nga Bernard Guetta.

Distanca mes Frankfurtit dhe Rios është zhdukur. Nuk ka më dallime mes Brazilit, ku në 28 tetor, një militant i rafinuar si tehu i një thike u bë president, dhe landeve të Hessenit, ku socialdemokratët dhe kristiandemokratët humbën, të dielën, nga 10 përqind secila. Kriza është gjithmonë e njëjta dhe është krizë e demokracisë.

Kudo nëpër botë, demokracia është në krizë sepse nuk di t’u përgjigjet më sfidave të kohës sonë. Sot, gjithçka shkon më shpejt: pardje smartphone-t, nesër inteligjenca artificiale. Ndërsa demokracia kërkon kohë, kohën e zgjedhjeve, të debatit dhe të kundërfuqive. Shfazimi mes demokracisë dhe epokës së sotme është gjithnjë e më i thellë, sepse, nga ndryshimet klimatike tek evolucioni i zakoneve, duke kaluar tek robotizimi i punës dhe valët e imigrimit, popujt e pesë kontinenteve gjenden përballë ndryshimeve radikale, për të cilat kërkojnë përgjigje të menjëhershme, të cilat institucionet dhe udhëheqësit politike nuk mund t’i ofrojnë, të paktën në kohë të shkurtër.

Quhet krizë e përfaqsimit, dhe është bërë e dukshme që kur ka filluar të ushqejë aspiratën për njeriun e fortë. E kuptuam në 2016 me zgjedhjen e Rodrigo Duertes në Filipine dhe Donald Trumpit në SHBA. Sot konfirmimet vazhdojnë të na vijnë, nga Budapesti në Romë. Tendenca bëhet edhe më e dukshme, nëse konsiderojmë që vendkëmbimi mes të majtës dhe të djathtës nuk mund të garantojë progresin social dhe konsensusin demokratik të pasluftës, me shtetet-kombe të dobësuar nga globalizimi i ekonomisë.

Që kur sipërmarrësit mund ta zhvendosin prodhimin atje ku kostot janë më të ulëta, ligjet dhe rregulloret kombëtare kanë një peshë relative dhe kjo ka reduktuar në mënyrë drastike kredibilitetin politik të shtetit. Për të ripërdorur frazën që i kushtoi presidencën ish presidentit francez Lionel Jospin, “shteti nuk është i gjithëpushtetshëm” në botën e sotme, dhe nëse ky ndikim vijon të zvogëlohet, çfarë mund t’i shtyjë zgjedhësit që të besojnë ende në alternimin demokratik të së shkuarës?

Zgjedhësit janë gjithnjë e më mosbesues dhe u kthejnë shpinën partive tradicionale (si në Gjermani e Itali), duke thirrur njerëz dhe lëvizje që duken të reja, sepse i kundërvihen gjithçkaje që është ndërtuar në gjysmën e dytë të shekullit të njëzetë.

Qoftë nëse flitet për denoncimin e rritjes ekonomike (si Të Gjelbërit që fitojnë terren në Gjermani), apo për të vënë në dyshim shkëmbimin e lirë, multilateralizmin, antiracizmin, evolucionin e zakoneve, të drejtat e njeriut apo luftën kundër ngrohjes së klimës, që nga viti 2016 gjendemi përballë një refuzimi të gjithçkaje që ka karakterizuar botën pas vitit 1945, duke përfshirë edhe vetë demokracinë./Challenges

14