeqytetin e Izraelit.

SHBA-të me vendimin e Trumpit u bënë vendi i parë që njohin Kudsin si “kryeqytet të Izraelit”. Qeveria Trump, e cila është përballur me reagimet e komuniteti ndërkombëtarë, ka injoruar paralajmërimet se ky vendim do ta tërheqë në kaos rajonin dhe do ta bëjë edhe më të pazgjidhshme mosmarrëveshjen izraelito-arabe.

Të gjitha ambasadat e vendeve që njohin Izraelin ndodhen në Tel Aviv. Sipas vendimit të Trump, SHBA-të do të zhvendosin ambasadën e saj nga Tel Avivi në Kuds.

Aneksimi në mënyrë të jashtëligjshme i Kudsit Lindor nga Izraeli në ligjin ndërkombëtar nënkupton shkeljen e parimit se “Forcat pushtuese nuk kanë të drejtë të sundojnë mbi territoret që pushtojnë”.

Shtetas të asnjë vendi

Megjithë aneksimin de fakto të Kudsit Lindor nga Izraeli, palestinezët që jetojnë këtu nuk konsiderohen si qytetarë izraelitë dhe nuk gëzojnë përfitimet e shtetësisë. Rreth 420 mijë palestinezë që jetojnë në Kudsin Lindor kanë një leje qëndrimi të përhershme në qytet me “Kartën e Identitetit të Kudsit” të dhënë nga autoritetet izraelite.

Palestinezët në fjalë në të njëjtën kohë kanë edhe pasaporta jordaneze, por këto pasaporta nuk kanë as numra të shtetësisë. Për këtë arsye, palestinezët e Kudsit Lindor të cilët nuk konsiderohen plotësisht qytetarë jordanezë, nuk kanë të drejtën të përfitojnë nga shrëbimet për punësimin dhe shërbimet shtetërore në Jordani.

Qindra mijëra palestinezë në Kudsin Lindor jetojnë “pa shtet” sikur të mbetur në harresë, sepse nuk kanë as nënshtetësi jordaneze, as izraelite dhe as palestineze.

14 mijë palestinezë të dëbuar nga Kudsi Lindor

Palestinezëve të cilët kanë leje qëndrimi të përhershme në qytet, me “Kartën e Identitetit të Kudsit” të siguruar nga autoritetet izraelite, gjithashtu mund t’u merren këto të drejta me arsye të ndryshme. Për këtë shkak, mbi 420 mijë palestinezë në Kudsin Lindor jetojnë me frikën e dëbimit në çdo moment nga qyteti i tyre i lindjes.

Palestinezët në Kudsin Lindor duhet të plotësojnë një sërë kërkesash të vendosura nga Izraeli në mënyrë që ata të vazhdojnë të jetojnë këtu. Palestinezëve që jetojnë jashtë Kudsit Lindor për një periudhë të caktuar, në një vend të huaj ose në Bregun Perëndimor, u merret e drejta për t’u kthyer në qytetin e tyre, duke u anuluar lejet e tyre të qëndrimit.

Ndërkaq, palestinezët që nuk lejohen të ndërtojnë shtëpi në Kudsin Lindor teksa në këtë mënyrë janë të detyruar të largohen nga qyteti, ndërkohë që përcaktohen se banojnë jashtë Kudsit, janë gjithashtu të penguar të kthehen në qytetin e tyre. Përfshirja e një prej anëtarëve të familjes në sulme, që Izraeli i përshkruan si “terror”, konsiderohet të jetë shkaktar që e gjithë familja të dëbohet nga Kudsi.

Sipas organizatës izraelite B’Tselem për të drejtat e njeriut, mësohet se Izraeli që nga viti 1967 e deri tani i ka anuluar lejet e qëndrimit 14 mijë palestinezëve dhe i ka dëbuar jashtë Kudsit Lindor.

Përballë kësaj, Izraeli, nga ana tjetër, inkurajon të gjithë hebrenjtë që të vijnë në Izrael, të marrin nënshtetësinë dhe të vendosen për të banuar kudo që duan, duke përfshirë edhe Kudsin Lindor.

Në Kudsin Lindor jetojnë ilegalisht 200 mijë kolonë hebrenj

Projektet ndërtimit të vendbanimeve ilegale hebrenje që synojnë forcimin e kontrollit të Izraelit në Kudsin Lindor janë të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar. Sipas rezolutave të ndryshme që OKB-ja ka miratuar, është e ndaluar që “një forcë pushtuese të mbartë popullsi në territoret e pushtuara”.

Izraeli, i cili e shpërfill këtë ndalim, që nga viti 1967 ka ndërtuar shumë vendbanime të hebreve në Kudsin Lindor. Më shumë se 200 banorë hebre jetojnë sot në këto vendbanime të paligjshme Kudsin Lindor.

Në vendbanimet hebrenje në Kudsin Lindor që janë të mbrojtura nga policia dhe ushtarët është e ndaluar të hyjnë të tjerë, përveç hebrenjve. Këto vendbanime, disa prej të cilëve ndodhen në mes të lagjeve palestineze, kanë rrethuar qytetin.

Planet për ndërtimin e vendbanimeve hebrenje, të iniciuara në vitin 1967 nga qeveria izraelite nën drejtimin e Partisë Laburiste të krahut të majtë, kanë vazhduar pa ndërprerje nga të gjitha qeveritë që erdhën më vonë në krye të shtetit. Së fundmi, muajin e kaluar, qeveria izraelite vendosi të ndërtojë 15 mijë shtëpi të reja për kolonët hebrenj në Kudsin Lindor.

Sipas televizionit izraelit “Channel 2”, qeveria izraelite deri tani ka shpenzuar 20 miliardë dollarë për vendbanimet ilegale në Kudsin Lindor dhe në Bregun Perëndimor.

Palestinezët pengohen të ndërtojnë shtëpi

Çdo shtëpi e shtuar nga Izraeli në këto vendbanime nënkupton ndryshimin e strukturës demografike në favor të hebrenjve. Autoritetet izraelite në njërën anë zgjerojnë vendbanimet hebrenje dhe në anën tjetër pengojnë popullsinë arabe të vendosur në qytet të ndërtojnë ndërtesa të reja.

Në qytetin ku është pothuajse e pamundur që një palestinez të marrë leje nga komuna izraelite për të bërë një shtëpi, bëhet e ditur se rreth 20 mijë shtëpi që i përkasin palestinezëve janë nën rrezik të prishjes nga forcat izraelite me arsyetimin se ato janë “pa leje”. Skuadrat bashkiake herë pas here shkatërrojnë këto shtëpi dhe shpenzimet e shkatërrimit ia ngarkojnë palestinezëve për t’i paguar.

Qyteti ndahet nga palestinezët me Murin e Ndarjes

Katër nga 420 mijë palestinezë në Kudsin Lindor nuk mund të kalojnë në pjesë të tjera të qytetit për shkak të Murit të Ndarjes të ndërtuar në vitin 2003. Lagjet me popullatë intensive si Ebu Dis, Ezerije, Kufr Akab janë ndër zonat që janë ndarë në këtë mënyrë nga qyteti.

Muri i Ndarjes gjithashtu bllokon kalimin e rreth tre milionë palestinezëve në Bregun Perëndimor drejt Kudsit Lindor. Askush në Rripin e Gazës me një popullsi prej dy milionë banorësh nuk mund të kalojë as në Bregun Perëndimor, as në Kudsin Lindor. Kështu, Kudsi Lindor është shkëputur nga brendësia e tij dhe izolohet nga palestinezët.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne