Nebi Qena, gazetar i AP’së nuk lejohet të mbulojë takimin Netanyahu – Princi William për shkak se është mysliman

​Gazetarit kosovar të agjencisë ndërkombëtare të lajmeve, Associated Press, Nebi Qena, të martën i është ndaluar të përcjellë një vizitë të princit William të Britanisë në rezidencën zyrtare të kryeministrit të Izraelit, pasi agjentët izraelitë të sigurisë e kanë pyetur atë për fenë e tij dhe për origjinën etnike.

 

Qena, kryeproducent televiziv i AP’së për territorin e Izraelit dhe të Palestinës, është ndaluar në hyrje të rezidencës së Benjamin Netanyahut për 45 minuta, duke bërë që ai të mos arrinte të përcillte ngjarjen, përderisa gazetarët e tjerë janë lejuar të hyjnë.

 

Zyra e Netanyahut më vonë ka kërkuar falje, duke thënë se gjithçka ka qenë “gabim njerëzor”.

 

Qena, shqiptar, i lindur në Kosovë, ka edhe pasaportë të Shqipërisë. Ai punon në AP që 10 vjet, ndërsa tri vite i ka kaluar në Jerusalem.

 

Ai ka thënë se është pyetur vazhdimisht nga rojat e sigurisë për “origjinën etnike” të tij. Kolegët e tij nga AP, që ishin në vend të ngjarjes, por edhe ata në redaksinë e agjencisë në Jerusalem, janë pyetur nga ndihmësit e Netanyahut për fenë e Qenës, dhe nëse ai është mysliman, teksa ata janë munduar t’i sigurojnë atij hyrjen në rezidencën e kryeministrit izraelit.

 

Qena ishte akredituar për ta përcjellë ngjarjen dhe ishte siguruar se do t’i lejohej hyrja. AP ishte paraparë ta xhironte ngjarjen në shërbim të mediave ndërkombëtare.

 

“Associated Press e dënon këtë verifikim ashiqare etnik dhe fetar të një gazetari të AP’së dhe i bën thirrje zyrës së kryeministrit që të ndërpresë menjëherë këto praktika të anshme”, ka thënë Lauren Easton, drejtore për marrëdhënie me media të AP’së.

 

Mediat ndërkombëtare edhe në të kaluarën janë ballafaquar me probleme të ngjashme me sigurimin izraelit, për shkak të verifikimit etnik.

 

Zyra e Netanyahut ka thënë se incidenti me Qenën është shkaktuar nga një “gabim njerëzor”. Ajo ka paralajmëruar se rasti “do të hetohet dhe do të ndërmerren menjëherë ndryshime të nevojshme”.

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne