Një luftë e re civile në Amerikë? Disa mendojnë se ajo tashmë ka nisur

Duke nisur nga njerëzit e famshëm që u bëjnë thirrje qytetarëve për të dalë në rrugë, tek anëtarët e Kongresit që bëjnë thirrje për sulme publike kundër zyrtarëve të Shtëpisë së Bardhë dhe deri tek drejtësia e turmave nëpër restorante – a po shkon SHBA-ja drejt një lufte të re civile?

E pra, disa njerëz mendojnë se farat e një lufte të re civile tashmë janë mbjellë. Në një artikull të kohëve të fundit, profesori i ligjit Glenn Harlan Reynolds i Universitetit të Tenesis, argumentoi në USA Today se me të vërtetë lufta e re është në “një rrugë të mbarë”.

Reynolds po i bënte jehonë komenteve të ngjashme të analistëve si analisti politik Thomas Schaller, i cili shkroi në një artikull të kohëve të fundit në Bloomberg se Amerika është “në fillimin e një lufte të butë civile” dhe autorit Tom Ricks i cili binte dakord se vendi po shkonte në atë drejtim.

Pjesa më e madhe e shqetësimit të kohëve të fundit është nxitur nga politika “zero tolerancë” e emigracionit e administratës Trump dhe nga vendimi për të ndarë fëmijët nga prindërit e tyre përgjatë kufirit amerikano-meksikan, megjithëse gjërat janë fryrë që kur Trump mori detyrën 18 muaj më parë.

1. ‘Zoti është në anën tonë!’

Përfaqësuesja Maxine Waters (D-California) shkaktoi një tronditje të madhe javën e kaluar, kur ajo inkurajoi kritikët e politikave të imigracionit të Shtëpisë së Bardhë për të dalë ne rrugë dhe të sulmonin në publik anëtarët e administratës Trump. Waters i bëri një thirrje të fortë qytetarëve për tu siguruar që për zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë nuk do të kishte më “gjumë dhe qetësi”.

“Nëse shihni dikë nga kabineti qeveritar në restorant, në market, në benzinatë, dilni dhe bëhuni turmë. Ndiqini ata nga pas. Tregojuni atyre se nuk janë më të mirëpritur, në cdo vend”, tha ajo.

Por komentet e saj u dukën kaq ekstremë dhe të zjarrtë saqë nxitën një ish agjent të shërbimit sekret ti quante të rrezikshëm duke paralajmëruar se kishin shkuar përtej normave të diskursit civil dhe e kritikoi atë për dorëzimin e sundimit të ligjit në dorë të turmës me qëllim përmbushjen e qëllimit politik.

Jo shumë kohë pas komenteve të Watersit, sekretares së shtypit të Shtëpisë së Bardhë Sarah Sanders ju kërkua që të dilte jashtë nga një restorant në Virxhinia, sepse ajo punonte për administratën Trump.

2. ‘Rrethojini shtëpitë dhe shkollat e tyre me protesta!’

Edhe personalitetet e famshëm po hidhen në sulm duke inkurajuar amerikanët që me miliona të dalin nëpër rrugë për të protestuar kundër administratës Trump.

Javën e kaluar, komentet e aktorit Peter Fonda vunë në gatishmëri shërbimin sekret kur ai sugjeroi që djali 12 vjeçar i Trumpit, Barron, të merrej nga nëna e tij Melania dhe të vendosej “në një kafaz me pedofilët” dhe se qytetarët duhet të “rrethonin shkollat e fëmijëve të zyrtarëve të administratës në përgjigje të politikës së ndarjes së fëmijëve.

Pak më dramatike ishin thirrjet për protesta dhe ndryshime të bëra nga figurat e tjera të njohura të Hollivudit. Aktori John Cusack akuzoi administratën e Trump për “fashizëm” dhe “torturim” të fëmijëve, ndërsa muzikanti Serj Tankian shkroi në Instagram se SHBA ishte në gjendjen e një “regresi absolut” dhe se ishte koha për një “revolucion paqësor”.

3.Polemikat lidhur me monumentet e konfederatës

Debati i ashpër mbi heqjen e monumenteve dhe simboleve të konfederatës në të gjithë SHBA-në mishëron ndarjen e tanishme politike dhe sociale dhe interpretimet konkurruese të historisë amerikane, ku njëra palë beson se monumentet vlerësohen pasi kanë luftuar për të ruajtur skllavërinë në vend ndërsa pala tjetër beson se nderohen patriotët e mëdhenj.

Kur supremacisti i bardhë, Dylann Roof, në vitin 2015 vrau nëntë zezakë amerikanë që po ndiqnin shërbesën e një lutjeje në Virxhinia, ai nxiti një lëvizje për të hequr monumentet e Konfederatës nga hapësirat publike në të gjithë vendin. Më shumë se 100 monumente dhe simbole të mbështetura nga publiku janë hequr që prej vitit 2015 – por jo pa polemika dhe protesta kundërshtuese. Ndërkohë që monumentet po hiqen në të gjithë SHBA-në, grupe të tjera po nxisin që të ngrihen dhe të vendosen të reja.

Vitin e kaluar, një tubim i grupit supremacist “Unite the Right” i mbledhur në shenjë proteste për heqjen e planifikuar të një statuje të Robert E. Lee në Charlottesville, Virxhinia u shndërrua në dhunë pasi një protestues u fut me veturë në masin e një turme, duke vrarë aktivistin Heather Heyer.

4. Luftërat e mediave, polarizimi i opinionit

E gjithë kjo mosmarrëveshje shoqërore po luhet dhe po zgjerohet në ekranet televizive të amerikanëve në një mënyrë që duket se po e përkeqëson më shumë problemin. Të etur për të rritur vlerësimet e tyre, rrjetet e lajmeve po ftojnë mysafirët më polarizues për debatet e përditshme me të bërtitura dhe të shara. Larg nga ditët e dikurshme kur thjesht favorizonin një kanal lajmesh ndaj një tjetri, tani nëse amerikanët nuk e pëlqejnë raportimin e diçkaje, ajo menjëherë kthehet për ta në “lajm të rremë” ose në “propagandë”.

Në artikullin e tij, Reynolds shkruante se mediat e lajmeve të cilat “nxisin zemërimin e fortë në ndjekjen e vlerësimeve dhe pikëpamjet e faqeve, po e bëjnë problemin edhe më keq” dhe kujtonte një kohë kur amerikanët mund te mos binin dakord për një cështje megjithatë nuk e urrenin njëri-tjetrin.

5. Shtresimi i shoqërisë

Ndërsa e gjithë kjo po luhet në ekranet televizive dhe në mediat sociale, njerzit në skajet e shoqërisë po ndjejnë efektet e një sistemi të sëmurë ndoshta më shumë se kushdo tjetër. Shtresëzimi social-ekonomik i shoqërisë amerikane duket sot më i dukshëm sesa në çdo kohë të viteve të fundit.

Pabarazia dhe dhuna e shfrenuar e policisë kundër afrikano-amerikanëve nxiti protesta edhe në futbollin amerikan të cilat u kthyen në një polemikë mbarëkombëtare midis amerikanëve që janë krenarë për flamurin e tyre dhe himnin kombëtar dhe ata që besojnë se liria dhe drejtësia e vërtetë ende nuk kanë ardhur në Amerikë. Kriza rrënuese narkotike, gjendja kritike e jetesës së fëmijëve dhe një respektim strikt i politikave që e bëjnë të varfërin më të varfër dhe të pasurin më të pasur, kanë ndihmuar në rritjen e zemërimit përgjatë Amerikës.

Reynolds shkroi se një pjesë e problemit tani është se amerikanët nuk ndiejnë më lidhje sociale që i tejkalojnë politikat. E gjitha është, “ne kundra tyre” dhe asgjë në mes. Ai argumenton se kishat, organizatat vëllazërore dhe lagjet i tejkalonin linjat politike, por sic është katandisur sot Amerika, njerëzit gjithnjë e më shumë po e gjejnë identitetin e tyre vetëm tek politika.

Reynolds shpjegon se këshilltarët e martesave thonë se një marrëdhënie është e destinuar të dështojë kur çifti fillon ta shohë njëri-tjetrin me përbuzje – dhe sot në Amerikë duket se nuk ka asgjë tjetër veçse ndjenjat e përbuzjes në të dyja anët e spektrit politik./rt/Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne