Nën presionin e Izraelit, Senati Irlandez shtyn votimin për projekt-ligjin kundër vendbanimeve

Nën presionin e regjimit të Tel Avivit, senati irlandez ka shtyrë një votim mbi një projekt-ligj që ndalon shitjen dhe importin e produkteve nga vendbanimet izraelite, si dhe shërbimet që vijnë nga territoret e pushtuara.

Projektligji, i titulluar “Kontroll i Aktivitetit Ekonomik (Territoret e okupuara)” thotë se është “antiligjore që një person të shesë ose të importojë mallra ose shërbime me origjinë nga një territor i pushtuar ose në rrethana të caktuara të përfitojë nga burimet e një territori të okupuar.”

Ai gjithashtu thotë se ata që “ndihmojnë një person të importojë ose që përpiqet të importojë mallra nga vendbanimet në tokat e pushtuara do të konsiderohet një krim i dënueshëm deri në pesë vjet burgim.

Senati irlandez e debatoi mocionin të martën. Senatorja Frances Black, e cila kishte paraqitur mocionin, i përshkroi vendbanimet izraelite në Bregun e okupuar, Jeruzalemin Lindor dhe lartësitë e Golanit si një “krim lufte”.

Ajo gjithashtu theksoi se projektligji kundër vendbanimeve ishte në të vërtetë i lidhur me respektin për të drejtën ndërkombëtare dhe qëndrimin në krah të të drejtave të njerëzve të dhunuar.

“Është një shans që Irlanda të deklarojë fuqishëm se nuk e mbështet konfiskimin e paligjshëm të tokës dhe është kundër vuajtjeve njerëzore”, tha Black.

“Në territoret e pushtuara palestineze, njerëzit janë nxjerrë me forcë nga shtëpitë e tyre, toka bujqësore u është konfiskuar dhe si për ti paguar të gjitha këto, frutat dhe perimet e prodhuara eksportohen”, shtoi ajo.

Një grup aktivistësh izraelitë, mes tyre ish-ligjvënës, ambasadorë, ekspertë ligjorë, artistë dhe akademikë, i dërguan parlamentit irlandez një peticion ku i kërkonin që ai të mbështeste mocionin.

“Ata i kërkuan Irlandës të mbështesë çdo legjislacion që do të ndihmojë imponimin e dallimeve ndërmjet Izraelit në vetvete dhe vendbanimeve në territoret e pushtuara”, thoshte peticioni. “Okupimi izraelit i territoreve përtej kufijve të vitit 1967, që vazhdon pa fund për më shumë se 50 vjet, nuk është vetëm padrejtësi, por shkel edhe shumë rezoluta të OKB-së”.

Megjithatë, Senati irlandez papritmas vendosi të shtyjë debatet lidhur me projekt-ligjin deri në korrik. Ministri i Jashtëm irlandez Simon Coveney kishte kërkuar për më tepër kohë … Ai është angazhuar me shkrim se nëse debati shtyhet sot, qeveria do ta beje me të lehtë që ky debat të rifillojë para pushimeve ne korrik”, tha Senatorja Alice Mary Higgins.

Anulimi erdhi pasi kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu dënoi projekt ligjin irlandez, duke thënë se ai kërkon të dëmtojë regjimin dhe të mbështesë lëvizjen botërore, Bojkot, Çlirim dhe Sanksionim (BDS), e cila lufton për të drejtat palestineze.

“Nisma u jep mbështetje atyre që kërkojnë të bojkotojnë Izraelin dhe që plotësisht shkelin parimet udhëzuese të tregtisë së lirë dhe drejtësisë”, tha zyra e Netanyahut në një deklaratë të lëshuar të martën.

Kryeministri izraelit urdhëroi më tej Ministrinë e Jashtme që të thërrasë ambasadoren irlandeze Alison Kelly në Tel Aviv.
Rreth 600,000 izraelitë jetojnë në mbi 230 zona vendbanimesh të ndërtuara në mënyrë të paligjshme që nga pushtimi i territorit palestinez më 1967.

Zgjerimi i vazhdueshëm i vendbanimeve izraelite është një nga pengesat kryesore për vendosjen e paqes në Lindjen e Mesme.

Muajt e fundit Tel Avivi ka rritur aktivitetet e ndërtimit të vendbanimeve në tokat palestineze të okupuara, në shkelje të hapur të së drejtës ndërkombëtare dhe në kundërshtim me Rezolutën 2334 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara./Press/Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne