Faik MIFTARI

Bashkësia Islame e Kosovës,  pas luftës në Kosovë(1998-1999) përveç rindërtimit dhe ndërtimit të xhamive anekënd Kosovës, ka ndërtuar edhe ndërtesat e reja të medreseve në Prishtinë, Prizren, Gjilan si dhe Fakultetin e Studimeve Islame në Prishtinë.  Të gjitha këto objekte  janë të reja, solide të cilat sado kudo i plotësojnë nevojat e nxënëseve dhe studentëve që  vijojnë mësimet në këto institucione arsimore fetare në Kosovë.

Gjatë 25 viteve të kaluara, qysh prej themelimit të Fakultetit të Studimeve Islame në Prishtinë në vitin 1992, hapjes së medreseve, gjegjësisht paraleleve të ndara në Prizren dhe Gjilan, dhe paraleleve  për femra, në Prishtinë dhe Prizren dhe sivjet edhe në Gjilan, është mundësuar  një numri të madh të të rinjve mysliman dhe rejave myslimane  të interesuar  kryesisht nga Kosova por edhe nga vendet tjera  të  ndjekin  mësime  dhe studime në këto institucione arsimore  islame Gjatë këtyre 25 viteve kanë diplomuar në Medrese afro 2000 djem e 1000 vajza,  ndërsa në Fakultetin e Studimeve Islame  kanë diplomuar afro 380 studentë .

Si rrjedhojë e mungesës së kuadrove nëpër xhamia gjatë periudhës komuniste  në të cilin ishte aktive vetëm një medrese në Kosovës, nga e cila nxënësit aftësoheshin për imam në xhamia, dhe prej të cilëve një numër i vogël i tyre kanë  pasur mundësi për të vazhduar studimet a në botën islame dhe pas hapjes së Fakultetit  të Studimeve Islame(1976)  edhe në Sarajevë. Pas përfundimit të luftës tani situata është  më e mirë, kemi një numër  të madh të medresantëve dhe studentëve të diplomuar që  janë punësuar në  xhamitë anekënd Kosovës, por edhe të profesorëve  dhe ligjëruesve në medrese dhe fakultet si dhe në institucione tjera të Bashkësisë Islame të Kosovës. Tani e tutje i mbetet Bashkësisë Islame të Kosovës gjatë periudhës së ardhshme të fokusohet në ngritjen e cilësisë dhe aftësisë së këtyre kuadrove konform  trendeve më të reja arsimore shkencore, duke marrë parasysh se jemi duke jetuar shekullin e XXI-të, apo “shekullin e internetit” .

Për këtë së pari do të duhej e themeluar  të një institut  hulumtues shkencor brenda Bashkësisë Islame të Kosovës, pasi ekzistojnë të gjitha parakushtet dhe  mundësit ideale në kuadër të Fakultetit të Studimeve Islame. Edhe pse ka kaluar  një dekadë nga premtimi i dhënë i myftisë për themelimin  e tij, kjo për fat të keq ka mbet vetëm  si ide, dhe gjer më sot asgjë nuk është bërë në jetësimin e këtij instituti  tejet të nevojshëm për ngritjen e cilësisë së nivelit arsimor  e shkencor për ata që do të merreshin me studime dhe hulumtime shkencore në kuadër të Bashkësisë Islame të Kosovë. Kjo është nevojë parësore dhe imediate për momentin aktual për BIK-un.

Profesorët që japin mësim  në medresetë duhet  të jenë me të vërtetë të aftë, të ngritur dhe të merituar që  të edukojnë dhe arsimojnë gjenerata të ardhshme  të medresantëve në Kosovë të cilët  do të mund të përballen me sukses  me  të gjitha sfidat me të cilët do të ballafaqohen gjatë  punës së tyre  me xhemate në Kosovë dhe  jashtë saj. Nuk mjafton vetëm diploma e medresesë, fakultetit, masterit apo doktoraturës si kusht për punësim në xhami, medrese,  fakultet, apo organet tjera të Bashkësisë Islame të Kosovës, por duhet lexim, mësim  studim, të vazhdueshëm  të tyre gjatë tërë jetës pa marr parasysh se çfarë detyrë  ushtrojnë.

Nuk është mjaftueshme  të kesh diplomën e masterit apo  doktoraturës që të ligjërosh në fakultetin e studimeve islame, por ligjëruesi  duhet të ketë  së paku disa libra të botuara  si dhe një varg punimesh shkencore të publikuara në revista dhe publikime  të ndryshme shkencore  vendore apo ndërkombëtare. Tani krahas saj, kemi  dhjetëra portale të ndryshme në të cilët postohen dhe  publikohen punimet shkencore. Përveç aftësisë së oratorisë, ligjëruesi posaçërisht duhet të posedojë aftësinë e të shkruarit, pasi që fjala e shqiptuar harrohet por  fjala e shkruar mbetet   përherë e shënuar.

Si shembull se si duhet të jetë tani e tutje, niveli i përgatitjes profesionale arsimore shkencore ,do të bëjë një  krahasim në mes  Fakultetit  të Studimeve Islame në Prishtinë me ish Shkollën e lartë sheriatike-teologjike  në  Sarajevë  e vitit 1937e cila në atë kohë  ishte në rangun e Fakultetit  të studimeve islame pasi që studiohej  4 vjet , e cila për fat të keq ekzistoi vetëm 8 vite  pasi që në vitin 1945 u mbyll nga pushteti komunist . Edhe pse punoi  një kohë të shkurtër, ajo  arriti të nxjerr studentë  të shkëlqyer që kanë lënë gjurmë  të veçantë gjatë periudhës së kaluar 50 vjeçare me kontributin e tyre të çmuar  fjalës së shkruar. Edhe pse  kanë vijuar studimet   103 studentë  në këtë shkollë të lartë në rang të fakultetit të studimeve islame ,gjatë kësaj  periudhë të shkurtër kohore, shumica  nuk arritën të përfundojnë studimet  për shkak të mbylljes së saj nga pushteti komunist në vitin 1945,  dhe vetëm 38 studentë arritën të diplomojnë , por këta kanë qenë shembull “per exellent” të cilët studentët e tanishëm  të fakulteteve të studimeve islame duhet të marrin si mostër në fushën  arsimore shkencore.

Një karakteristikë e veçantë e tyre ishte se prej 38 studentëve të diplomuar, 34 studentë(90%)  prej tyre janë  marrë aktivisht gjatë gjithë jetës së tyre me shkrime dhe punime  shkencore që i kanë publikuara  jo vetëm në revista fetare, por edhe në revista të  fushave  tjera shkencore. Këta 34 studentë të diplomuar në Sarajevë, para gati 80 vjet duhet të jenës mostër apo yrnek për të gjithë studentët e  tanishëm të fakulteteve të studimeve islame si në Sarajevë, Novi Pazar, Prishtinë, Shkup e Tiranë .Vetëm në dy revista fetare të asaj kohe  që botoheshin në Sarajevë, në Gllasnik dhe Takvim, këta studentë të “artë” kanë botuar mbi 500 punime gjatë periudhës kohore të sistemit monist, e me qindra tjerë në revista të fushave tjera  shkencore. Do t’i ceki vetëm disa emra nga kjo gjeneratë e artë frytdhënëse shkencore  që kanë kryer studimet  në Sarajevë:Kasim Haxhiqi, Vehbija Hoxhiqi, Hazim Shabanoviqi, Mehmed Mujezinoviqi, Hivzija Hasandediqi,  Ibrahim Hoxhiqi, Hasan Shkapuri, Adem Hanxhiqi, Muhamed Hukoviqi, Halid Haxhimulliqi,etj., një gjeneratë e artë e cila ka dhënë kontribut të çmuar në fushat e ndryshme shkencore, islame, orientalistikë, filozofi, letërsi, histori, publicistikë,etj.

Për dallim nga kjo shkollë e lartë, gjatë  25 vjetëve të ekzistimit të Fakultetit të Studimeve Islame në Prishtinë, gjer në fund të vitit 2017 kanë diplomuar gjithsejtë rreth 380 studentë. Një numër jashtëzakonisht i madh i të diplomuarve,  por me një kontribut jashtëzakonisht të vogël në  fjalën e shkruar. Nga ky numër prej 380 të diplomuarve  kam hasur në 10 të tillë që shkruajnë   shkrime dhe punime  shkencore në revistat  fetare , Edukata Islame dhe Takvim, që botohen nga Bashkësia Islame e Kosovës apo edhe në revista dhe publikime tjera shkencore, këta janë: Sadik Mehmeti, Orhan Bislimaj, Sedat Islami, Hatixhe Ahmedi, Desarta Vathaj, Refik Gërbeshi, Senad Makoviq, Burim Piraj, Flamur Sofiu, dhe Vedat Shabani. Kuptohet aty këtu ka edhe ndonjë emër tjetër që  kohë pas kohe ka shkruar ndonjë shkrim apo punim, në Diturinë Islame,  por  edhe të tillë janë të paktë  që merren me shkrime  dhe punime shkencore nga gjithsejtë 380 studentët e diplomuar të  Fakultetit të Studimeve Islame në Prishtinë.

Krahasimi është  marramendës, prej 38 studentëve të diplomuar  në Sarajevë para 80 vitesh në Shkollën e lartë sheriatike-teologjike, e cila ishte në rangun e Fakultetit të studimeve islame, 34(90%)  prej tyre kanë vazhduar gjatë gjithë kohës  të merren me shkrime dhe punime shkencore, përkundër saj, për momentin aktual  prej 380 studentëve të tanishëm të diplomuar  të Fakultetit të studimeve islame në Prishtinë, vetëm 5% prej tyre  merren me shkrime dhe punime shkencore. Dallimi është sikurse  nata me ditë. Realiteti i hidhur por i vërtetë për fat të keq. Ky është niveli aktual për momentin i nivelit  arsimor shkencor të studentëve të diplomuar të Fakultetit të studimeve islame në fushën e fjalës së shkruar .

Do të përmbyll këtë pjesë të aktualitetit në Bashkësinë Islame të Kosovës me një  thënie të imamit të shquar boshnjak,  mulla Mustafa Basheskisë : “Çdo gjë që shënohet mbetet, çdo gjë që mbahet mend humbet” .

 

(vazhdon)

14