Financial Times u kërkon britanikëve që për çështjen e BREXIT të marrin “mësime” nga lufta e gjatë dhe e dhimbshme e Greqisë për të dalë nga kriza.
Në artikullin e tij, gazetari Tony Barber përshkruan presionet që kanë pësuar ekonomia greke dhe sistemi politik, ndërsa nënvizon braktisjen e PASOK nga votuesit dhe transferimin e tyre tek SYRIZA.

Duke iu referuar qeverisë, raporti thotë se ajo “braktisi eksperimentet ekstreme në gjysmën e parë të 2015” dhe u shndërrua në një “zëvendësues natyral i PASOK. Ndërsa për Alexis Tsipras thuhet se pësoi një “mutacion” të frikshëm. Nga një politikan që cilësohej si Lenini i Egjeut nga kancelaritë europiane, kryeministri grek është kthyer në beniaminin e BE-së.

Nën qeverisjen e Tsipras “më e keqja nuk ndodhi”. Ekstremizmi nuk mbizotëroi, ndërsa Greqia megjithëse ishte në ballë të krizës evropiane të refugjatëve në vitet 2015-2016, nuk u tregua shtet antimigrues apo anti-musliman si vendet e tjera të BE-së.

Shumicën e duartrokitjeve në kryeqytetet evropiane dhe Uashington e ka marrë iniciativa e tij për të zgjidhur konfliktin për emrin me Maqedoninë. Ky konsiderohet një nga konfliktet e fshehta, potencialisht më të rrezikshme në Ballkan. Tsipras jo vetëm që bëri përpjekje për ta zgjidhur çështjen, por tregoi se është i gatshëm t’i kumdërvihet Rusisë, një vend tradicionalisht i afërt me Greqinë.

Stathis Kalyvas, profesor në All Souls College Oxford, thotë se Greqia është aktualisht në një fazë “post-populiste”, ndërsa shumë vendet të tjera europiane ballafaqohen me ndryshime të populizmit. Greqia tashmë është kthyer tashmë në një sistem klasik dypartiak, ku e majta dhe e djathta e moderuar këmbejnë në pushtetin. Dhe ky argument mund të vërtetohet në zgjedhjet e vitit të ardhshëm, ku opozita e qendrës së djathtë e Demokracisë së Re është favorite.

9