Nga Fjolla SPANCA: Lehtësia e të qenit e lirë në botë burgu

 (Grave që e kanë mohuar botën për ta njohur gruan brenda vetes)

Ka kohë që sa herë shoh rrotull më duket sikur bota po ngushtohet dhe njeriu sforcohet me a pa vetëdije, duke fshehur veten, mendimin, dëshirën apo ëndrrën. Fshehja ose mbulimi është, si të thuash, një mënyrë më pak e vështirë për t’u pranuar nga shoqëria, e cila përditë pëson ndryshime, gati të pakuptueshme në raport me kapacitetet e veta mendore e shpirtërore. Kështu, duke jetuar në shoqëri tejet komplekse dhe pak të hapura, mes njerëzish të çiltër e cinikë, njeriu mësohet të veçohet dhe të tjetërsohet.

Në udhëtimet e mia modeste, në përpjekje për të mos u izoluar, shpesh jam takuar me gra botësh të ndryshme, prej të cilave kam arritur të “vjedh” pak nga ylberi shumëngjyrësh që bartnin në kraharor. Ato kanë qenë gra që punonin nëpër fusha, gra të cilat sfidonin burrat, gra që rrisnin e edukonin fëmijë, gra që ushqenin familjet, gra që studionin e gra që dashuronin. Të gjitha të ndryshme dhe po aq të ngjashme, të buzëqeshura e të vuajtura, të çliruara, por edhe të mohuara. Kam takuar edhe gra që visheshin me shije, që mbulonin flokët me pëlhurë e ishin admirueshëm mendjehapura dhe paqësisht kërkuese.

Këto gra m’i kanë shkundur mendimet e kahershme, ani që politikat e nxjerra prej një grusht njerëzish kanë prodhuar një diskurs paragjykues e përjashtues, i cili buron prej epistemës së ndërtuar ndër shekuj, nëpërmjet së cilës gruaja s’është asgjë më tepër se “objekt” diskutimi kryesisht në mjedise mashkullore, ose “objekt” i përjashtuar nga debatet e përgjithshme.

“Mirënjohje kombëtare”

Me sa kujtohem, historikisht, lufta dhe beteja kanë qenë sinonim i aspiratave më të larta për burrat, pa dallim klase e statusi social. Ndërsa shërbimi ushtarak është parë gati përherë si nder e besnikëri ndaj atdheut. Ky tejvlerësim i burrërores në procesin e ruajtjes së mëmëdheut dhe fitores ndaj armikut ka nxitur urrejtje të theksuar për çdo element që asociohej me tiparet femërore, sepse në ndërdijen e superlativit mashkullor kjo nënkuptonte dobësi fizike dhe paaftësi.

Për dallim nga burrat, gratë në kohë trazirash janë parë si përkujdesëse dhe edukuese për fëmijët. Ato rrallëherë janë përfshirë në ushtri, se gati gjithmonë janë paragjykuar dhe nënvlerësuar. Rrjedhimisht, gratë kanë qenë përjashtuar nga lufta, sikurse burrat përjashtoheshin nga edukimi i fëmijëve.

Prej këtu vërejmë se si shoqëritë me a pa vetëdije ngrejnë kultin e “burrit-djalit” për shkak të forcës, ndërsa gruaja mbetet jo më shumë se “plaçkë lufte” në pronësi të mashkullit. Si e tillë, ajo është “armë lufte” me anë  së cilës ulet morali i kundërshtarit, ndërsa përdhunimi, gjymtimi ose keqtrajtimi i saj s’është asgjë më shumë se sa dëmtim i pronës së burrit.

Paradoksalisht, ani që roli i grave si riprodhuese është imperativ, ato vazhdimisht portretizohen si qenie pasive, të viktimizuara dhe pa autoritet, qoftë edhe në shoqëritë e pasura dhe të industrializuara. “Nënat heroina” që garantojnë të ardhmen e shtetit nëpërmjet biologjisë së tyre, të çarmatosura moralisht nënvlerësohen për punën brenda ose jashtë mureve të shtëpisë, ndërsa “çmohen” veç kur janë të detyruara të lindin sa më shumë fëmijë, bile mundësisht djem.

Perceptime në ndryshim

Në shoqëritë industriale, ku materializmi lulëzon bujshëm, që gjërat të fitojnë vëmendje dhe popullaritet duhet domosdo një goditje kundër tradicionales, e paralelisht një frymë e re që jo zorshëm shpëlan mendjen e njeriut sipërfaqësor të kohës sonë. Njeriu modern, i tronditur prej dinamikës së ngjarjeve dhe shumësisë së informacionit, e ka komplekse jetën deri në pikën ku s’dallon më virtualen prej reales. Kështu, një soj “neutraliteti gjinor” që e ka pllakosur shoqërinë është sa i çuditshëm, po aq i rrejshëm. Le të shohim për pak gratë që vishen me xhinse, si punëtorët amerikanë dikur. Ne supozojmë se kjo është shenjë civilizimi, ani se gardëroba femërore shpesh dizajnohet prej burrave që frymëzohen nga partnerët e tyre, burra. Tendencat e fundit kapen me gratë që mohojnë feminitetin dhe tëhuajsojnë individualitetin e tyre. Ose, prej krahut tjetër po aq ekstrem, vijnë modele grash të mbingarkuara, pothuajse të plastifikuara.

Të tilla gra sheh në parlament, në ministri, në industri mode, në arsim, në ushtri a në polici. Gra ngado. Dhe sa mirë që janë kudo, se në shoqëritë ku gjërat bëhen “sa për sy e faqe” edhe kjo pjesëmarrje ka bereqetin e vet. Ama, aktivizimi me a pa meritë, i detyrueshëm apo i lirë, rreshton pikëpyetje jo pak të rëndësishme lidhur me thelbin e forcës lëvizëse të gruas. A është gjithë kjo lëvizje një hipokrizi mediatike për të pluhurosur shpërfytyrimin e gruas, apo metodë për të zhvlerësuar ato gra që s’kanë pasur mundësi e as fuqi për t’u larguar nga shtëpia e për t’u “akademizuar”? Në mos ikja, qëndrimi brenda mureve të shtëpisë a mund të rikonceptohet si kontribut i çmuar e jo më pak i vyer se ulësja e një deputeteje në parlament, pa i hequr kësaj të fundit asnjë grimcë merite e rëndësie? A mund të rimendohet për nënat ose gratë që vazhdojnë të pastrojnë shtëpitë e tyre me aq admirim sa për pedagoget e mësueset? Dhe, pa pikë turpi, a mund të pyesim veten në mund të mendojmë për gra të fuqishme dhe të zonja pa i njollosur jetëshkrimet e tyre?

Përpjekje për vetënjohje

Përditë çelen organizata joqeveritare me pseudoide për barazi gjinore. Në thelb, projektet e tilla kanë prodhuar mjaft shpesh paragjykime, keqkuptime, e kanë shumuar probleme mes gjinish. Pjesa dërrmuese e “tifozëve të ekzaltuar”, të thelluar në injorancë, janë vetëquajtur feministë. Si rrjedhojë, po shuhet natyrshmëria humane dhe po treten karakteristikat gjinore që i shtojnë bukurinë secilit individ. Kështu, gratë e cytura prej idesë së barazisë, vihen në kërkim të fajtorit pa u vetënjohur me aftësitë dhe kapacitetet e tyre.

Alain Badiou, kur shkruan për 1968-ën dhe shpërthimin e idealizmit të shumëmirëpritur, sjell ndërmend ata që menduan se shkollat nuk janë për të përgatitur qytetarë-konsumatorë, por për të vënë në lëvizje motorin e dijeve. Badiou thotë se pikërisht për këta qytetarë që luftuan për ruajtjen e “diferencave kulturore” vjen një ditë e ndryshimit të tyre; i formalizojnë në “tjetrin” e padëshiruar dhe të rrezikshëm.

Kësisoj, gratë në një farë forme, në vend që të luftonin sistemin e instaluar që cungon përditë e më shumë feminitetin e tyre, u janë qepur burrave dhe grave si të ishin armiqtë kryesorë. Pa mëshirë, gratë me shami, ato që mbyllen në shtëpi, gratë me ngjyrë ose mbipeshë, shpallen të pavlefshme deri në mohim.

Ndaj dhe Badiou na kujton tërbimin e feministëve për vajzat me shami, ndërkohë që trupi i prostituuar femëror gjendet kudo, pornografia shitet universalisht, dhe vajzat ekspozohen si mall i modelit të përgjithësuar. Qasja e Badiou-së e aktualizon të drejtën e gruas për të qenë e paprekshme, paçka që sistemi kapitalist sugjeron detyrueshëm zhveshjen e saj në çdo çast, në mënyrë që “malli” të mos mbahet i mbyllur, sepse kështu “tregtari nuk mund të jetë besnik kundrejt konsumatorit”.

Tregtarë e konsumatorë, feministë, komunistë, liberalë, konservatorë, të djathtë e majtistë – në tërë këtë zallamahi, e vërteta e vetme që s’mund të ndërrohet na thotë së gratë (e burrat) në të katër anët e botës akoma s’mund të lëvizin lirshëm rrugëve, qoftë dhe për të shkuar në spital. Ato që janë motra, nëna, gra, shoqe a mike të gjithsecilit kërcënohen vazhdimisht për shkak të fustanit apo shamisë, se shamitë akoma shiten si kriminale, si shenjë distance e trazimi, kurse fustani, si mjet tundimi.

Tërë kjo fushatë mediatike për t’i çliruar gratë nga shamia, nga shtëpia, nga burri, nga kuzhina në fakt, ka sjellë një frymë të rrezikshme, po aq antifemërore. Pa mohuar faktin që ato akoma ngujohen brenda mureve, le të gjykojmë sistemin e edukimit në të gjitha nivelet, përfaqësimin gjinor nëpër institucione, librat që nxjerrim e programet që shohim përditë!

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne