nga Manlio Dinucci.

Në përmbledhjen e dokumentit strategjik të fundit, “Strategjia Kombëtare e Mbrojtjes e Shteteve të Bashkuara të Amerikës 2018″(ku i gjithë teksti është i klasifikuar), Pentagoni pohon se “pas Luftës së Dytë Botërore, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj kanë instaluar një “rend botëror të lirë dhe të hapur për të mbrojtur lirinë e popullit nga agresionet dhe shtypjet”, por që “ky rend aktualisht është i minuar nga Rusia dhe Kina, të cilët janë duke i shkelur parimet dhe rregullat e marrëdhënieve ndërkombëtare”. Ky është një ndryshim total i realitetit historik.

Profesor Michel Chossudovsky, drejtor i Qendrës për Hulumtime mbi Globalizmin, na kujton se këto dy vende, të listuara sot si armiq, janë ato që kur ishin aleatë me Shtetet e Bashkuara gjatë Luftës së Dytë Botërore, e paguan fitoren me jetë njerëzore kundër nazi-fishizmit të aksit Berlin-Romë-Tokio, me çmimin më të lartë se cdo vend tjetër në botë. Bashkimi Sovjetik humbi rreth 26 milionë njerëz ndërsa Kina humbi 20 milionë, krahasuar me pak më shumë se 400,000 të vrarë të Shteteve të Bashkuara.

Duke nisur me këtë hapje, Chossudovsky prezanton për Global Research një studim të James A. Lucasit mbi numrin e njerëzve të vrarë nga luftërat në seri, grushtet e shteteve dhe operacionet e tjera armiqësore të zbatuara nga Shtetet e Bashkuara që nga fundi i Luftës në vitin 1945 deri më tani, ku numri i viktimave llogaritet deri në 20-30 milion viktima. Përafërsisht dyfishi i numrit të vdekjeve i Luftës së Parë Botërore, njëqind vjetori i së cilës sapo u festua në Paris me një Forum Paqeje.

Përveç vdekjeve ka edhe të plagosur të cilët shpesh e gjejnë veten invalidë për gjithë jetën. Disa ekspertë llogarisin se për çdo person të vrarë në luftë, dhjetë të tjerë gjenden të plagosur. Kjo do të thotë se numri i njerëzve të plagosur nga luftërat e Shteteve të Bashkuara duhet të numërohet në qindra miliona.

Këtij vlerësimi të studimit duhet ti shtojmë edhe një numër jo të përcaktuar të të vdekurve, ndoshta edhe qindra miliona që janë shkaktuar nga viti 1945 deri më sot prej efekteve indirekte të luftërave si uria, epidemitë, emigrimet me detyrim, skllavëria, shfrytëzimet, dëmtimet e mjedisit dhe rëniet e numrit të burimeve natyrore si shkak i nevojave jetësore për të mbuluar shpenzimet ushtarake.

Studimi dokumenton luftërat dhe grushtet e shtetit të kryera nga Shtetet e Bashkuara në 30 vende të Azisë, Afrikës, Europës dhe Amerikës Latine. Ai zbulon se forcat ushtarake amerikane janë drejtpërdrejt përgjegjëse për 10 deri në 15 milionë vdekje të shkaktuara nga luftërat e mëdha, ato kundër Koresë dhe Vietnamit si dhe dy luftërat kundër Irakut. 10 deri në 14 milionë vdekjeve të tjera janë shkaktuar nga luftërat ndëretnike të kryera prej forcave aleate të trajnuara dhe drejtuara nga SHBA në vende si Afganistan, Angolë, Kongo, Sudan, Guatemalë dhe vende të tjera.

Lufta e Vietnamit, e cila u përhap në Kamboxhia dhe Laos, shkaktoi një numër vdekjesh që vlerësohet në 7.8 milion (plus një numër i madh të lënduarish dhe të dëmtuarish gjenetikisht për shkak të dioksinës së perhapur nga avionët amerikanë).

Lufta e viteve 80 në Afganistan u organizua nga CIA, e cila në bashkëpunim me Osama bin Laden dhe Pakistanin trajnoi dhe armatosi më shumë se 100,000 muxhahidinë për të luftuar trupat sovjetike që kishin rënë në “kurthin afgan” (siç u përshkrua më vonë nga Zbigniew Brzezinski i cili specifikoi se trajnimi i muxhahidinëve kishte filluar që në korrik 1979, pesë muaj përpara intervenimit sovjetik të Afganistanit).

Grusht shteti më i përgjakshëm i organizuar nga CIA ishte ai i vitit 1965 në Indonezi. CIA ofroi një listë të gjatë, ku 5,000 emrat e parë të komunistëve te listuar përfunduan direkt nëpër skuadrat indoneziane të pushkatimit. Numri i personave të vrarë vlerësohet midis 500,000 dhe 3 milion.

Ky është “rendi botëror i lirë dhe i hapur” i Shteteve të Bashkuara, pavarësisht pretendimeve të Shtëpisë së Bardhë për të mbrojtur me këmbëngulje njerëzit nga agresionet dhe shtypjet./globalresearch/Gazeta Impakt

66