Një përgjigje për Haaretz: Hebrenjtë dhe osmanët në Jeruzalem

nga Zekeriya Kursun.

Në muajt e parë të vitit të kaluar, Izraeli donte të mblidhte taksa nga bizneset e kishave të Jeruzalemit. Ndoshta për herë të parë në histori, kisha të shumta, kryesisht Kisha Kamame, mbyllën dyert e tyre për adhurim në shenjë proteste ndaj këtij vendimi. Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu e pezulloi këtë vendim duke u bazuar në reagimet në mbarë botën – por ai nuk e anulloi atë tërësisht. Sipas raportimeve të fundit, disa familje të vjetra muslimane të Jeruzalemit Lindor të cilat ishin të përjashtuara nga pagimi i taksave po përballen me një kërcënim të ngjashëm. Megjithëse ky nuk është një vendim i lehtë, duke marrë parasysh gjithçka që Izraeli ka bërë deri tani, nuk është edhe aq vendim i vështirë.

Në edicionin e 24 janarit, e përditshmja izraelite Haaretz përmendi në një shkrim praktikat osmane të mbledhjes së taksave ndaj hebrenjve në periudhën osmane. Shkrimi trajton një periudhë administrative prej vetëm disa vitesh, ndërsa titulli i tij është ironik: “Njësoj si i jati edhe i biri: Guvernatori osman që torturoi hebrenjtë e Jeruzalemit”.

Një gënjeshtër që kërkon të prekë të vërtetën

Historia fillon me Muhammedin Ibn Farukun që në fillim të shekullit të 17 emërohet si zëvendës guvernator i sanxhakut të Jeruzalemit. Ngjarja që flet për një baba dhe djalin e tij ka ndodhur midis viteve 1621 dhe 1626. Kjo ngjarje që flet për mbledhjen e tepruar të taksave për çifutët përmban një sërë gabimesh që duhen korrigjuar. Edhe pretendimi se në Jeruzalem në shekullin e 17-të jetonin 3.000 çifutë është një gënjeshtër më vete. Megjithëse nuk ka shumë të dhëna të mjaftueshme për këtë temë, kjo shifër e cila me kalimin e tre shekujve nuk mundi të arrinte as edhe në 10,000, është e mjaftueshme për të treguar se ky nuk është problemi.

Nuk do të ishte e drejtë që në emër të historisë të thuhej diçka preçize në atë artikull lidhur me praktikat e Ibn Farukëve, madje duhej të ishin parë edhe arkivat përkatëse. Megjithatë, praktikat e administratës osmane nuk zgjatën më shumë se pesë vjet, përkundër pretendimit në shkrim që thuhet se zgjatën përgjatë gjithë shekullit të 17-të. Kjo nuk është gjë tjetër veçse një akuzë kundër gjithë atyre shekujve të sundimit otoman nëpërmjet satirës dhe ndërhyrjeve në histori.

Përkundër përzierjeve dhe ngatërrimeve që gjenden në të gjithë artikullin që flet për Ibn Farukët si babë e bir, autori nuk ka mundur dot që ta fshehë të vërtetën e cila rrëfen për një periudhë specifike kohore:

“Gjatë katër shekujve të sundimit osman, Jeruzalemi nuk pati asnjëherë sundimtarë të korruptuar dhe problematikë, të cilët të silleshin ashpër me hebrenjtë dhe herë pas here tu kërkonin taksa shtesë, duke i detyruar në këtë mënyrë hebrenjtë të kërkonin borxh dhe ndihma nga hebrenjtë në diasporë ose ndryshe të linin peng mallin e tyre. ”

Nëse ky është realiteti i asaj kohe atëherë kjo deklaratë tregon se e vërteta nuk mund të fshihet dhe se personat e tillë që shkruajnë për historinë mund të prodhojnë gënjeshtra dhe jo histori.

Gjithçka tjetër le ta lemë mënjanë pasi ky rrëfim i bërë në Haaretz konfirmon edhe njëherë pretendimin tonë se e ardhmja e Jeruzalemit mund të përcaktohet vetëm se duke marrë mësime nga trashëgimia osmane.

Rezultati i YTB-së dhe Platformës së Palestinës

Përpjekjet arkivore të ndërmarra nga Platforma e Palestinës nën koordinimin e Presidencës për Turqit Jashtë dhe Komunitetet Përkatëse (YTB), kanë prodhuar rezultate që i japin Haaretz-it përgjigjen e duhur si dhe kanë nxjerrë në pah disa tematika shumë të rëndësishme që ndryshojnë perceptimet. Janë gjetur qindra ngjarje që tregojnë se asnjë anëtar i ndonjë feje apo sekti në Palestinë dhe Jeruzalem nuk ka përjetuar ndonjë persekutim nën sundimin osman katër shekullor. Kjo nuk do të thotë se nuk ka pasur herë pas here ndonjë incident apo ndonjë trajtim të padrejtë për shkak të disa palëve të interesit. Megjithatë sistemi lejonte që zëri i personave të cilët ishin përballur me padrejtësinë më të vogël të dëgjohej. Sapo lajmi i praktikave të padrejta arrinte në Stamboll, menjëherë jepeshin urdhëra nëpërmjet rregullave të reja dhe të drejtat e viktimave mbroheshin.

Për shembull, një ankesë që u dërgua në Stamboll në 5 shtator 1743, tregon një nga praktikat standarde të asaj kohe. Dy hebrenj, të cilët kishin qenë qiraxhinj tek fondacioni Sahratullah në Jerusalem, u vunë nën presion nga disa besimtarë me justifikimin që tu rritej qiraja, edhe pse ata e paguanin rregullisht qiranë e shtëpisë. Për një incident kaq të vogël ata i shkruajtën Stambollit. Me një urdhër që sulltani i dërgon Kadiut të Jeruzalemit, ai menjëherë i urdhëron besimtarët përmes gjykatës për ta parandaluar rritjen e qirasë për shkak të gjendjes së tyre të mjerueshme. Në një shembull tjetër thuhet: Kur në Jeruzalem hebrenjtë kishin të drejtë që grurin e tyre ta bluanin në çdo mulli që donin, Stambolli ndërhyn përsëri kur u vunë re disa tentativa për tu lënë hebrenjve vetëm disa mullinj. Kadiu i Jeruzalemit dhe shefi administrativ dhanë urdhra të rrepta, duke përfshirë edhe deklarata të ashpra lidhur me këtë çështje. Meqë hebrenjtë mund të përdornin çdo lloj mulliri si më parë, ata që u dëmtuan si rezultat i kësaj çështjeje, nëse do të kishte, u urdhëruan që të kompensoheshin për humbjet, duke parandaluar në këtë mënyrë diskriminimet mes muslimanëve dhe hebrenjve.

Në arkivën osmane ka qindra dokumente me të dhëna ku tregohet se hebrenjve të Jeruzalemit nuk u kërkohej asgjë më shumë vetëm se të paguanin taksat ligjore që u takonin. Hebrenjtë që vizitonin Jeruzalemin trajtoheshin me dashamirësi dhe për të varfërit e tyre kishte mbrojtje specifike, etj. Nuk kishte asnjë ndalesë për leximin e Teuratit, për adhurimet e tyre dhe as nuk kishte ndalesa për tregtinë që bënin e cila ishte në përputhje me ligjet.

Edhe në qoftë se në artikullin e Haaretz-it nuk ka ndonjë qëllim dashakeq lidhur me ngjarjet në fjalë, qëllimi i këtij shkrimi është që të përfitojmë nga përvojat historike. Thënia turke që i atribuohet Yunus Emres, “Ai që përparon me sukses nëpërmjet shtypjes nuk mund ti shpëtojë dot një të ardhmeje të mjeruar”, nuk duhet harruar./yenisafak/Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne