Nga kaosi në kaos: maturantët do ta pësojnë sërish

/Lëvizja Për Universitetin/

Më 19 maj Ministria e Arsimit dhe Sportit ka nxjerrë udhëzimin e ri (nr. 15) për rregullimin e procesit të aplikimit dhe regjistrimit të maturantëve në universitete. Përpara se ta marrim në shqyrtim kritik, po risjellim në vëmendje mënyrën se si u konceptua vjet hyrja në universitete. Sipas skemës së vjetshme, maturantët kishin të drejtë të aplikonin në dhjetë degë universitare (publike dhe private) të shtrira në dy raunde. Kush shpallej fitues në raundin e parë, kishte të drejtë të regjistrohej. Kush nuk shpallej fitues ose preferonte të mos regjistrohej, kishte të drejtë të riaplikonte në raundin e dytë sërish në dhjetë degë. Gjatë fazave të regjistrimit të raundit të dytë të aplikimit, fituesi i një dege që nuk regjistrohej gjatë fazës kur shpallej i tillë, e humbte përgjithmonë të drejtën e regjistrimit në atë degë. Gjatë këtij raundi parashikoheshin tri faza regjistrimi. Si pasojë e kaosit dhe panikut që shkaktoi vjet kjo skemë, ministria u detyrua të shtonte edhe gjashtë faza të tjera regjistrimi. Në fund të procesit, në pothuajse të gjitha degët e universiteteve publike pati vende bosh, ndërkohë që një numër jo i papërfillshëm studentësh mbeti pa u regjistruar. Sikur të mos mjaftonte kjo, shumica e dërrmuese e studentëve u ankua se prej panikut dhe kaosit të shkaktuar nga procesi i aplikim-regjistrimit kishin zgjedhur të regjistroheshin pa dëshirën e tyre në universitete private ose në degë të papreferuara të universiteteve publike, ndonëse meritonin objektivisht më shumë. Për më tepër, lexoni përfundimet e pyetësorit të realizuar me studentët e regjistruar në vitin akademik 2016-2017.

Çfarë ka ndryshuar në skemën e sivjetshme? Ministria e Arsimit dhe Sportit duket se ka kërkuar të ndreqë diçka sipërfaqësisht krahasuar me vitin e kaluar, duke shtuar numrin e fazave të regjistrimit (7 të tilla për secilin nga dy raundet e aplikimit) dhe duke u lënë mundësinë maturantëve që në fund të raundit të parë të çregjistrohen nga dega të cilën e kanë preferuar përkohësisht dhe të fillojnë me një aplikim të ri për raundin e dytë. Një rregullim i tillë me gjasë do të pakësojë disi panikun e vjetshëm, duke ulur probabilitetin e “hinkës”: Radhën e ngjeshur të maturantëve që duan të regjistrohen në fazat e fundit.

Sidoqoftë edhe përmirësimet e mësipërme janë hipotetike, pasi askush nuk mund ta dijë se si do të reagojë secili maturant, duke pasur parasysh përvojën e vjetshme. Ekziston mundësia që – duke nxjerrë mësim nga vjet kur kush priti deri në fund të procesit u shpërblye me mundësi më të mëdha zgjedhjeje degësh – maturantët e sivjetshëm të ndjekin të njëjtën strategji. Kësisoj problemi i “hinkës” jo vetëm do të përsëritej, por edhe do të bëhej më i theksuar duke e shkatërruar tërësisht procesin e regjistrimit: Përfytyroni për shembull se çfarë do të ndodhte nëse, ta zëmë, 50% e maturantëve do të prisnin deri në dyditëshin e fundit të procesit të regjistrimit! Sa prej tyre do të mbeteshin fare pa shkollë, ndonëse kuotat bosh në universitetet (publike) do të ishin të konsiderueshme?

Mirëpo procesi i vjetshëm i aplikim-regjistrimit nuk çalonte vetëm në detaje, por në thelbin e tij. Thelbi nuk ndryshon as këtë vit, duke e ribërë procesin të korruptuar dhe antimeritokratik.

E nisim me korruptimin. Së pari, edhe sivjet universitetet private janë futur në të njëjtin proces aplikimi dhe regjistrimi me universitetet publike. Numri i madh i preferencave të maturantëve (10 të tilla) bën që pavarësisht se privatet janë larg së qeni të preferuarat e maturantëve, njëra prej preferencave të tyre të shkojë te ta jo vetëm sepse është e vështirë që një maturant të ketë për zemër 10 degë të ndryshme universitetesh publike, por qoftë edhe vetëm për të mos mbetur fare pa shkollë.

Së dyti, ndonëse universitetet publike dhe private hyjnë brenda së njëjtës skemë, mbi to nuk vlejnë të njëjtat rregulla. Universitetet publike i rendisin aplikuesit sipas meritës (zakonisht notës mesatare të përgjithshme, notës mesatare të degëve specifike dhe rezultateve të provimeve të maturës). Kjo do të thotë se fituesit e degëve të universiteteve publike shpallen në mënyrë graduale, fazë pas faze regjistrimi. Për shembull nëse në degën e inxhinierisë informatike ka 10 kuota dhe kanë aplikuar 200 studentë, të drejtën për t’u regjistruar në fazën e parë e kanë vetëm 10 të parët. Meqenëse jo të gjithë fituesit e një faze regjistrohen, në fazën pasardhëse shpallen fitues 10 minus numrin e të regjistruarve të fazën paraardhëse. Pra në universitetet publike ekziston ajo që ministria e quan VIJA E KUQE, e cila lëviz fazë pas faze. Por, kush nuk regjistrohet në një degë në fazën që është shpallur fitues – me shpresën se do të fitojë një degë më të mirë – e humb përfundimisht të drejtën për t’u regjistruar në atë degë. E nëse në fund të procesit nuk arrin të regjistrohet në degën e mirë, atëherë mbetet përfundimisht pa shkollë.

Në universitetet private – nisur nga përvoja e vitit të shkuar – nuk ka renditje. Për pasojë aty nuk ka vijë të kuqe. Secili prej kandidatëve konsiderohet fitues. Për shembull, nëse në universitetin privat X ka 10 kuota të lira dhe 200 kandidatë, të 200 kanë mundësi të regjistrohen në çdo ditë – pavarësisht fazave. Paniku i shkaktuar nga skema e vjetshme i shtyu shumë studentë që, nga frika e të mbeturit pa shkollë, të zgjidhnin paraprakisht universitetet private, ndonëse i preferonin shumë pak. Pasja e 14 fazave të regjistrimit në skemën e sivjetshme mund ta pakësojë panikun. Mirëpo, nga ana tjetër, mungesa e transparencës së universiteteve private mbi sa vende bosh kanë fazë pas faze dhe propaganda e tyre që i shtyn maturantët të nxitojnë se vendet po zihen, mund të bëjë që paniku të marrë tjetër trajtë këtë vit, duke shkaktuar të njëjtën gjë: regjistrimin e maturantëve pa dëshirën e tyre në universitetet private. Edhe nëse nuk ndodh kështu, maturantët, duke e ditur se në fund të procesit nuk do të mbeten pa shkollë sepse te privati ka vende gjithmonë, do të rrezikojnë duke pritur deri në fund se mos u del dega e preferuar në universitetet publike, duke e bërë më problematik fenomenin e hinkës.

Vazhdojmë me karakterin antimeritokratik të procesit. Pavarësisht se janë shtuar fazat e regjistrimit (nga 7 për çdo raund aplikimi), fenomeni i “bixhozit” mbetet. Maturantët nuk mund të parashikojnë sjelljen e mijëra të tjerëve si ata, për të kuptuar nëse duhet të presin fazat e tjera të procesit për t’u regjistruar në degën e preferuar apo të regjistrohen aty ku shpallen fitues, pavarësisht se nuk është në preferencën e tyre të parë. Përvoja e vjetshme tregoi se ky proces u jep përparësi grushtit të maturantëve me rezultate më të larta dhe grushtit të tyre me rezultatet më të dobëta. Për ta thënë me përafërsi, ky është një sistem që favorizon nxënësit e notës 10 (të cilët do të kishin privilegjin të zgjidhnin secilën nga degët ku do të kishin aplikuar pasi i fitojnë të gjitha) dhe nxënësit e notës 6 (të cilët, duke mos pasur mundësi të regjistrohen deri përpara fazës së fundit, në fund fare, kur të ketë akoma kuota bosh në të gjitha degët e universiteteve publike, edhe tek ato më të kërkuarat, do të kenë privilegjin të zgjedhin kë të duan.) Për të gjithë të tjerët, procesi i aplikim-regjistrimit është një bixhoz i madh. Për ta përsëritur, ata do të gjenden përpara dilemës së pazgjidhshme racionalisht: të rrezikojnë të mbeten pa shkollë dhe të presin se mos kushedi fitojnë degën e preferuar apo të regjistrohen kudoqoftë me t’u dalë mundësia?!

Vjet, dhe ne parashikojmë edhe sivjet, shpërndarja e studentëve në universitete nuk ka ndjekur tendencën e mëparshme ku në degët më të preferuara shkonin studentët më të mirë. Ka ndodhur dhe pritet të rindodhë një shpërndarje rastësore studentësh, hedhja e tyre sa andej këndej, duke bërë që në degët e preferuara të shkojnë mjaft studentë të dobët, kurse në ato të papreferuarat të shkojnë pa dëshirë studentët e mirë që nuk kanë marrë përsipër rrezikun bixhozçi të pritjes.

Cila është zgjidhja afatshkurtër? Së pari, meqenëse provimet e maturës sapo kanë filluar, duhet që Ministria e Arsimit dhe Shkencës të kthejë sa më parë modelin e vjetër të aplikim-regjistrimit, atë të meritë-preferencës, sipas të cilit maturantët zgjedhin disa degë, i rendisin ato sipas preferencës dhe shpërndarja e tyre të bëhet në bazë të një programi kompjuterik që respekton edhe meritën (rezultatet), edhe preferencën e tyre. Së dyti, të përjashtohen universitetet private nga skema e aplikim-regjistrimit, që kjo e fundit të zbatohet vetëm për universitetet publike. Duke dalë më vete, universitetet private do të shkojnë tek ai numër dhe ajo cilësi studentësh që meritojnë: masa e studentëve me rezultate të ulëta (që me vendosjen e pragut të notës mesatare 6 do të thotë më pak studentë se më parë) dhe ajo pakicë studentësh që, ndonëse nuk ka rezultate të ulëta, kërkon të regjistrohet medoemos në një degë studimesh ku në universitetet publike ka shumë konkurrencë.

Cila është zgjidhja afatgjatë? Një kuvend i madh universitarësh, mësuesish gjimnazesh, qytetarësh të interesuar dhe përfaqësuesish të ministrisë që të rishqyrtojë krejt procesin, nga vendosja e kritereve për pranimin në universitete, te nxitja e provimeve hyrëse në to dhe thjeshtimi i procesit të regjistrimit.

Çfarë duhet bërë tani? Maturantë! Në njërën anë studioni sa më fort për provimet! Në anën tjetër, kuptoni se me këtë mish-mash korruptiv dhe antimeritokratik, studimi nuk mjafton. Duhet të luftojmë bashkërisht për të shmangur tani për tani të keqen më të madhe dhe për të ndërtuar gur më gur një sistem arsimor të hapur për këdo që do të dijë dhe e meriton më shumë se të tjerët studimin në degën e preferuar./ OP

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne