Një histori e shkurtër e pranisë së turqve në Ballkan

Autor: Dr. Erhan TÜRBEDAR

Prania e turqve në Ballkan është po aq e vjetër sa ajo e sllavëve. Monumentet dhe mbetjet nga kohët e lashta flasin për fise të ndryshme kryesore turke që kanë ardhur në Ballkan para osmanëve. Pasi është e mundur që në Ballkan të shikosh gjurmë të ndryshme të fiseve turke siç janë: Avarët, Peçenekët, Oguzët, Kumanët dhe të tjerët. Përveç mbetjeve të tilla si mbishkrime dhe monumente të periudhës para-osmane, disa emra që u përkasin fiseve të vjetra turke përdoren ende edhe sot e kësaj dite, siç është emri i qytetit të “Kumanovës” (Tetova) në Maqedoni.

Disa hulumtime tregojnë se në disa pjesë të Bosnje-Hercegovinës dhe Malit të Zi ka zona që kanë shërbyer për një kohë të gjatë si vendbanime të fiseve Avar. Historiania Nada Klaiç argumenton se elementë të rëndësishëm Avar kanë marrë pjesë në organizimet e para politike të sllavëve. Ajo flet për një administrim të Avarëve në territorin e Bosnjës, i cili ka zgjatur rreth 200 vjet. Klaiç dhe disa historianë të tjerë pretendojnë gjithashtu se tituj të tillë fisnikë si “Ban” dhe “Jupan”, që u përkisnin administratorëve të parë sllavë, janë fjalë të përdorura nga Avarët dhe kanë kuptimin “i pasur” / “pronar”. Këto janë vetëm disa nga provat që tregojnë se turqit në Ballkan janë po aq të vjetër se sa sllavët.

Shteti Osman në Ballkan jo vetëm që zhvilloi në mënyrë të qëndrueshme marrëdhëniet e turqve me Ballkanin, por solli edhe përfundime ndikuese në aspektin historik të rajonit. Me marrjen e Kalasë së Çimbit afër Galipolit në vitin 1352 Osmanët hodhën edhe hapin e parë drejt Ballkanit. Këtë fitore e ndoqi një përparim që zgjati rreth 350 vjet drejt Evropës Qendrore.

Në gjysmën e dytë të shekullit të 14-të, në Evropë pothuajse nuk ka pasur asnjë që të imagjinonte, se Osmanët do të mund të ndaleshin vetëm para Vjenës. Përparimi i Osmanëve në Ballkan ndonjëherë ndeshi në rezistencën e forcave të kombinuara vendore, por këto nuk arritën ta ndalin ushtrinë osmane. Fragmentizimi social dhe ekonomik në shtetet e Ballkanit dhe konkurrenca mes tyre e lehtësuan në masë të rëndësishme përparimin e Osmanëve drejt brendësisë së Evropës, përparim që ndoqi tre drejtime kryesore.

Humbja në Rrethimin e Dytë të Vjenës ishte fillimi i fundit të fuqisë osmane. Pas Rrethimit të Dytë të Vjenës, i cili filloi në vitin 1683 dhe dështoi përballë aleancës së ushtrive të Austrisë, Polonisë dhe Republikës së Venedikut, Osmanët filluan të humbasin disa territore që kishin ngadhënjyer në Evropë dhe nisën të tërhiqen në drejtim të juglindjes. Procesi i tërheqjes nga Evropa Qendrore dhe Ballkani vazhdoi për rreth 210 vjet. Vendimet e marra në Kongresin e Berlinit (13 korrik 1878) bënë që osmanët të humbasin në masë të konsiderueshme dominimin e tyre në Ballkan. Ndërsa pas vitit 1912 Osmanët e humbën plotësisht Ballkanin.Por megjithatë, gjurmët Osmane nuk u fshinë kurrë nga Ballkani.

Me kalimin e Ballkanit nën administrimin e Shtetit Osman, rajoni hyri në një proces zhvillimi, qytetet nisën të zhvillohen, kushtet e jetesës u përmirësuan, në rendin dhe jetën shoqërore ndodhën ndryshime të mëdha. U ndërtuan ujësjellës; u hapën çezma, hamame, biblioteka; u ndërtuan rrugë, ura e objekte; u zhvillua zejtaria dhe tregtia; rajoni njohu një zhvillim kulturor. Osmanët sollën me vete edhe një qytetërim të ri të bazuar në kulturën islame. Nga njëra anë, Osmanët u vendosën në Ballkan si një grup i konsiderueshëm mysliman, kurse në anën tjetër myslimanët dhe turqit filluan të formojnë një pjesë të rëndësishme të popullsisë së Ballkanit si rezultat i përvetësimit të Islamit në rajon.

Me zbatimin e “Sistemit të Timarit” u reduktua shtypja e fshatarëve nga bejlerët lokalë, popullatës vendase iu njohën të drejta dhe liri më të gjera. Fshatarët, të cilët në periudhën para-Osmane bënin një jetë monotone në tokat feudale, gjatë sistemit Osman arritën që të kenë shtëpinë e tyre, një kopsht të vogël për perime dhe një vresht me rrush. Ka pasur edhe nga ata që i perceptuan Osmanët si shpëtimtarë, për shkak se Osmanët një pjesë të tokave të kontrolluara nga pronarët e mëdhenj dhe manastiret ua shpërndanë të varfërve. Përveç kësaj, qeveria Osmane reduktoi në masë të konsiderueshme shërbimet angari. Me ligjet që nxori parandaloi shfrytëzimin e fshatarëve të krishterë. Një fakt i rëndësishëm që konfirmon këtë përmirësim në mirëqenien e fshatarëve është se një numër i madh fshatarësh në shekujt e 15 e 16-të kanë emigruar nga zonat e pa-ngadhënjyera në territoret e administruara nga Shteti Osman.

Duke qenë se dy çështjet kryesore që i kanë interesuar Shtetit Osman kanë qenë fuqia njerëzore që do të përdorej në luftë dhe paratë që u duheshin paguar këtyre, Osmanët nuk kanë ndërhyrë në qeverisjen e shteteve të krishtera që patën ngadhënjyer, në përgjithësi nuk u përzien në strukturën e shoqërisë dhe në ritualet e tyre fetare etj.

Sulltanët nuk kanë ndjekur ndonjë politikë si ajo e konvertimit me forcë të popullatës jo-myslimane të Ballkanit apo turqizimin e atyre që nuk ishin turq. Përveç kësaj, Sulltani gjatë ushtrimit të kompetencave nuk merrte në konsideratë vetëm Sheriatin, por edhe zakonet dhe doket e popujve që kishte nënshtruar. Një çështje e rëndësishme, që tregon se Osmanët nuk kanë ndërhyrë shumë në strukturën fetare të popullsisë lokale, është se ata kanë lejuar ndërtimin e një numri të madh kishash dhe manastiresh të reja në shumë vende të Ballkanit, që kanë qenë nën administrimin Osman, veçanërisht në Bullgari dhe Serbi.

Gjendja e fshatarëve filloi të përkeqësohet aty nga fundi i shekullit të 17-të, kur disa spahi nisën ti shesin timaret si pronën e tyre private. Me rritjen e taksave që mblidhte shteti për të përballuar ekspeditat ushtarake në rritje, në të njëjtën periudhë pati edhe disa kryengritje që protestonin vetëm rritjen e taksave apo nëpunësit që ushtronin presion mbi popullin. Vetëm se disa historianë të Ballkanit në përgjithësi veprime të tilla në librat e tyre të historisë i kanë pasqyruar si “një luftë që bëhej për çlirimin kombëtar”. Mësimdhënia e historisë osmane duke e shtrembëruar atë është një problem i përbashkët që vihet re në tekstet e historisë në vendet e Ballkanit. Megjithatë, historia është dëshmitare për suksesin që arriti Shteti Osman, i cili krijimin e një shoqërie të drejtë dhe të ekuilibruar e kishte vendosur në mesin e objektivave kryesore, për të vendosur paqen për shekuj me radhë në një hapësirë të madhe gjeografike.

Shqipëroi: Serdar HÜSEYNİ/ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne