Një i gjashtë në grabitjen e Rinasit, zbulohet roli që kishte në grup

Një tjetër person po kërkohet nga policia, pasi ishte ‘punësuar’ që të shpërqendronte policinë gjatë grabitjes spektakolare në Rinas. Megjithatë, policia ka dyshime se grupi që punoi për realizimin e grabitjes së miliona eurove, është edhe më i madh.

Automjeti i djegur i gjetur në Bathore është përdorur si karrem për të hutuar policinë, pasi kishte karakteristika dhe tip si automjeti me të cilin u larguan autorët nga vendi ku u përplasën me armë me policinë (benz-vito), por nuk u përdor ditën e ngjarjes nga autorët.

Ky automjet mësohet se qëndronte prej 5 ditësh i parkuar në zonën ku u gjet i shkrumbuar. Ka qenë një person i veshur me të zeza, i pamaskuar, ai që ka djegur automjetin pas grabitjes në Rinas. Më pas, ky person është larguar me një biçikletë të bardhë. Policia po punon për identifikimin e tij.

Ndërsa automjeti që dyshohet se u përdor nga grabitësit për t’u larguar bashkë me paratë, u gjet në një prej tuneleve të Tapizës, brenda së cilës u gjetën armë dhe municion.

Po kështu mësohet se kur grupi i grabitësve ka ndërruar automjetet dhe po bënte transportin e parave, zjarr ndaj policisë ka hapur vetëm Murataj i cili qëndronte në prapavijë për të mbuluar anëtarët e tjerë të grupit me zjarr derisa të transportoheshin paratë, raporton BalkanWeb.

Me sa duket zbardhja e ngjarjes nuk do jetë larg pasi në fugonin me mbishkrimin “hetimi tatimor” policia ka gjetur shumë shenja gishtash dhe gjurmë biologjike të vlefshme për hetimin.

Në bazë të informacioneve policia ka orientuar dyshimet drejt 2 personave për të cilët po kryen verifikime. Një prej tyre është ish-polici i një komisariati në Tiranë me inicialet M. H. por nuk është bërë ende shpallja e tyre në kërkim policor.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne