Niset nga Turqia një anije me 4000 tonë ndihma për Katarin

Është nisur nga Turqia për në Katar anija e parë më 4000 tonë ushqime me të cilën synohet zbutja e pasojave të embargos së vendosur mbi shtetin e vogël të Gjirit nga Arabia Saudite dhe disa shtete të tjera të Gjirit, raporton Anadolu Agency (AA).

Mëngjesin e sotëm nga porti i Izmirit, për në Katar është nisur një anije me produkte ushqimore, ndërkohë që mbërritja në portin e Dohas pritet të bëhet brenda dhjetë ditësh.

Drejtuesja e kompanisë së transportit që bart mallrat e prodhuesve turq për në Katar, Ipek Demirxhi, deklaroi për AA se nga shkaku i bllokadës tokësore mbi Katarin është e pamundur dërgimi i mallit përmes asaj rruge, ndërsa problem shtesë paraqet edhe pamundësia që të përdoret rruga ajrore përmes shteteve të Gjirit.

Duke theksuar se kompania turke më parë mallrat në Katar i transportonte përmes ajrit, Demirxhi, tha se kriza ka rritur kërkesën dhe është e pamundur të plotësohen nevojat përmes rrugëve ajrore që kanë mbetur të hapura.

“Kjo është arsyeja përse vendosëm që dërgimin e mallrave ta bëjmë përmes rrugës detare. Kjo nuk duhet të shihet vetëm si ndihmë për Katarin, por edhe si një mundësi e mirë për eksportuesit turq, mallrat e të cilëve do të gjendet në raftet e dyqaneve në Katar”, tha ajo.

Demirxhi informoi se pak ditë më vonë do të niset edhe një tjetër anije, dhe nëse kërkesa shtohet atëherë do të vendosin një linjë të rregullt.

Arabia Saudite, EBA-të, Egjipti, Bahreini dhe Jemeni më 5 qershor deklaruan ndërprerjen e të gjitha marrëdhënieve diplomatike me Katarin të cilin e akuzojnë për destabilizim të rajonit dhe mbyllën hapësirën ajrore për Katarin, si dhe urdhëruan të gjithë diplomatët e Katarit të lëshojnë vendet në fjalë në afat prej 48 orësh.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne