Netanjahu pranon se pas akuzave për komplote vrasjesh që i bën Iranit qëndron Izraeli

Kryeministri Benjamin Netanjahu e ka pranuar se Izraeli qëndron prapa atyre që Irani i quan “sulme të rreme” (false flags) në Evropë, ku Teherani është akuzuar për komplote vrasjesh.

Netanjahu të enjten pohoi se Izraeli kishte zbuluar kohët e fundit një numër “komplotesh iraniane për të kryer sulme në tokën evropiane”.

Duke folur me gazetarët pas bisedimeve me homologun e tij bullgar në Sofje, Netanyahu tha se e kishte “paralajmëruar” Evropën për ato që ai i quajti “sulme të mundshme iraniane në tokën e saj”.

Ai nuk dha detaje të mëtejshme por komentet e tij ishin një tregues se akuzat e ngritura kohët e fundit nga Belgjika dhe Danimarka kundër Iranit ishin shtyrë dhe nxitur nga regjimi izraelit.

Në qershor, autoritetet belge thanë se diplomati iranian Assadollah Assadi ishte arrestuar mbi dyshimet për komplotimin e një sulmi me bombë në një takim të organizatës terroriste Mujahedin Khalq (MEK). Gjermania më vonë e ekstradoi diplomatin iranian në Belgjikë.

Më vonë, më 30 tetor, shefi danez i inteligjencës Finn Borch Andersen pohoi se një person i inteligjencës iraniane ishte përpjekur të bënte një komplot për të vrarë një figurë opozitare arabo iraniane në tokën e Danimarkës.

Policia suedeze e sigurisë tha gjithashtu se një shtetas norvegjez me origjinë iraniane ishte arrestuar më 21 tetor në lidhje me komplotin e dyshuar dhe u ekstradua në Danimarkë.

Mediat izraelite më vonë zbuluan se agjencia izraelite e spiunazhit Mosad i kishte ofruar Danimarkës informacione sekrete në lidhje me komplotin e supozuar nga Teherani.

Ministri i Jashtëm iranian Mohammad Javad Zarif tha të mërkurën se të tillë “sulme të rremë” (flase Flags) nga Tel Avivi do të dështojnë të dëmtojnë lidhjet e Teheranit me botën.

Në një mesazh ne Twitter Zarif tha, “Implementimi pervers dhe kokëfortë i sulmeve të rreme vetëm se e forcojnë vendosmërinë tonë për t’u angazhuar në mënyrë konstruktive me botën”.

Zarif më vonë postoi një “kronologji të programit të Mosadit për të shkatërruar JCPOA-n”, dhe tha se ngjarjet nuk ishin nje “seri e jashtëzakonshme e rastësisë”.

Paralajmërimet e regjimit izraelit për komplotet e pretenduara iraniane në Europë janë pjesë e fushatës së tij për t’i bërë presion vendeve evropiane që të marrin një qëndrim më të ashpër ndaj Teheranit, pasi fuqitë e BE-së – Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe – po punojnë me Iranin kundër sanksioneve të SHBA-së.

Përpjekjet evropiane për të mbajtur marrëdhëniet e biznesit me Iranin vijnë në një kohë që SHBA dhe aleatët e saj rajonalë kanë punuar shumë për të bindur botën për të bashkëpunuar në zbatimin e sanksioneve të reja që do të imponoheshin ndaj Iranit pas 5 nëntorit.

Irani dhe Evropa në shtator vendosën të ngrenë një kanal të veçantë pagesash për të lehtësuar transaksionet midis bizneseve të tyre në kundërshtim me sanksionet amerikane.

Kanali lidhës u prezantua për herë të parë në një takim ministror midis Iranit dhe nënshkruesve evropianë të JCPOA-s që u mbajt në Nju Jork në shtator.

Presidenti Donald Trump njoftoi në maj se Uashingtoni po largohej nga marrëveshja bërthamore me Iranin, pasi me parë i kishte hequr sanksionet kundër Teheranit në këmbim të kufizimeve për programin bërthamor të Teheranit.

Raundi i parë i sanksioneve amerikane hyri në fuqi në gusht, duke synuar qasjen e Iranit drejt dollarit amerikan, tregtimin e metaleve, qymyrin, softueret industriale dhe sektorin e automjeteve. Një raund i dytë që do të nisë në 5 nëntor do të synojë sektorin e energjisë në Iran dhe transaksionet financiare./press/Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne