Nga këshilltar i Ramës te katoliku Sandër

Qeveria dhe kryeministri Edi Rama ndodhen sot para një krize për Ministrinë e Brendshme. Teknika e menaxhimit të saj është e njohur: kopeja e portaleve leh zhurmon pafundësisht derisa të gjithë, apo një shumicë të binden se këtu është një stan bagëtish.

Përtej këtij aspekti, në rastin e Sandër Lleshit po nxjerr krye edhe një tjetër element që tregon të tjera probleme. Ky është solidariteti për z. Lleshi si katolik, i cili po venerohet prej disave si njeriu me moral të fortë, me formim, perëndimor, që mu pikërisht për arsye të përkatësisë fetare i manifeston këto cilësi. Ndaj edhe po u sulmoka. I kundërti i Të Tjerëve.

I pari në listën e atyre që kullojnë djersën për të nxjerrë në pah të mirat e një katoliku përballë rrëpirës morle myslimano-orotodokso-jugore është Agron Gjekmarkaj. Me të 200 fjalët e tij të preferuara, zotëria u lëshua me një opinion ku na sqaronte njeriun Lleshi, katolikun Sandër që po vinte si një livandoja e qeverisjes së Edi Ramës.

Sot, pasi bektashiu Ilir Meta nuk dëgjoi, por refuzoi ta pranonte Lleshin, është lëshuar i dyti Ardian Ndreca. Zoti Ndreca nuk flet hapur për përkatësitë fetare, por nuk do shumë të lexohet te këto mushqeta të allnuara zellin komunitar. Zell i cili shprehet me kundërvënie logjike edhe në paragrafë të tillë:

“Qesharakja e çështjes ishte se Meta u shpreh se nuk kishte krijue bindje për kandidatin për ministër. Meta s’ka bindje, të asnji llojit, ka vetëm instinkte, të cilat siç dihet janë të verbëta. Bindja nënkupton nji ngjyrim etik, që s’i përket etologjisë politike shqiptare.”

Refuzimi i Metës ndaj Sandër Lleshit, shprehet me vetëdije por buron prej nënvetëdijes, ai asht refuzimi me pasë nji Ministri të Punëve të Brendshme, asht dëshira me e shkri atë, shërbimin sekret, policinë, gjithçka që mund të kthehet në nji rrezik për partinë ma të fuqishme që ka Shqipnia sot, e kam fjalën për atë partinë transversale që përshkon jetën politike e ekonomike të vendit sa majtas djathtas pa qenë as e majtë dhe as e djathtë

Ta lëmë mënjanë qenien primitive Meta. Por mos vallë te kjo partia transversale bën pjesë edhe Kryeministri me të vetët? Apo këta përjashtohen si partia e të mirëve që me katolikun Lleshi po duan të bëjnë shtetin?

Mund të kuptohet dëshira dhe një lloj solidariteti kur vjen puna që dikush që e ke të afërt bëhet dikush në detyrë. Por kur ky afinitet përdoret si metër për të gjykuar vendime politike që në fund të fundit janë njëlloj të pista apo të kushtëzuara nga po ai moral mafioz që kushtëzon çdo vendim në këtë vend, atëherë ky zbulon një vetëperceptim segregues që pak ka të bëjë me çështjen në fjalë. Këtu edhe ky aspekt emotiv thjesht do përdoret nga po ata që sot kalërojnë institucionet e që njëherë dekretojnë enciklika, e njëherë tjetër nisin dialogje me popullin, njëherë ngrenë dy gishta lart, njëherë tjetër…shohim e bëjmë.

Ky lloj debati buron për ta thënë me fjalët e Ndrecën, nga nënvetëdija e një partikularizmi që është reduktuar në snobizëm të disave që e shesin për vetëdije fetare dhe qyteërimore. Ky është bast i humbur, pasi në fund të fundit këta partizanë të qytetarisë nuk propozojnë ndonjë gjë të re veç zërit të tyre në një polemikë shterpe për interesin publik.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne