NJË HYRJE NË ORIENTALIZMIN E EDWARD SAIDIT

Haki Sahitaj

Kur fillon të shkruash apo flasësh për orientalizmin, ndër librat e parë që shumë nga ne mund të kenë parasysh është libri i Edward Saidit rreth orientalizmit. Mënyra se si ai i qaset subjektit dhe përshkrimi i argumenteve, duket te jenë një metodë më ndryshe, kundrejt shumë librave, që janë shkruar rreth Orientit. Kjo ndoshta dhe vjen nga mënyra se si Saidi e kupton orientalizmin. Ku në librin e tij ai shprehet se për të orientalizmi kupton shumë gjëra.

“Çdo kush që jep leksione, shkruan ose bën kërkime rreth Orientit, kjo gjë futet në zbatim edhe nëse personi që merret me të është antropolog, sociolog, historian apo filolog, si në aspekte të veçanta, ashtu edhe në ato të përgjithshme, ajo çka ai ose ajo bëjnë, quhet Orientalizëm”.

Ai librin e ka ndarë në tre kapituj. Në kapitullin e parë ai flet për shtrirjen e Orientalizmit me anë të fakteve historike, por edhe të eksperiencave personale. Në kapitullin e dytë ai flet për Strukturat dhe ristrukturat orientaliste. Ai në këtë kapitull përpiqet të hetojë më shumë rreth zhvillimit të orientalizmit modernë, ku ka në fokus disa poetë, artistë e studiues të ndryshëm. Dhe kapitulli i tretë flet më shumë për ngjarjet pas luftës së Dytë Botërore dhe zhvillimet e reja orientalistike. Në fund të këtij kapitulli autori flet për orientalizmin, ku më të angazhuar kemi amerikanët me interesat e tyre, se sa kolonitë e vjetra evropiane.

Historikisht termi orientalizëm sot nuk preferohet të përdoret aq sa më parë. Kjo duke patur parasysh, se ky term të kujton kolonializimin ekzekutiv evropian të shek. XIX dhe fillimin e shek. XX. Por, sipas Saidit orientalizmi pavarësisht dinamikës kohore, vazhdon edhe sot të jetojë me anë të tezave rreth Orientit dhe njeriut oriental. Çfarë do ta shtynte Saidin të kërkonte kaq gjerë për t’i dalë për zot kësaj çështje kaq komplekse? Ka disa përgjigje që mund t’i nxjerrim nga kjo vepër, por ndër të parat, që edhe ai mbron më së shumti është ideja për respektimin e këtyre njerëzve (orientalë) për atë se çfarë janë dhe për vizionin e tyre se çfarë ata duan të jenë. Ai mbron dhe beson idenë e Xhanbatista Vikos, se njerëzit e bëjnë vetë historinë, histori e bërë nga burrat e gratë. Dhe ai mundohet të heqë nga mendja entitetet si Orient/Oksident, sepse këto janë bërë nga njerëzit. Pra kulturalisht, nuk kanë ekzistuar si fenomene natyrore. Por Orientalizmi është një stil mendimi, i cili bazohet mbi ndarjen ontologjike dhe epistemologjike. Dhe këtu na del se kemi gurin themeltar mbi ndarjen mes Lindjes dhe Perëndimit, e cila ka qenë pika bazë e shumë teorive, përshkrimeve, apo edhe llogarive politike, që janë bërë për vendet e Orientit, njerëzit etj. Andaj dhe Saidi orientalizmin e sheh tërësisht, si produkt/imazh Perëndimor. Madje i tërë mundi i autorit në këtë libër është përqendruar të shpjegojë se si vetëm falë imazhit që krijoi Perëndimi për Orientin arriti të ngritet kulturalisht për vete, pra, atë që ai e quan Orientin, si substancën kulturore të civilizimit evropian.

Madje kjo epërsi shkon përtej kësaj, shton ai, sepse jo vetëm kulturalisht, por kjo shihet edhe ideologjikisht, si mënyrë e të folurit, në institucione, fjalor, dijen e marrë në shkolla, imazhe, doktrina, e madje deri edhe me burokracinë dhe stilin kolonial. E gjitha kjo vetëm e vetëm që Perëndimi ta rikonstrukturonte dhe të dominonte mbi Lindjen.

Dominimin mbi Orientin, Saidi e lidh fillimisht me dominimin franko-britanik deri në luftën e Dytë botërore, ku më pas, ky dominim kalon në duar të Amerikës. Gjatë gjithë këtij dominimi Saidi vëren se ka dominuar një mungesë e madhe sinqeriteti për të shkruar, përshkruar apo folur mbi këto shoqëri. Kjo do të thotë se “Orienti”, jo vetëm që është zbuluar si oriental, por se edhe duhej të bëhet i tillë, pra të orientalizohet.

Sipas Denis Hay, ekziston një ndarje e tillë, “Ne” evropianët dhe “Ata” joevropianët. Andaj dhe Saidi trajton çështjen e njohës objektive mbi Orientin. Ai shprehet se ka ndryshim midis njohurisë për popujt e tjerë dhe kohët e tjera, që është rezultat i kuptimit, dhembshurisë, studimit të kujdesshëm dhe analizave për hatër të tyre, si dhe njohurisë, që është pjesë e një fushate të përgjithshme vetë-afirmuese. Ekziston, në fund të fundit, një ndryshim i thellë midis vullnetit për të kuptuar për qëllime bashkëjetese dhe të zgjerimit të horizontit, si dhe dëshirës për të dominuar për qëllime kontrolli. Ai që në hyrje të librit ka dashur të bëjë ndarjen mes dijes së kulluar dhe dijes politike. Ndonëse ai e pranon së është shumë e vështirë të bësh një studim e të mos ndikohesh nga situatat në të cilat jeton dhe ndikohesh. Por për këtë lloj perceptimi të gjerë ne kemi nevojë për kohë, durim dhe kërkim skeptik, të mbështetur nga besimi në komunitetet e interpretimit, që janë të vështira për t’u mbajtur në një botë që kërkon veprim dhe reagim të menjëhershëm. E në këtë rast kur kemi një qasje ndaj Orientit, çdo studiues do të niset nga fakti se ai është evropian ose amerikan. Andaj Saidi nuk i ikë idesë se interesi evropian, apo amerikan mbi Orientin janë thjeshtë politike. Interesat, që dalin nga vetë ndarja Lindje-Perëndim shkojnë edhe më larg. Sepse, gjitha ato studime shkencore, filologjike, analiza psikologjike, përshkrimet e natyrës, jo vetëm që në nxjerrin një shkencë e quajtur Orientalizëm, por se kjo edhe është ajo çfarë e mban gjallë Oksidentin. Pra një botë ndryshe që perëndimorët duan t’i japin formë, ku arrihet më pas dominimi politik, intelektual, kulturor dhe moral, ku ai merr si shembull pushtimin amerikan ndaj Irakut dhe thotë se këta njerëz hasen tani në Irak nga një ushtri e tërë kontraktuesish privatë dhe sipërmarrës të etur, të cilëve u besohet gjithçka, nga shkrimi i teksteve të librave dhe kushtetutës, deri në rimodelimin e jetës politike irakiane dhe industrisë së saj të naftës. Ideja se janë perëndimorët ata që duhet përfaqësuar këta popuj vjen edhe si shkak, se në syrin e orientalizmit kurrë nuk ka pasur një Orient, që të ekzistojë objektivisht, ose se ata nuk mund ta përfaqësojnë vetën. Saidigjithashtu përmend dhe mendimin e Marksit, i cili citonte se,“Ata nuk janë të aftë të përfaqësojnë vetveten, ata duhen përfaqësuar.”

Tek kjo pikë do vërejmë një karakteristikë të Saidit, ku ai orientalizmin nuk e sheh vetëm si marrje nga ana e perëndimorëve, por edhe si dhënie, që do të thotë se nga ndikimi i pushtetit politik mbi shkrimtarët dhe mendimtarët bën që të dalin prodhime të reja intelektuale. Në këtë rast autori nuk është aq shumë i dhënë për të kuptuar interesat që ka pasur natyra e një politike të caktuar, por mënyra se si këta mendimtarë, apo shkrimtarë nxorën në pah qasje kaq të holla, stilin që ata krijuan dhe përdorimin e detajeve të panumërta që ata përdorën. Thënë më shkurt, kjo prodhimtari nuk ishte thjesht reflektim sipërfaqësor. Mendoj se kjo pasuri, stil dhe qasje, e ka nxitur Saidin të sjellë më shumë fakte konkrete, që të kuptojë se çfarë energjish të tjera intelektuale, estetike, doktrinore, e kulturore u shpenzuan në formësimin e një tradite imperialiste, si Orientalizmi? Si e revolucionalizon Orientalizmi veten? Cili është origjinaliteti i tij, dhe si arritën që të mbijetojnë nga një epokë në një epokë tjetër? Si duhet t’i qasemi ne një aktiviteti kaq kompleks që kanë ndërmarrë orientalistët? Pra siç edhe shohim te kureshtjet e Saidit, ne konkludojmë se studimi i tij është tërësisht humanist. Për këtë në veprën e tij ai nuk u bën ekzaminime vetëm teksteve shkencore, por edhe teksteve letrare, politike, gazetareske, librave me udhëtime, teksteve fetare e filologjike. Pra një perspektive tërësisht historike dhe “antropologjike” siç e quan ai. Me këtë vepër Saidi edhe nxit që të bëhen studime si kundër përgjigje ndaj Orientalizmit, për të dhënë një shembull sa më praktik, se mund të studiohen kultura të tjera, duke u përpjekur për të qenë të lirë dhe jo të manipuluar. Ai mendon se suksesi në këtë gjendet vetëm nëse arrihet të ekzaminohen korrektësisht problemi dije-pushtet. Duke u bazuar dhe tek kriteri i A.Gramshit se për të qenë i ndërgjegjshëm në një veprimtari kritike, duhet të dish se kush je ti. Pra të njohësh vetën dhe produktet historike, që të sollën aty ku je dhe gjurmët, që kanë lënë mbi ty këto produkte.

Sipas Saidit kultura dhe shoqëria duhen të jenë të pandashme për një studim të mirëfilltë. Sepse sferat e jetës janë të ndikuara nga njëra-tjetra dhe ajo çfarë mendon ai është se ka më shumë nevojë të flasim për çështjet e padrejtësisë dhe vuajtjeve brenda një konteksti, që është i vendosur gjerësisht në histori, kulturë dhe realitetin socio-ekonomik. Për këtë autori është i bindur se nëse kjo vepër do tëndikonte të zhdukej dikotominë Orient/Oksident, atëherë edhe mund të priten zhvillime të tjera më paqësore, mirëkuptimi mes qytetërimeve, thjesht, duke mos vuajtur kompleksitetin e dominimit racial, gjeografik, apo politik. Ai librin e përmbyll me përshtypjet e tij pesëmbëdhjetë vjeçare, që kaloi në këto studime, ku thotë se: “Duke iu rikthyer nga një largësi pesëmbëdhjetë vjeçare, të mbushura plot ngjarje dhe një prezencë të një rryme të re studimi, që synon mënjanimin e pengesave me anë të së cilave imperializmi ka kufizuar mendimin dhe ka tkurrur marrëdhëniet ndërnjerëzore. Orientalizmi të paktën ka pasur meritën e të rreshtuarit haptazi në këtë luftë, që sigurisht vazhdon, si në “Lindje”, ashtu edhe në “Perëndim”./ orientalizmi

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne