Neurokirurgu më i mirë shqiptar flet për shëndetësinë kosovare

Neurokirurgu i njohur shqiptar, Dr. Mentor Petrela, konsideron se Kosova ka nevojë për reforma të mëtutjeshme në shëndetësi dhe investime në edukimin e gjeneratave të reja. Ai thotë se mjekët kosovarë po i realizojnë standardet, por kanë edhe përgjegjësi përballë pacientëve
Pacientët shqiptarë me probleme në shëndetin nervor, kanë një pikë reference nga të gjitha anët. Duke u përballur me raste nga më të ndryshmet të goditjeve në tru, neurokirurgu Mentor Petrela, i njeh mirë edhe shkaqet e tyre.

Në një intervistë për Gazetën Shneta, mjeku Petrela flet për shëndetin nervor të shqiptarëve në përgjithësi, për reformat që duhet t’i ndërmarrë Kosova në shëndetësi, si dhe investimet që duhet t’i bëjë për gjeneratat e ardhshme.

Doktor Petrela vlerëson se shqiptaret si popullatë evropiane nuk vuajnë specifikisht nga ndonjë sëmundje e veçantë e sistemit nervor.

“Pasoja të mënyrës së jetës, të ambientit, konsumi i kripës, sheqernave, duhanit, aktiviteti fizik, mungesa e kulturës së ushqyerjes si dhe normat e shëndetit publik që kanë ndryshuar në BE të gjitha përbëjnë faktorët që influencojnë shëndetin dhe sistemin nervor”, thotë ai.

Petrela shton se goditjet në tru ose stroke në moshën e re lidhen më tepër nga keqformimet ose anomalitë në muret dhe rrjetin e arterieve e venave e shfaqen më tepër me hemorragji. Ndërsa në moshat e rritura, thekson doktori, goditjet vijnë nga arterioskleroza e enëve të gjakut të mëdha, degjenerimi i enëve të vogla me pasojë bllokimin ose çarjen e mureve të tyre kryesisht në origjine janë hipertensioni dhe diabeti.

Sikurse në Kosovë, edhe në sistemin shëndetësor në Shqipëri vazhdojnë përballjet me mungesë të pajisjeve.
Pas qëndrimit në Burrel gjatë kohës së komunizmit, Petrela ka filluar punën në neurokirurgji në Spitalin “Frederik Shiroka”, tani QSUT “Nënë Tereza”, ku ende vazhdon. Ai deklaron se e ka të gatshëm projektin për zhvillimin e klinikës, kurdo që këtë ia kërkon administrata.

“Neurokirurgjia kërkon të dish të kesh mjetet e duhura në kohën e duhur, në të njëjtin raport me vendet e OCDE. Zhvillimi i teknologjive edukimi i vazhdueshëm janë sfida që varen nga PIB i vendit. Pajisjet që ka shërbimi i përgjigjen nivelit të OCDE por niveli edukimit jo. Këto vende nuk rrinë në vend numëro kështu që investime të tjera do të duhen. A do t’i arrij, nuk e di por gjithnjë kam një projekt gati për t’i kërkuar administratës”, shprehet Dr. Petrela.

Neurokirurgu shqiptar është anëtar i Akademisë Botërore të Neurokirurgjisë dhe anëtar korrespodent i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Doktori tregon se vazhdimisht përgatitet për të paraqitur eksperiencën së bashku me stafin në forumet ndërkombëtare.

“Ne shqiptarët si kroatet, serbet e sllovenët jemi shumë pak, 3 në 1000 banorë të rruzullit, për ekzistencializëm duhet të jemi shumë aktiv”, konsideron Petrela.

Kosova, nevoja për reforma dhe investime në edukim

Neurokirurgu shqiptar thotë se pacientët nga Kosova kanë filluar të kërkojnë shërim në Shqipëri që prej vitit 1992, me dezintegrimin e Jugosllavisë. Ai shprehet kritik për investimet që bëhen në shëndetësi, duke thënë se shërbimi shëndetësor krahasohet me nivelin ekonomik, shkruan Gazeta Shneta.

“Shëndeti nuk ka çmim por ka kosto që varet nga ekonomia e vendit. Nuk mund të pretendosh të kesh shërbim mjekësor të nivelit të BE ose ShBA ku mesatarja e shpenzimeve për shëndetin është rreth 10% e PIB dhe në 2050 mund te dyfishohet megjithatë pa rënë në pesimizëm edukimi është ai që ka koston më të ulët që mund të nivelojë deri diku diferencat”.

“Kjo është e pafalshme sot, në diktaturë lexohej më tepër është e dhimbshme ta them. Digjitalizimi është një mundësi e jashtëzakonshme që edukimit në mjekësi të gjeneratës aktuale t’ju zgjojë dëshirën për të studiuar”, deklaron Petrela.

Mjeku shqiptar konsideron se kolegët e tij në Kosovë po bëjnë përpjekje për t’i realizuar standardet dhe për ta ruajtur besimin tek pacienti. Megjithatë, ai nuk i heq nga përgjegjësia që kanë ndaj tyre.

“Sistemi shëndetësor në Kosovë do të kalojë etapat që kemi njohur të gjithë që janë ato të zhvillimit dhe duhet durim pasi reformat në shëndetësi nuk janë të thjeshta pasi ka shumë aktorë dhe mjekët nuk janë gjithnjë përgjegjës por janë pjesa me e dukshme e sistemit përballë pacientëve e sëmundjes”, shprehet Petrela.

Ai shton se në etapa të tilla sikurse Kosova kanë kaluar edhe vendet si Italia, kur pacientët e këtij vendi kanë kërkuar shërim në Francë.

“Kur punoja në Paris kishte shumë pacientë italianë që i asistoja për përkthim dhe nuk reshtnin duke sharë mjeket e sistemin shëndetësor të tyre. Me investimet që bëri Italia pas viteve 1980 situata ka ndryshuar shumë”.

“Në Kosovë ka specialistë shumë të mirë që kanë një bazë edukimi e cila u dëmtua në një dekadë por nuk është fundi, asgjë, keni energjinë është e rikuperueshme do durim pasi mos harroni se përpara 1990 keni pasur elita mendjehapura që gjithsesi kanë ndikuar”, thekson doktori Petrela.

Në fund të intervistës, neurokirurgu thotë se sfidat kirurgjikale janë të lidhura me evolucionet teknologjike dhe zbulimeve biologjike.

“Përballë evolucionit të teknologjisë që natyrisht është i pashmangshëm por që shkon paralelisht me ekonominë. Motoja e shoqërisë shqiptare kudo që ajo jeton duhet të jetë e kam thënë disa herë EDUKIM EDUKIM EDUKIM”, përfundon ai.

Dr. Mentor Petrela pritet të vijë në Prishtinë gjatë vitit të ardhshëm në Kongresin e Dytë të Neuroshkencave.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne