Niveli i të ardhurave vjetore në vendet e Ballkanit

Nga Dr. Erhan Turbedar

Sipas të dhënave të Bankës Botërore (BB), në vitin 2016 popullsia e përgjithshme e dhjetë vendeve të Ballkanit, duke përfshirë këtu Shqipërinë, Bosnjë-Hercegovinën, Bullgarinë, Kroacinë, Malin e Zi, Kosovën, Maqedoninë, Rumaninë, Serbinë dhe Greqinë, ka qenë 59,7 milionë banorë. Kurse sipërfaqja e përgjithshme e rajonit është 745 mijë e 652 km katrorë. Me këto vlera, në vitin 2016, popullsia e rajonit ishte sa 75% e popullsisë së Turqisë dhe sipërfaqja e rajonit është sa 95% e sipërfaqes së Turqisë. Nga ana tjetër, sipas vlerësimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), shuma e Produktit të Brendshëm Bruto (PBB) ose GDP-ve të 10 vendeve të Ballkanit, e llogaritur sipas paritetit të fuqisë blerëse, në vitin 2016 ishte sa 61% e PBB-së së Turqisë. Ky konstatim në vetvete flet për një rënie serioze të mirëqenies në vendet e Ballkanit.

Për të kuptuar më mirë nivelin e mirëqenies në vendet e Ballkanit është e dobishme të krahasohet GDP-ja për frymë, e llogaritur me paritetin e fuqisë blerëse të këtyre vendeve, me mesataren e 28 vendeve të BE-së. Sipas të dhënave të EUROSTAT-it, me përjashtim të Greqisë në vitin 2016, PBB-ja mesatare për frymë e nëntë vendeve të Ballkanit ishte sa 43% e të njëjtës mesatare në 28 vendet anëtare të BE-së. Sigurisht, dallimi i mirëqenies së Ballkanit do të bëhet më i theksuar nëse treguesit e të ardhurave të vendeve të Ballkanit krahasohen me mesataren e të ardhurave të 15 vendeve të para të BE-së.

Vlen të përmendet se PBB-ja për frymë e llogaritur me paritetin e fuqisë blerëse të Greqisë, vend që ka shkuar në prag të falimentimit për shkak të krizës së rëndë ekonomike që filloi të ndjehej që në vitin 2009 dhe e cila nuk ka rënë nga rendi i ditës pavarësisht disa ndërhyrjeve që i janë bërë, është rreth 67% e mesatares së 28 vendeve të BE-së. Pas Greqisë, vendet me GDP-në më të lartë për banor në Ballkan janë Rumania me Kroacinë.

Vendet e Ballkanit nuk kanë një strukturë homogjene mes tyre as në aspektin e PBB-së për kokë banori. Po të krahasojmë të dhënat e FMN-së në lidhje me PBB-në, të llogaritura me paritetin e fuqisë blerëse, shikojmë se Rumania me një PBB prej 441,6 miliardë dollarë në vitin 2016 ka një të ardhur vjetore të barabartë me 58% të PBB-së së vendeve të tjera të Ballkanit. Po ti shtojmë PBB-së totale të rajonit edhe Rumaninë, kuptohet që 37% e kësaj paste i takon Rumanisë, 24% Greqisë, 12% Bullgarisë, 8% Serbisë dhe 8% Kroacisë. Ndërsa pjesa e mbetur e GDP-së rajonale prej 11% ndahet mes Bosnjë-Hercegovinës, Shqipërisë, Maqedonisë, Kosovës dhe Malit të Zi.

Ndërkohë duhet të theksohet se kriza e vazhdueshme ekonomike në Greqi ka ndikuar negativisht edhe në të dhënat e vitit 2016. Recesioni në ekonominë greke vazhdoi deri në fund të vitit 2016, ndërsa vendet e tjera ballkanike u rritën mesatarisht me 3,1%.

Përveç mirëqenies së ulët, një problem tjetër serioz që vihet re në shumicën e vendeve të Ballkanit është edhe papunësia. Disa vende të Ballkanit kanë shifrat më të larta të papunësisë në Evropë. Për shembull, shkalla e papunësisë e regjistruar në Kosovë në vitin 2016 ka qenë 27,5%, në Maqedoni 26,7%, në Bosnjë-Hercegovinë 25,8%, në Greqi 23,9%, në Mal të Zi 17,5%, në Serbi 16.5%, në Shqipëri 16,3% dhe në Kroaci 13,5%. Në vitin 2016, vetëm Bullgaria me Rumaninë arritën të kenë nivele papunësie njëshifrore.

Përqindjet e larta të papunësisë mbajnë vazhdimisht të gjallë prirjen e largimit nga rajoni. Sipas të dhënave të Eurostat, në vitin 2015 nga vendet e Ballkanit 67 mijë e 950 vetë në total kanë kërkuar azil në vendet e Bashkimit Evropian, ndërsa në vitin 2016 kjo shifër ka qenë 32 mijë 335 vetë. Në vendet e Ballkanit nuk kemi vetëm migrim të jashtëm, por kemi edhe migrim të brendshëm. Për shembull, sipas të dhënave të Bankës Botërore (BB), në kryeqytetet e vendeve anëtare të BE-së deri në fund të 2016-s jeton mesatarisht 18% e popullsisë urbane. Kurse në kryeqytetet e vendeve të Ballkanit jeton një pjesë shumë më e madhe e popullsisë urbane. Në fakt, në vitin 2016, 55% e popullsisë urbane të Malit të Zi jetonte në kryeqytetin e vendit, Podgoricë. Ndërsa po të shikojmë kryeqytetet e vendeve të tjera të rajonit, vërehet se 42 për qind e popullsisë urbane të Maqedonisë jeton në Shkup, 36 për qind e popullsisë urbane të Greqisë jeton në Athinë, 30 për qind e popullsisë urbane të Serbisë jeton në Beograd, 28 për qind e popullsisë urbane të Kroacisë jeton në Zagreb, 28 për qind e popullsisë urbane të Shqipërisë jeton në Tiranë, 23 për qind e popullsisë urbane të Bullgarisë jeton në Sofje, 22 për qind e popullsisë urbane të Bosnjës jeton në Sarajevë dhe 17 për qind e popullsisë urbane të Rumanisë jeton në Bukuresht. Këto të dhëna tregojnë se mundësitë e punësimit janë përqendruar në një masë të konsiderueshme në kryeqytet.

Kur flasim për tendencat e migracionit në vendet e Ballkanit, nuk duhet anashkaluar fakti që edhe vetë rajoni ka marrë migracion, qoftë kjo për shkak të luftërave në vitet 1990, qoftë edhe për shkak të emigrantëve të ardhur nga Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut. Sipas Komisariatit të Lartë të OKB-së për Refugjatët (UNHCR), në fund të vitit 2016, në dhjetë vende ballkanike kishte 110 mijë e 992 refugjatë, 59 mijë 697 azilkërkues, 317 mijë e 957 persona të zhvendosur me forcë dhe 14 mijë e 567 persona pa shtetësi.

Me sa duket fenomeni i migrimit do të vazhdojë të jetë në agjendën e vendeve të Ballkanit me të gjitha aspektet e tij./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne