Nishani tregon për “DW” çfarë përfiton BE nga anëtarësimi i Shqipërisë

Presidenti Bujar Nishani është shprehur për “Deutsche Welle” se Shqipëria dëshiron të anëtarësohet si kontribuese dhe jo si konsumatore në Bashkimin Europian.

I pyetur se çfarë përfitojnë vendet e BE-së nga anëtarësimi i Shqipërisë, Nishani u përgjigj se Shqipëria mund të kontribuojë duke shtuar shërbimin ndaj sigurisë, duke marrë parasysh se Europa po kalon një periudhë të vështirë me terrorizmin, refugjatët etj.

Por për Nishanin, Ballkani dhe Shqipëria është edhe udhëkryqi më i mirë për shkëmbimin e mallrave dhe bashkëpunimin ekonomik mes Europës dhe kontinenteve të tjera.

DW: Ju kërkoj ndjesë që po ju ndërpres, por ju po flisni për përfitimet që do të ketë Shqipëria dhe shqiptarët, përfitimet e vendeve fqinje tuajat, çfarë dhe si përfiton Bashkimi Evropian nga anëtarësimi në të i Shqipërisë? Si do t’ia paraqitni e t’i bindni njerëzit në Romë, në Berlin, ose edhe në Greqi, për idenë e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian?

Nishani: Po, e drejtë. Është vërtet një pyetje shumë e mirë. Ne duhet ta paraqisim veten, mundësitë tona dhe kontributin tonë gjithashtu, sepse pikërisht për këto arsye e përmenda që duhet të anëtarësohemi si kontribues, dhe jo si konsumatorë. Por çfarë do të thotë si kontribues? Së pari, si territore, Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit i përkasin zonës evropiane. Së dyti, na duhet që të punojmë së bashku për kapërcimin e sfidave me të cilat po përballemi në ditët e sotme duke filluar që nga siguria e deri te zhvillimi dhe ekonomia. Vendi im, Shqipëria si dhe vendet e tjera mund të kontribuojnë shumë duke shtuar e rritur shërbimin ndaj sigurisë. Në ditët e sotme, hapësira evropiane po përballet me shumë çështje shqetësuese si terrorizmi, valët e emigracionit të paligjshëm, refugjatët, e gjëra të tilla të ngjashme, ndryshimet klimaterike, varfërinë, kështu që si një krah i zonës evropiane, Ballkani, përfshi edhe vendin tim, Shqipërinë, mund të shërbejnë për të zgjeruar fushën e bashkëpunimit dhe të sigurisë. Me një fjalë, Ballkani dhe vendi im është udhëkryqi më i mirë për shkëmbimin e mallrave dhe bashkëpunimin ekonomik mes Evropës dhe kontinenteve të tjera. Kështu që besoj se ka një mundësi të vërtetë për kontribut nga vendi im dhe te vendet e tjera.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne