Një presidencializëm unik

Ky lloj sistemi ka veçoritë e veta. Në këtë sistem organi ekzekutiv është monocefal, pra udhëheqja me pushtetin ekzekutiv i është dhënë një personi/organi, që i bie të jetë Presidenti. Ai duhet të zgjidhet nga ana e popullit dhe nuk i nënshtrohet votëbesimit të Parlamentit.

Shkruan: Ditar KABASHI, Prizren

Përse ndryshojnë kushtetutat?

Në kuptimin sociologjik, kushtetuta është një kontratë publike, e cila duhet të reflektojë përbërjen sociale dhe nevojat e përgjithshme të shoqërisë. Nisur nga kjo, kushtetutat dallojnë nga vendi në vend, edhe pse ekzistojnë tashmë disa parime fundamentale, që gjejnë shtrat në të gjitha vendet demokratike. Meqenëse në botë hasen diferenca socio-ekonomike, politike e kulturore, kushtetutat ofrojnë trajta të ndryshme të organizimit. Njëra ndër to është pushteti shtetëror.

Evoluimi i shoqërisë prodhon edhe domosdoshmërinë e përshtatjes së normave, që i rregullojnë relacionet ndërshoqërore. Prandaj as kushtetutat nuk mund t’i shpëtojnë imperativit kohor.

Tri pushtetet

Në botën bashkëkohore sistemet e qeverisjes janë të disenjuara me një logjikë të caktuar, duke u konstruktuar si një lloj skeme, ku në bazament qëndron teoria e ndarjes së pushteteve. Sipas kësaj teorie, në një shtet ekzistojnë tri pushtete (legjislativi, ekzekutivi dhe gjyqësori), të cilët duhet të jenë të pavarur nga njëri-tjetri dhe të mos jenë të përqendruar në një vend, por në organe të ndryshme shtetërore. Madje, për Montesqieu-në mbledhja eventuale e këtyre pushteteve në të njëjtën dorë çon në zhdukjen e lirive.

Për të qenë të qartë: në realitet nuk ekziston ndarja e pushteteve, por ndarja e funksioneve dhe organeve shtetërore.

Sistemi presidencial

Ky lloj sistemi ka veçoritë e veta. Në këtë sistem organi ekzekutiv është monocefal, pra udhëheqja me pushtetin ekzekutiv i është dhënë një personi/organi, që i bie të jetë Presidenti. Ai duhet të zgjidhet nga ana e popullit dhe nuk i nënshtrohet votëbesimit të Parlamentit. Gjithashtu, ky sistem është i dallueshëm edhe për disa veçori të tjera, dytësore, sikurse që Presidenti nuk mund ta shpërbëjë organin legjislativ, personi i njëjtë nuk mund të jetë pjesë njëkohësisht edhe në organin ekzekutiv dhe në atë legjislativ dhe se Presidenti nuk merr pjesë në punimet e organit legjislativ. Mungesa e këtyre të fundit nuk e përjashton një model qeverisjeje nga familja e presidencializmit.

Nëse do të shpreheshim me termat e Giovanni Sartorit, si presidencializmi, edhe parlamentarizmi, janë mekanizma njëmotorikë. Derisa tek i pari motor është Presidenti, në të dytin këtë detyrë e kryen Parlamenti.

Shtysat që sollën ndërrimin e sistemit në Turqi

E kaluara perandorake disashekullore ka lënë gjurmë të pashlyeshme në mendësinë e organizimit politik tek populli turk. Pa dyshim, këtu rol thelbësor luan tradita e periudhës para-republikane, e cila bazohet në sundimin e një individi (padishahut) me kompetenca të gjera. Ç’është e vërteta, themelimi i republikës (1923,) ndonëse e abrogoi monarkinë dhe e largoi nga froni dinastinë e familjes osmane, sakaq nuk ofroi demokracinë, pluralizmin, ndarjen e pushteteve ose edhe demitizimin e kreut të shtetit. Në këtë kontekst, edhe vetë themeluesi i republikës, Mustafa Kemal Ataturku, qëndroi në pushtet derisa vdiq, duke organizuar zgjedhje formale në Parlament, në të cilin gjendej vetëm partia e tij. Po ashtu, roli aktiv në politikë i ushtrisë ka bërë që jeta publike të jetë vazhdimisht nën trysninë e autoritarizmit. Krahas kësaj, deri në këtë fillimshekulli Turqia ka qenë e njohur si vatër e tensionimeve dhe lëkundjeve të shpeshta politike. Prishja e koalicioneve të brishta, që rezultonin me rënie të qeverive (për më pak se njëqind vjet republikë, 65 qeveri të formuara) ka bartur deri në këto ditë përvojën e hidhur të mosfunksionimit të sistemit parlamentar, duke çuar vendin shpeshherë në kriza dhe në mungesë të stabilitetit institucional. Gjatë historisë politike në diskursin e figurave të larta herë pas here është theksuar ideja për kalimin në presidencializëm.

Pikë kthese do të bëhej data 16 prill 2017, kur u organizua referendumi dhe pakoja me ndryshimet kushtetuese mori shumicën e votave të nevojshme nga populli, duke u bërë pjesë e strukturës konstitucionale të shtetit.

Domeni i ndryshimeve kushtetuese të vitit 2017

Ndryshimet kushtetuese në Turqi sollën risi të shumta. Ndër më krucialet është organizimi i zgjedhjeve parlamentare dhe atyre presidenciale në të njëjtën ditë, në çdo pesë vjet. Në rast se ndodhë që Presidenti të mos e marrë shumicën prej 50%+1 votë, organizohet rundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale.

Kandidatura për President mund të bëhet nga grupet parlamentare, nga së paku 100.000 (njëqind mijë) votues dhe nga partitë që e kalojnë pragun prej 5% të votave të përgjithshme.

Numri i deputetëve në Parlament është rritur nga 550 në 600 veta, ndërsa kriteri i mëhershëm i moshës për t’u zgjedhur deputet prej 25 vjeç tani është zbritur në 18 vjeç. Për ta ruajtur integritetin e vet përfaqësues dhe kontrollues, organit legjislativ i duhen ca instrumente me të cilat e ushtron veprimtarinë kontrolluese ndaj ekzekutivit. Sipas modelit të ri në Turqi, parashihet të ketë hetim parlamentar dhe debat parlamentar, ndërsa janë përcaktuar disa kushte shtesë për padinë parlamentare. Po ashtu, pyetja parlamentare është paraparë të bëhet vetëm me shkrim drejtuar zëvendëspresidentëve dhe ministrave.

Kalimi në presidencializëm solli edhe unisimin e natyrshëm të pozitës së kreut të shtetit me atë të kreut të ekzekutivit. Domethënë, Presidenti njëherazi do të jetë shef i shtetit dhe shef i qeverisë. Në rastin e Turqisë, ka një karakteristikë shtesë: Presidentit të shtetit nuk i ndalohet t’i ruajë lidhjen formale me partinë e vet, kuptohet nëse ka qenë anëtar partie, madje edhe ta ushtrojë funksionin e kryetarit të partisë.

Kur presidenti është shef i pushtetit ekzekutiv, kemi të bëjmë me sistemin presidencial, mirëpo nëse ai njëkohësisht mund të ushtrojë edhe funksionin e kryetarit të partisë së vet, nënkupton se ka ngjashmëri me pozitën e kryeministrit në sistemin parlamentar ku i njëjti është shef qeverie, por edhe mund të jetë kryetar partie. Pra, në kuptimin formal kemi shuarjen e pozitës së kryeministrit, porse duke i marrë atributet ekzekutive të kryeministrit dhe duke mos u detyruar të jetë i paanshëm politikisht, roli i presidentit në Turqi do të jetë më tepër me cilësi kryeministrore. Nga ky prizëm mund të konkludohet se, juridikisht, është shuar posti i kryeministrit, kurse faktikisht është zhbërë pikërisht zyra e presidencës si simbol uniteti.

Pakoja me ndryshime kushtetuese ka paraparë që mund të shkohet në zgjedhje të parakohshme nëse vendos Parlamenti me 3/5 e numrit të përgjithshëm të deputetëve (në këtë rast Presidentit i lind e drejta që të kandidohet për mandat tjetër) ose vetë Presidenti. Meqë zgjedhjet e rregullta mbahen në të njëjtën ditë, edhe ato të jashtëzakonshmet organizohen ashtu.

Në sistemin e ri Presidenti do të mund të nxjerrë dekrete, të cilat nuk përfshijnë çështje nga të drejtat themelore, të drejtat dhe detyrimet individuale dhe të drejtat dhe detyrimet politike, e as nga ato që rregullohen me ligj. Nëse dekretet presidenciale bien në mospajtim me ligjet në fuqi, për bazë merret ligji. Me anë të dekreteve presidenciale do të mund të formohen, t’u përcaktohen kompetencat dhe detyrat, si dhe të shuhen ministritë e shtetit. Kontrollin kushtetues, në aspektin formal dhe material, të dekreteve e bën Gjykata Kushtetuese, pasi të vihet në lëvizje nga referimi i njërës nga dy grupet më të mëdha parlamentare apo së paku 1/5 të të gjithë deputetëve.

Presidenti do ta ketë kompetencën e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme në rastet e parapara me Kushtetutë dhe dekretet që i nxjerr edhe gjatë kësaj situate ose në gjendje lufte nuk mund të bëhen objekt i kontrollit kushtetues, por vetëm i nënshtrohen aprovimit parlamentar.

Një instrument që fuqizon Presidentin është edhe vetoja ndaj ligjeve. Në qoftë se Parlamenti ligjin e kthyer e kalon përsëri me shumicën e të gjithë deputetëve, atëherë Presidenti duhet ta shpallë atë. Por, nëse Parlamenti ndërhyn diçka në ligjin e kthyer, Presidenti mund të vë veto përsëri.

Në mesin e kompetencave të Presidentit është edhe emërimi dhe shkarkimi i zyrtarëve të lartë publikë, pozitat e të cilave nuk janë përmendur taksativisht në tekstin kushtetues, me përjashtim të zëvendëspresidentit dhe ministrave, të cilët bartin përgjegjësi karshi shefit të kabinetit – Presidentit.

Presidenti do ta propozojë buxhetin dhe, po qe se Parlamenti e refuzon projektbuxhetin e propozuar, do të vazhdohet me lartësinë e rivlerësuar të buxhetit të vitit paraprak, derisa të nxirret ligji i ri për buxhetin.

Në sferën e sigurisë, Presidenti do të jetë përcaktues i politikave të sigurisë dhe kompetent për të ndërmarrë masat e nevojshme. Ai, në emër të Parlamentit, e përfaqëson Kryekomandën e Forcave të Armatosura Turke.

Me modelin e ri lind edhe përgjegjësia penale e kreut të shtetit. Akuza ndaj tij mund të bëhet nëpërmjet padisë parlamentare. Kjo ka ngjashmëri me “impeachmentin” në sistemin presidencial klasik. E njëjta vlen edhe për zëvendëspresidentët dhe ministrat.

Sipas ndryshimeve të reja, pushteti gjyqësor definohet si i “i pavarur dhe i paanshëm”, ashtu siç e kërkon vetë koncepti mbi gjyqësorin. Ndryshimi në gjyqësor përfshin edhe suprimimin e gjykatave ushtarake (përveç gjykatave disiplinore), duke u bërë një hap serioz për uljen e ndikimit të ushtrisë në jetën publike dhe avancimin e demokracisë civile.

Ka ndryshuar edhe emri i Këshillit të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve (HSK) dhe përbërja e këtij institucioni, ku një pjesë e anëtarëve zgjidhen nga Presidenti dhe një pjesë nga Parlamenti. Në këtë vazhdë, edhe Gjykata Kushtetuese do të ketë 15 anëtarë, prej të cilëve 12 do të emërohen nga Presidenti dhe 3 të tjerë i zgjedhë Parlamenti.

Përparësitë e sistemit të ri

S’do mend se ky sistem ka të mirat e veta që janë në dobi të vendit. Në disa pika mund të themi se:

  • Sistemi presidencial, në disa aspekte, mund të jetë promotor i zhvillimit të demokracisë, kjo për faktin se shtetasve u jepet e drejta që ta zgjedhin Presidentin dhe deputetët e Parlamentit. Në këtë mënyrë edhe organi ekzekutiv, krahas atij legjislativ, fiton legjitimitet demokratik.
  • Presidentit i lind përgjegjësia politike karshi popullit. Populli e voton atë që dëshmohet dhe e ndëshkon në zgjedhje atë që nuk punon mjaftueshëm.
  • Sistemi presidencial krijon stabilitet në qeverisje dhe ekzekutiv të shpejtë, duke e rritur përformancën e mirë në ofrimin e shërbimeve.
  • Ulja e moshës, si kriter për t’u zgjedhur deputet, është konform standardeve bashëkohore demokratike. 18-vjeçarët kishin të drejtë të votonin, por jo edhe të kandidoheshin, gjë që paraqiste një kundërthënie më vete.
  • Tek buxheti mund të thuhet se kjo është menduar si rrugëdalje nga kriza eventuale që mund të ngjajë mes legjislativit dhe ekzekutivit.
  • Emërimi dhe shkarkimi i zyrtarëve të lartë nga ana e Presidentit, pa pasur nevojën e miratimit në Parlament, shihet si mundësi për efikasitet dhe efektivitet më të lartë, meqë Presidenti do t’i ketë duart e lira të formojë e ta udhëheqë kabinetin me të cilin do të punojë pa qenë nën trysninë e Parlamentit.

Mangësitë e sistemit të ri

Pikëpyetja themelore e konstitucionalistëve vihet për pasigurinë e jetësimit të parimit të ndarjes së pushteteve, si garanci e shtetit të së drejtës. Disa dispozita të reja lejojnë hapësirë për një hamendësim të tillë. Shkurtimisht mund të themi:

  • Organizimi i zgjedhjeve të përbashkëta parlamentare e presidenciale, duke llogaritur mundësinë që Presidenti të fitojë shumicën parlamentare nga partia e tij, lehtësisht mund të çojë në kontrollin e punës së legjislativit nga ana e Presidentit.
  • Pamundësimi që i bëhet deputetëve për të shpallur kandidatura për President, edhe si individë, do të rezultojë me vetëm zë partiak. Kjo mund të cilësohet si kufizuese për veprimtarinë e pavarur të deputetëve.
  • Mungesa e pyetjes verbale për ministrat në Parlament, siç është praktikë në SHBA, mund të konsiderohet si një mangësi e llojit të vet.
  • Kompetenca mbi buxhetin është arma e fundit e legjislativit kundrejt ekzekutivit dhe, siç e potencon edhe konstitucionalisti Gözler, duke ia mundësuar Presidentit që të vazhdojë me buxhetin e vjetër, Parlamenti privohet edhe nga kjo armë.
  • Në rast se Presidenti i shtetit ushtron edhe funksionin e kreut të partisë, mund të ketë ndikim të drejtpërdrejtë tek grupi parlamentar i partisë së vet. Situata e tillë mund të sjellë kokëçarje në kontekst të parimit të ndarjes së pushteteve sepse, sipas studiuesit Coşkun, “të ngrënit me dy lugë nga ana e Presidentit mund ta cenojë ndarjen e duhur ndërmjet legjislativit dhe ekzekutivit”.
  • Nëse gjatë ushtrimit të mandatit të dytë të Presidentit Parlamenti vendos që t’i shpallë zgjedhjet, Presidentit i lind e drejta që të kandidohet përsëri. Ky rregull i mundëson një presidenti që, matematikisht, të mund të qëndrojë në pozitë diku afro tri mandate të plota dhe kjo është në mospërputhje me logjikën e sistemit presidencial, në të cilin mandatet janë të ngurta.
  • Po qe se ndodh që një dekret të Presidentit ta marrë në shqyrtim kontrolli Gjykata Kushtetuese, derisa të jepet vendimi dekreti i Presidentit, ai do të prodhojë efekte juridike. Kjo tregon se, përkundër organit legjislativ, dispozitat e dekretit ruajnë fuqinë e tyre.
  • Pragu i nevojshëm i deputetëve për ta rrëzuar veton e Presidentit është bërë shumica absolute (301 vota) në Parlament që, domethënë, se do të ketë veto përforcuese.
  • Emërimi dhe shkarkimi i zyrtarëve të lartë, nga ana e Presidentit, pa pasur nevojën e miratimit në Parlament, megjithëse nuk bie në kundërshtim me parimin e ndarjes së pushteteve, lë hapësirë për nevojën e mekanizmit check and balance/frenim dhe balancim.
  • Kur merret parasysh fakti se Presidenti mund të jetë të njëjtën kohë edhe kryetar partie dhe nëse partia e tij disponon me shumicën parlamentare i bie që, de facto, të gjithë anëtarët e Këshillit të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve dhe ata të Gjykatës Kushtetuese të emërohen nga ana e Presidentit, gjë që mund të shpie në kontrollimin e këtyre institucioneve nga ai. Një gjë e tillë do të cenonte ndarjen e pushteteve.

Përfundim

Rousseau, tek “Kontrata shoqërore”, thoshte se struktura e njeriut është vepër e natyrës, kurse struktura e shtetit është vepër e njeriut. Kësisoj, njeriu nuk e ka në dorë zgjatjen e jetës së vet, gjersa zgjatja e jetës së shtetit – përmes jetësimit të një rendi më të mirë – është në dorën e njeriut.

Bazuar në rregullimin e ri të normativit kushtetues do të dalë në pah një pushtet ekzekutiv i fuqishëm me President shteti aktiv dhe me terren veprimi dukshëm të zgjeruar.

Me këto ndryshime në Turqi janë vënë skelat e ndërtimit të një sistemi të ri qeverisës sipas një projektimi sui generis. Zbatimi do të tregojë se a janë bërë të gjitha përllogaritjet e duhura. Meritat dhe kritikat eventuale i takojnë ekipit që e solli në teori e në praktikë këtë inxhiniering interesant./ shenja

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne