Një faqe e re në marrëdhëniet Maqedoni-Bullgari

Nga Dr. Erhan Turbedar

Marrëveshja e Miqësisë (marrëveshja për fqinjësi të mirë) e nënshkruar ndërmjet Bullgarisë dhe Maqedonisë në gusht të vitit 2017 më në fund do të hyjë në zbatim. Pas kuvendit të Bullgarisë në datën 15 janar 2018 edhe kuvendi i Maqedonisë e miratoi marrëveshjen. Marrëveshja në fjalë ka si qëllim zgjidhjen e divergjencave mes dy vendeve, zhvillimin e marrëdhënieve miqësore dhe gjallërimin e procesit të integrimit të Maqedonisë në NATO dhe Bashkimin Evropian.

Qeveria Zoran Zaev, që erdhi vitin e kaluar në detyrë në Maqedoni, vazhdon të hedhë hapa për tu admiruar për të zhvilluar marrëdhëniet aktuale me vendet fqinje. Kryeministri Zaev, duke lënë pas deklaratat dhe politikën nacionaliste të qeverisë së mëparshme, VMRO-DPMNE, filloi të hedhë hapa që nuk e distancojnë Maqedoninë por e bëjnë atë të fitojë miq. Zaevi, për shembull, pasi shfaqi në mënyrë të qartë vullnetin politik, bën të ditur se problemet në Ballkan mund të zgjidhen madje pa pasur nevojë për ndërmjetësues. Marrëveshja e Miqësisë ndërmjet Bullgarisë dhe Maqedonisë është një shembull tipik i kësaj. Edhe Shkupi edhe Sofja “i kanë përveshur mëngët” për ti dhënë një frymë të re marrëdhënieve dypalëshe. Por pavarësisht kësaj mosmarrëveshjet aktuale ndërmjet dy vendeve nuk mund të zgjidhen nga darka në mëngjes.

Pas Greqisë edhe Bullgaria në vitet e fundit kishte filluar të bënte veto anëtarësimin e Maqedoninë në NATO dhe Bashkimin Evropian. Për më tepër, Sofja e akuzonte Shkupin për zbatimin e ideologjisë së urrejtjes kundër Bullgarisë. Edhe pse Bullgaria është vendi i parë që e ka njohur Maqedoninë me emrin kushtetues, marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve kishin mbetur të bllokuara nën hijen e të kaluarës.

Për kujtesë mund të themi se pas Kongresit të Berlinit në vitin 1878, një pjesë e madhe e marrëdhënieve ndërmjet vendeve të Ballkanit ishin fokusuar tek përfitimet ose ndarjet e Maqedonisë. Grekët duke pretenduar disa të drejta të periudhës antike dhe bullgarët dhe serbët duke pretenduar disa të drejta që i përkasin mesjetës, u munduan që në periudhën osmane të zotëronin Maqedoninë që kishte kufij më të gjerë. Në ditët tona as Bullgaria, as Serbia dhe as Greqia nuk kanë pretendime për territoret e Maqedonisë. Por për shkak të barrës së mbartur nga e kaluara Maqedonia vazhdon të ketë disa probleme me tre fqinjët e sipërpërmendur dhe veçanërisht me Greqinë dhe Bullgarinë.

Sipas tezës greke dhe bullgare, Maqedonia e sotme nuk ka ekzistuar kurrë në histori dhe pas Luftës së Dytë Botërore u krijua për arsye ideologjike. Një tezë e tillë kritikohet me urrejtje nga maqedonasit. Greqia bën të ditur se fjala “Maqedoni” është një trashëgimi historike dhe prej vitesh refuzon të njohë Maqedoninë me emrin e saj kushtetues. Për më tepër Athina ripërsërit vazhdimisht se do të bëjë veto anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe Bashkimin Evropian për sa kohë që ky vend nuk e ndryshon emrin. Pavarësisht se Maqedonisë në vitin 2005 iu njoh statusi i vendit kandidat për anëtarësim në BE, për shkak të qëndrimit të Greqisë është shtyrë gjithmonë fillimi i negociatave për anëtarësim. Kjo gjendje, që nga viti 2006 e deri më sot, është bërë shkak për përshkallëzimin e nacionalizmit në Maqedoni.

Nacionalizmi maqedonas i shtytur nga Greqia u pasqyrua negativisht edhe në marrëdhëniet e Shkupit me Bullgarinë. Bullgaria heziton të njohë maqedonasit si një popull dhe maqedonishten si një gjuhë dhe për këtë arsye historianët maqedonas kanë tendencën të akuzojnë Sofjen për mos heqje dorë nga politikat që i përkisnin shekullit të 19-të dhe 20. Edhe në ditët tona në Bullgari ekziston mendimi se maqedonasit janë bullgarë dhe maqedonishtja është një dialekt i bullgarishtes. Ndërsa kohët e fundit lehtësimi i procedurës së dhënies së pasaportës bullgare nënshtetasve maqedonas ka shqetësuar që tepërmi Shkupin. Edhe regjistrimi çdo vit i qindra të rinjve maqedonas në universitet bullgare bëhet shkak për diskutime dhe shqetësime në Maqedoni. Disa politikanë dhe burime mediatike maqedonase shprehen se me zbatime të tilla Bullgaria përpiqet të ‘bullgarizojë’ Maqedoninë.

E parë nga aspekti i Sofjes, krahas kritikave nacionaliste të bëra kundrejt Bullgarisë, kuptohet se është e shqetësuar nga projekti “Shkup 2014” që zbatohej nga qeveria e mëparshme VMRO-DPMNE.

Udhëheqja e asaj kohe, me projektin “Shkup 2014” të zhvilluar në kuadër të problemit të emrit, që përjetohet me Greqinë, përpiqej të tregonte se struktura e popullsisë së shtetit antik maqedonas nga aspekti etnik dhe kulturor nuk ishte homogjene. Për këtë arsye rrënjët e kombit të sotëm maqedonas shtriheshin deri në shtetin antik Maqedonas. E thënë ndryshe, me projektin “Shkup 2014” qeveria maqedonase përpiqet të provonte lidhjet historike ndërmjet shtetit antik të Aleksandrit të Madh dhe Carit Samuel, një nga udhëheqësit e Ballkanit të Mesjetës me Maqedoninë Moderne. Edhe pse historianët e ish-Jugosllavisë u munduan ta tregojnë carin Samuel si maqedonas, për Sofjen Ai pranohet në mënyrë të padiskutueshme si bullgar. Pasi edhe Kryeministri i Bullgarisë, Bojko Borisov e akuzon Shkupin se përpiqet ti dalë për Zot një pjesë të historisë së Bullgarisë.

Në marrëdhëniet ndërmjet Bullgarisë dhe Maqedonisë ka edhe disa probleme të tjera. Por duket se shqyrtimi përsëri i historisë së përbashkët të dy vendeve fqinje është çështja që do të vështirësojë më shumë marrëveshje e re të miqësisë midis këtyre dy vendeve./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne