Ky është apeli mbase edhe kritika e Dr. Mustafa Bajramit që u ka bërë sot imamëve të Kosovës.

Në faqen e tij në Facebook por edhe nëpër ligjëratat e tij, Dr. Bajrami kohëve të fundit ka ngritur zërin për një reformë, siç thotë ai, në interpretimin e Islamit. Sipas tij, feja islame ka nevojë për një qasje të re tek ne. Është tepruar me refrene që për dekada përsëriten nëpër xhamitë tona. Hoxhallarët duhet të lexojnë më shumë, sepse, edhe xhemati i tyre nuk është ai që ka qenë në të kaluarën. Janë të papranueshme ligjëratat ku shpjegohen histori të stërzgjatura nga e kaluara, mendon Dr. Mustafa Bajrami.

Sipas tij, historia e përmendur në Kuran, nuk është histori sa për të treguar ngjarje apo emra, por është shkencë e cila ofron fakte nga e kaluara, fakte këto që duhet marrë si mësim për të tanishmen dhe të ardhmen e shoqërisë. Kurani përmend historinë me shembuj, e shembujt sipas tij, janë elemente që e bëjnë Kuranin të pavdekshëm, sepse shembulli është ai që jeton, përdorët dhe modifikohet nëpër kohë të ndryshme.

Në një nga postimet e tij në Facebook ai pati thënë se feja duhet të jetë e ndarë nga politika, sikur që, edhe politika duhet ti qëndroj larg fesë. Por, kjo, nuk do të thotë se politikanët nuk bënë të jenë praktikues te fesë, apo se feja nuk mund t’i shërbej politikës, për kundrazi, sipas tij, feja është një shkollë e fortë edukative që do t’i hynte secilit në punë, natyrisht nëse ajo shpjegohet drejtë dhe paralel me dinamikat e kohës.

Më poshtë, lexojeni postimin e plotë në llogarinë e tij në Facebook.

APEL!
Imamë të nderuar!
Folni nëpër xhami për problemin “Balena e Kaltërt”, ngriheni zërin kundër këtij tmerri që po përhapet gjithandej. Folni për problemet që po u vijnë fëmijëve tanë nga lojërat e internetit, nga përdorimi enorm i celularëve. O imamë, gjeni argumente në Kuran, në hadith dhe gjetiu për t’i demaskuar këto marrëzira. Mundohuni t’i ikni ligjërimeve të thata, shterpe. Leni pak mënjanë hazreti jusufat dhe tema të ngjashme. Në ligjëratat tuaja ata përmendni vetëm si shembuj, jo si histori, sepse edhe vetë Kurani i përmend si shembuj, asgjë më shumë.
Imamë të xhamive tona!
Ikni refreneve, ikni debateve shterpe rreth medhhebeve, asgjë nuk na vyen ato. Luane rolin e edukatorëve, mësuesve, sepse të tillë jeni, jo rolin e historianëve, politikanëve, aq më pak të “vendimmarrësve” se kush në xhennet e kush në zjarr. Është punë e Zotit kjo, jo e juaja e as e jona.
Zotin në ndihmë e librin mbajeni në dorë…!/kosovapost

39